Italian-passport

255,727 emigrantë shqiptarë kanë leje qëndrimi afatgjatë në Itali

Autoritetet italiane pohojnë se mbi gjysma e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali kanë marrë nënshtetësi italiane. Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të emigrantëve të pajisur me leje qëndrimi, e preokupuese është kërkesa e lartë e të rinjve deri në moshën 29 vjeç.

Janë mbi 200 mijë emigrantë shqiptarë në Itali që kanë marrë nënshtetësinë italiane, e kjo e dhënë është publikuar nga Instituti Italian të Statistikave

Autoritetet italiane pohojnë se mbi gjysma e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali kanë marrë nënshtetësi italiane. Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të emigrantëve të pajisur me leje qëndrimi, e preokupuese është kërkesa e lartë e të rinjve deri në moshën 29 vjeç.

Janë mbi 200 mijë emigrantë shqiptarë në Itali që kanë marrë nënshtetësinë italiane, e kjo e dhënë është publikuar nga Instituti Italian të Statistikave, e i siguruar nga Ora News.

Sipas Institutit Kombëtar Italian, ISTAT, në çdo 100 emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, 50 prej tyre kanë marrë nënshtetësinë italiane.

Ndër komunitetet e huaja, ata kanë numrin më të lartë të emigrantëve me nënshtetësi italiane.

Pas emigrantëve shqiptarë vijnë ato marokenë që shënojnë 48 shtetas të rinj italianë në çdo 100 emigrantë nga Maroku.

Vetëm në vitin 2020 janë 28 107 emigrantë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësi italiane. Mbi 17 mijë prej tyre për motive rezidence afatgjatë pune e banimi në Itali, mbi 2700 për motive martese e gati 8000 për motive të tjera të paspecifikuara.

Kjo e dhënë ka bërë që dhe numri i shqiptarëve me leje qëndrimi të regulltë në Itali, të tkurret në -8.5%.

Raporti nënvizon se viti i vështirë pandemik ka shënuar për Italinë dhe numrin më të ulët të lejeve të qëndrimit lëshuar për emigrantët gjatë dekadës së fundit, e gati 40% më pak se viti 2019.

Të dhënat e këtij Instituti komunikojnë se në Itali deri më 1 janar 2021 rezultojnë të regjistruar 381 120 mijë shqiptarë, 193 428 meshkuj, 187 592 femra, e mbi 200 mijë me nënshtetësinë italiane.

255 727 emigrantë shqiptarë kanë leje qëndrimi afatgjatë në Itali, mbi 26 mijë për motive pune, mbi 87 mijë për motive familjare, 1657 për motive studimi e mbi 9500 për motive të tjera të paspecifikuara në këtë raport.

Read More
shkolla-shqipe-trento-587×379

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar – dritare e identitetit, kulturës, gjuhës e historisë shqiptare

 

Të endesh në kostumografinë shqiptare, përherë lidhet ngushtë me ndjenjat e mahnitjes shpirtërore e sociale, që nuk mund të mos zgjojnë edhe tek më të pandjeshmit respektin, atdhedashurinë, krenarinë kombëtare, identitetin unik e të trashëguar.

Duhet thënë, sidoqoftë, se edhe tek ata që i kanë përkushtuar vetë jetën e tyre kësaj kauze të madhe të etnografisë shqiptare është përherë e pamundur gjithë-përfshirja, pasi është si të dëshirosh të vështrosh një nga një, në mikroskop molekulat e një deti të tërë… Kuptohet që kjo e bënë edhe më madhështore e subjektive. Kostumet e kanë ruajtur atë pjesë të kulturës kombëtare që ka ndryshuar pak dhe që është ruajtur më gjatë. Sa herë hedhim sytë mbi krijimtarinë tonë shekullore folklorike, sa herë mbushen sytë tanë e gjokset tona me aromën e bukurinë fisnike të çdo elementi e simboli të veshjeve kemi hedhur një sy mbi historinë tonë.

Kemi shijuar produktet e punë-dorisë shtëpiake të popullit tonë historikisht në trevat e djepit të qytetërimit, ku vazhdimësia e jetës është simboli i parë dhe i pashlyeshëm i dinamizmit tonë vital, e si një ndërlidhje e përhershme e traditave, që përfaqësohen e ndërthuren në prizmin e kulturës materiale me atë shpirtërore e më tej, artistike. Kemi hapur një dritare për të kuptuar përfitimin e lëndëve të para dhe tërësisë së punës mbi to e gjithë sa shoqërohen me të përditshmen apo marrëdhëniet me popujt fqinjë.

Pozitës së femrave dhe trajtimi të përgjithshëm të estetikës pasi çdo veshje është një pasqyrim i të gjitha këtyre, por edhe plotësim. Kemi kaluar përpara vështrimit teknikat mjeshtërore, endja, thurja e qëndisja, dekorimet me grep, gjilpërë, meçik, gjergjef, materialet të cilat përdoreshin si leshi, pambuku dhe mëndafshi, të cilat prodhoheshin kryesisht nga vetë banorët, cohërat, pëlhurat e ndryshme shumëngjyrëshe karakteristike, llojet e metaleve të punimit, rruazave, perlave, dantellave dhe mënyra e qepjes, që janë të gjitha faktor e dëshmi me funksion komunikimi të veshësit dhe origjinës, pozitës shoqërore, gjinisë, gjendja civile dhe ekonomike, moshës apo edhe përkatësinë fetare të tij.

Gjithashtu kemi vërejtur ndjesitë shpirtërore, evenimentet bazë e më të rëndësishëm të jetës së paraardhësve tanë, ritet e besimet, jetën e mbi dhe nëndheshme, besëtytnitë e kultet e ndryshme kozmogonike, të diellit, të hënës, ujit, tokës mëmë dhe pjellorinë e saj, pemës së jetës, si dhe simbolikën e gjarprit, demonëve, këndesin si kasnec, breshkën si zvarranik-mbrojtës nga syri i keq, florën bukëdhënëse, e mbrojtëse nga sëmundjet, figurat mitike, që nga zanafilla e artit, ruajtura në atë gjeometrik, si më të lashtit e autentiku e vazhdimësinë me artin floreal, zoomorf, antropomorf, rrjedhë të përvijuar gjurmët mitologjike parakonfesionale: animizmin, fetishizmin, e deri të paganizmi si religjion popullor, për të arritur në konfesionet mesjetare të derisotshme. Veshjet kombëtare janë treguesi më i mirë i identitetit tonë, dëshmi e afirmim në botë i lashtësisë sonë autoktone e origjinale, objekt adhurimi e afrimi me origjinën tonë.

Me botimi antologjik të këtij kalendari Lobi Euro-Atlantik Shqiptar hap një traditë përvjetore në ecurinë e tij, si përmbushje të qëllimit të vet për ruajtjen dhe promovimin në të gjithë botën, e veçanërisht brenda Diasporës, të çdo vlere shqiptare, identitetit, kulturës, gjuhës e historisë sonë.

Kjo nismë me vlerë të veçantë si një ide e presidentes rezultative të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, zonjës Brikena Qama na sjellë në jetën tonë të përditshme pak nga respekti e mrekullia, nga krenaria e dashuria për rrënjët e origjinën tonë, kudo ku gjendemi e jetojmë, kudo ku krijojmë dhe rrisim fëmijët e familjen tonë.

Është një kujtesë për të gjitha ato që janë të thurura në ADN-në tonë për t’u bërë më të përgjegjshëm e përgjegjës, të vëmendshëm dhe përherë të përqendruar në prioritetin e detyrimit objektiv për përmirësimin tonë personal e kombëtar, kulturor e shoqëror të çdo dite.

Për dashurinë, marrëdhëniet e gjakut e respektin reciprok të çdo treve e të çdo zemre që rreh për Shqiptarinë, në Mërgatë apo brenda trojeve tona etnike./LOBI.

Read More
kkkkkd

LOBI ftohet nga FIDA – diskutojnë për temat që lidhen me integrim dhe parandalimin e dukurive negative

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar , Dega në Norvegji është ftuar në takim të organizatave të komuniteteve që veprojnë në Kristiandsand, nga Forumi për Integrim dhe Dialog ( FIDA).

Në takim do të diskutohet kalendari i aktiviteteve tre mujore dhe një vjeçare në bashkëpunim me organizata për temat që lidhen me integrim dhe parandalimt ë dukurive negative.

Takimi do të mbahet me 04 nëntor ku në takim pritet të marrin pjesë Daut Haxhaj zv.kryetar dhe Demi Sadri Hansen përgjegjës për ekonomi.

Read More
244077516_410913190593398_1369459060642753558_n

Në vigjilje të çeljes së ekspozitës vetjake të piktores dhe autores Fitore Haklaj

Prej disa ditësh publiku është njoftuar për një ekspozitë pikture që do të organizohet në datën 30-31, Tetor në Gjenevë-Zvicër.

Në këtë ekspozitë artdashësit do të shohin punime të autores si dhe falë ndërthurjes së artit pamor dhe atij të shkruar që autorja i shërben, do të kenë mundësi të njihen dhe me poezinë e saj të mbledhur në tre vëllime poetike.

Fitore Haklaj ka lindur më 30.11.1973 në Deçan, shkollën fillore e kreu në Isniq, duke vazhduar të mesmen në Deçan ku vitin e fundit e kreu bashkë me shokët e shoqet nëpër oda private, për të vazhduar në Prishtinë në Fakultetin Ekonomik.

Qysh e vogël, Fitorja  adhuronte pikturën, muzikën, vallëzimin e shkrimet, duke i shpalosur këto talente të saj në aktivitete të ndryshme të organizuar nga shkolla.

Në vitin 1998 Haklaj shpërngulet në Itali, ku më shumë vështirësi filloj të bëjë një jetë larg familjes dhe vendlindjes të cilën e adhuron.

Ndoshta ky boshllëk që të lë largësia nga familja, shoqëria e atdheu i ri-zgjoi Fitores dëshirën për t’u marrë me art si e vetmja mënyrë për të shprehur ndjesitë e saja artistike. Kështu fillon të pikturojë me ngjyra vaj në beze e paralel ndjek disa kurse duke hapur rrugën e pjesëmarrjes në disa ekspozita, bashkë me kolegë të tjerë.

Gjatë këtyre viteve filloi të punojë e studiojë në Itali, ku për pesë vite punoi në Emergjencë dhe vazhdoi ta kryejë atë detyrë edhe si vullnetare për shumë vite më pas.

Viti 2015 e gjen përsëri në bankat e shkollës duke kryer studimet për asistente mjekësore.

Që prej vitit 2019 Fitorja jeton në Zvicër bashkë me bashkëshortin e dy fëmijët e saj. Pas kaq vitesh shpërnguljesh e sakrificash për ndërtimin e një familjeje dhe një jetese cilësore, duke mos i lënë asnjëherë pas dore rizgjimet herë të artit vizual e herë të atij të shkruar, Fitorja ka arritur të ketë jo diçka, por shumëçka për të na treguar duke nisur nga vullnetarizmi, piktura, poezia, dhe patjetër suksesin e të qenit grua, nënë, bashkëshorte, mikeshë e kolege.

“unë mbi të gjitha jam nënë e dy engjëjve të mi, pastaj ndihem piktore e poete, por për të arritur deri këtu është dashur një durim e sakrificë e madhe e më ndihmën e shumë atyre personave që më duan edhe i dua.

Këtu ku jam, jam falë këmbënguljes sime e përkrahjes se madhe nga familja e shoqëria. E mendoj gjithmonë jetën në pozitivitet pasi vetëm kështu  arrihen sukseset”, thotë Fitore Haklaj duke na dhënë shembullin më të mirë të një përfaqësuese të denjë shqiptare në diasporë.

Botime të autores:

“Shpirti peshon”

“Peizazh në zemër”

“Melodi vargu”

Read More
vani5380

Dy Skënderë derë për derë

Autor: Brikena Qama

Skënderi, komshija im i mrekullueshëm, dy metër burrë e shpatullgjerë. Punëtor krahu. Të vetmen karrocë me një kalë të përhimtë në qytetin tim, e kishte Skënderi e me të mblidhte mbeturinat që ne, gjitarët e tjerë kujdeseshim të prodhonim gjatë ditës. Kollën e Skënderit e ndjeje tek zbriste shkallët në orën pesë të mëngjesit dhe kështu pallati e kishte një gjel të vetin për zgjim.

Babaxhani Skënder e shtynte gjithë ditën e punës së tij me një copë bukë me djath, të mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit” por gjithë kohës e shihje të qeshte e kur kthehej nga puna i pëlqente të kthente një teke raki me tim atë. Ky i fundit ngërthehej të gjitha herët me time më kur ajo i kthehej “prapë qenke rrumbullosur zotrote?”.

Në mbrëmje, menjëherë pasi përfundonte “Emisioni i lajmeve”, nëpër murin ndarës depërtonte e gërhitura e Skënderit që niste si me telekomandë.
Ky ishte Skënder babaxhani që na sillte dhe ndonjë kokërr mollë ne kalamajve duke na u lutur mos të zihemi e mos të bërtasim në lojë.

Dera tjetër e hyrjes, veç tonës, ishte e Skënderit numër dy.

Ky ishte tjetër lloj Skënderi e jo si babaxhani i mësipërm. Ishte i gjatë por i hollë. Nuk kam mësuar kurrë se çfarë pune bënte por e shihje gjithmonë me një dosje nën sqetull. Ky lloj Skënderi hynte e delte si hije nga shtëpia dhe veshur mbante një kapardinë në ngjyrën e kalit të Skënder babaxhanit. Edhe sot përpiqem të kujtoj nëse ia kam parë ndonjëherë sytë atij njeriu. Një herë rastisi të këmbehem me të kur unë, pothuajse e shtrirë para derës së tij, isha fshehur për mos të më gjetur Ardita në lojën kukamfshehti që po luanim me kalamajtë kur ky hapi derën dhe hungëriti të largohesha që aty se e shqetësoja.

As në këtë rast nuk ia pashë sytë se unë vrapova e lebetitur e iu dorëzova Arditës.

Im atë e përshëndeste me një gjysmë “si jeni, mirë” të thënë me zor dhe atë, ndryshe nga ç’i buçiste zëri kur përshëndetej me Skënder babaxhanin, kurse ime më mbyllte sy, vesh, derë e dritare sa herë i dëgjonte të hynin e të dilnin çifti “nga na u bënë sebep këta këtu”.

Skënder babaxhani kishte katër fëmijë që ime më i sillte gjithmonë si shembull të cilin duhet të ndiqnim ne, tre fëmijët e saj, sa herë që bënim prapësira, “atyre nuk u ndihet zëri, të edukuar, të sjellshëm. Ka fëmijë bota, jo si këta edepsëza që kemi ne”.

Skënderi tjetërlloj nuk kishte fëmijë dhe as bëri ndonjëherë.

Kur ne vendosëm të largohemi nga qyteti, Skënder babaxhani piu një faqore raki me tim atë e përlotja nuk i iku nga sytë gjithë kohës që ne ngarkonim plaçkat.
Kështu u ndamë me dy Skënderat, lagjen, qytetin.

Skënder babaxhani pas disa muajsh doli në pension të parakohshëm. Kali ngordhi dhe në vend të karroës mbeturinat mblidheshin nga një makinë e bashkisë, një herë në javë edhe pse banorët kishin nisur të bluanin më tepër.

Skënderi tjetër e hoqi kapardinën në ngjyrën e kalit të babaxhanit e veshi një xhaketë lëkure ngjyrë kafe, të blerë te rrobat e dorës së dytë. Iu rrumbullakos barku, la mustaqe dhe mjekër e shkoi në gjendjen civile të qytetit e i shtoi një “BEG” emrit të vetë.

Skënder babaxhani, me emrin e gjëmëmadhit Iskander që e pati pagëzuar e ëma, pas pak vitesh mbylli sytë e shkoi të kalërojë mbi re. Të katër djemtë i ndenjën te koka deri në frymën e fundit e ai i dëndi me urata sa kishte zë e frymë.

Skënderbegu gjeti mënyrën më të mirë për të shpallur identitetin e tij të ri. Krijoi një shoqatë e dilte nëpër qytet me qylafin të cilit i kishte ngjitur dhe shqiponjën dykrenare duke u mburrur me bëmat që mendonte gjithë natën se do bënte për qytetin e banorët e listuar në dosjen e tij.

Nisi të mbajë fjalime e mësoi të qeshë duke treguar protezën e tij që zbardhonte mes tufës së qimeve të mustaqeve e mjekrrës, të vetmit detaj mashkullor që mbante tashmë në trup./Lobi/

Read More
170875305_1191694484600590_4913998189339313458_n

Përlotjet e dëshiruara të një kombi

Përlotje më të bukur, ndjenja më të vyera dhe vaksina dinjiteti më të suksesshme kam përshtypjen se nuk mund të gjenden, sesa kur vijnë nga krenaria për bijtë që rrisim.

Maratona përgatitëse e “Merr një varg dhe eja” dhe Antologjia Letrare për fëmijët pjesëmarrës që krijojnë shqip në diasporë, në datën 4 prill 2021 arriti në destinacionin e saj të planifikuar e fatmirësisht më të mirin e dëshiruar.

Them fatmirësisht që u gjendëm aty, që rrethanat e vështira të kësaj faze të çudë globale që përjetojmë nuk i larguan dot asgjë nga rëndësia dhe mesazhi historik që përçoi kjo nismë. Them fatmirësisht që kemi në mes tonë njerëz këmbëngulës, punëtorë, me talent, me ambicie shoqërore e kombëtare, me qëllime e përgjegjësi për gjuhën shqipe, me nerv për të vepruar e jo thjesht për të sharë a për t’u ankuar, për të arritur, edhe kur arritjet personale janë të japësh më shumë se të marrësh.

Them fatmirësisht sepse, megjithë zhgënjimet që pësojmë nga largimi prej tokës mëmë, dëshira e prindërve për t’u folur gjuhën – e falur fëmijëve të tyre identitetin kombëtar – nuk mungon edhe pas dekadash të tëra në emigracion. Për të tjerat asgjë nuk iu la fatit, por vetëm punës me pasion dhe përfytyrimin ideal. Për të tjerat duhet cilësuar se pas gati tridhjetë vjetësh në emigracion asnjëherë nuk kemi parë një aktivitet të tillë, me përmasa të tilla, me kohëzgjatje e shtrirje gjeografike në pjesëmarrje, sa dhe si tek ky konkurs për fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në diasporë. Për këdo që e ka hasur diku në rrjetet sociale, në disa botime në shtyp, në disa pak emisione televizive, është e njohur se si nisi tre vite më parë edicioni i parë i këtij konkursi.

Një aktivitet modest nga shoqata kulturore “Korça” në Athinë, me kryetare shkrimtaren e talentuar Elona Gjergo Tanga, aktiviste e njohur dhe plot dritë, që mbështeti idetë e saj tek disa veprimtarë për ndihmesë dhe u arrit të realizohej një takim i ngrohtë që u tha fëmijëve: Merr një varg dhe eja! Mes këtyre aktivistëve, zonja Brikena Qama, një ndër veprimtaret e mirëfillta e më në zë në komunitetin shqiptar të Greqisë, nga zelli i të cilës kanë kaluar e janë arritur sa e sa aktivitete cilësore, nga të çdo zhanri në organizmat e nismat e komunitetit, duke u bazuar dhe në aftësitë e larta të menaxhimit e shumëllojshmërinë e talenteve që zotëron. Kjo ishte zanafilla dhe nisma mbeti si një kujtim i bukur në disa foto. Është, sipas vëzhgimit tim, një fund afërsisht i ngjashëm, për përgjithësisht këto lloj aktivitetesh në emigracion.

Sado të bukura të jenë idetë; sado të vlefshme të jenë për rritjen e kontaktit njerëzor në komunitet dhe krijimin e marrëdhënieve dypalëshe mes shtetit ëmë e shtetit mikpritës, apo mes diasporës sonë kudo që ndodhet, si dhe mes diasporës dhe rrënjëve të saj; sado që për qëllim kanë ruajtjen e përçimin në breza të gjuhës shqipe, kulturës, identitetit, historisë e traditës sonë të lashtë e të ndriçuar; sado dhe i entuziastë realizimi i tyre, emigrantët mbeten të pambështetur përveç se tek ky entuziazëm.
Ky entuziazëm është një fillim i përsosur, por dihet që nuk mund të mbajë gjatë kur nuk sheh asnjë shpërblim moral, pale që është gjithashtu dhe i kushtueshëm ekonomikisht, pasi jo vetëm kohë e punës dhe energjia, por qoftë edhe organizimi, dhuratat e trofetë, sallat e mbledhjes, mbulimi praktik, filmik apo fotografik e gjithë të tjerat janë shpenzime nga dëshira e tyre për një aktivitet me dinjitet dhe dashuri. Nga paga e tyre halleshumë.

Sivjet, ky aktivitet u ripërtëri e pati një shkrepje feniksjane. Shoqata “Korça” dhe kryetarja e saj, e përqendruar në dashurinë për gjuhën shqipe, Elona Gjergo, u mbështet tashmë jo vetëm në kënaqësinë personale për të ndihmuar të energjikes Brikena Qama, e cila tani e dy vjet është zgjedhur në timonin e një organizmi të rëndësishëm, që ka prekur një pjesë të madhe të fashës së suksesshme vepruese në diasporë, Lobit Euro-Atlantik shqiptar me veprimtari pesëvjeçare, por dhe të një tjetre zonjë aktiviste në mërgatën e Zvicrës, Aina Hoti, kryetare e Swiss Albanian Event, e impenjuar përherë për integritetin dhe evoluimin e komunitetit duke ruajtur e përforcuar ndjenjën kombëtare.

E ndërsa kjo e fundit qe një ndihmë e aktivitetit për mbarëvajtjen e zë-dhënies mediatike, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar i dha këtij aktiviteti hirin e një organizimi mbar-shqiptar si dhe më të vlefshmen ide të Lobit, botimin e një antologjie letrare me të gjitha krijimet e të gjithë fëmijëve pjesëmarrës. Shkrimtarja Elona Gjergo, poetja Brikena Qama e aktivistja Aina Hoti, përfaqësuese secila e një dëshire të mirërealizuar tashmë, që nga shtatori i vitit 2020 dhe e orgainzmave të tyre të bashkuar, përfunduan këtë “fushatë” në një festë të veçantë mbajtur simbolikisht rreth Ditës Botërore të Librit për Fëmijë.

Na ftuan pra, të gjithëve ne pjesëmarrësve në një mënyrë a në një tjetër, e në radhë të parë të rreth pesëdhjetë fëmijëve konkurues, prindërit e tyre të ndërgjegjësuar, të përkushtuarit mësues të tyre të gjuhës shqipe të festonim së bashku kurorëzimin ideal e marrjen në dorë të antologjisë letrare “Merr një varg dhe eja”. Mbrëmja e së dielës qe një mbrëmje ngazëllimi, fuqie, por mbi të gjitha një mbrëmje bashkimi për shqiptarë nga dhjetëra vende të Evropës. Qe një mbrëmje që si rrallë herë fëmijët shqiptarë nga dhjetëra familje në diasporë duartrokitën së bashku.

Ndonëse të shpërndarë e secili duke njohur një tjetër atdhe e një tjetër gjuhë të flitet përreth, qe një rast unikal që të gjithë fëmijët të flisnin shqip, të tregonin se krijojnë dhe guxojnë në shqip dhe me zemër shqiptare. Ky rast është një rast i shenjtë. Librat që mbanin në duar organizatoret dhe që së shpejti, bashkë me Mirënjohjen Për Pjesëmarrjen do marrin si dhuratë, falë sponsorizimit të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar të gjithë fëmijët e këtij aktiviteti, janë një stacion i mrekullueshëm në jetën e secilit prej nesh dhe të gjithëve sa interesohen vërtet për shqiptarinë.

Dhe pikërisht për këtë interesim duhet me mirënjohje të flasim për të gjithë ata intelektualë, mësues, artistë e letrarë që mbështetën në mënyrë vullnetare dhe me koshiencë kombëtare këtë ndërmarrje kolosale. E organizuar në formën e një konkursi, që nga ideja primare e Elonës, kjo fushatë kësaj radhe kishte jo vetëm një juri të përzgjedhur që do ta kishin zili edhe organizime të njohura në atdhe, por dhe shtrirje të gjerë gjithashtu në disa vende të Evropës. Sipas një renditje alfabetike: Ardita Jatru, një nga poetet shqiptare më të talentuara dhe mbresëlënëse të brezit të vet, nga Greqia; Besë Camaj, lektor e një poet me fuqinë e thershme të brishtësisë poetike, nga Zvicra; Eleana Zhako, letrare me intelekt dhe një nga përkthyeset e reja më të suksesshme shqiptare, nga Belgjika; Ndue Lazri, me përvojën e tij të nderuar në publicistikë, gazetar e poet i njohur e i vlerësuar; Ornela Musabelliu, redaktore, botuese dhe një prozatore me përshkrime të thekshme e plot lëng, arritën madje të nxjerrin pothuaj një zëri vendimin e fituesve. I veçantë qe dhe sistemi i pastër i vlerësimit ku asnjë anëtar i jurisë nuk kishte të dhëna personale në lidhje me krijuesit e vegjël. Siç sqaroi gjatë aktivitetit organizatorja Qama, (ashtu edhe nga deklaratat për media gjatë angazhimit të fazës së parë) anëtarët e jurisë dispononin thjesht një dërgesë elektronike nga organizatoret, të përbashkët me të gjitha krijimet, e cila përfshinte vetëm tekstin (që kish sjellë nëpërmjet postës elektronike prindi, apo mësuesi i gjuhës shqipe i fëmijës tek organizatoret në adresën e konkursit) dhe një numër të caktuar radhitës për secilin krijim. Ndonëse e panevojshme konkretisht, kjo ishte një siguri praktike për pjesëmarrësit se bënte të pamundur ndikimin e çdo faktori tjetër veç kushtit të shijes letraro-artistike (dikush do të thoshte dhe për mbylljen e gojëve të liga, ndoshta, por kur flasim për fëmijë dhe shpirtin e tyre të pastër le të mos hyjmë në të tilla tema).

Bashkimi i të gjithë letrarëve cilësorë të jurisë, ndonëse secili me angazhime të shumëplanëshe dhe vetëm me dëshirën e rrallë e shpirtin e ndjeshëm të artistit për të ndihmuar kursyen kohë, si të gjithë ata që ndihmuan, qe që i shtoi peshën profesionale këtij organizimi. Shtoi dhe shpresën tonë se shumë nga këta fëmijë kanë mundësi me zgjimin e vlerësimin e fantazisë së tyre të gjallë, të marrin shtysën kryesore e të thurin me talentin e tyre një jetë të pasur letrare.

Siç u shpreh kryetari i respektuar, zoti Ndue Lazri gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve në fjalën e tij të veçantë: “Urojmë që në këtë libër me shkrimet modeste të tyre sot, të shohim pas disa vjetësh poetët e shkrimtarët e ardhshëm!”. Përsa i përket antologjisë letrare “Merr një varg dhe eja” që shumëkush do ta gëzojë në bibliotekat e veta (ndonëse në botimet shqiptare, mjerisht, është i shpeshtë-gjendshëm fakti i botimit të librave pa një redaksi të plotë botimi) organizatoret kërkuan të realizohej një libër i denjë dhe i kualifikuar. M’u drejtuan kështu, mua si letrare, autore e redaktore e disa librave, duke më dhënë besimin e nderuar dhe detyrën të krijoja një bord ekzekutues, por dhe rastin të gjithëve ne të ndihmonim e bëheshim hallkë e këtij vargu atdhedashurie për gjuhën shqipe e fëmijët tanë.

Eriketa Kollçaku Qorlazja, si korrektore letrare, mësuese e gjuhës shqipe në emigracion; Ermal Hysi në përkujdesjen grafike; Xhoi Keliraqi në krijimin e përgatitjen e ballinave të librit, edhe vetë është një letrare e re, fëmijë i lindur dhe rritur në emigracion që për pikturat origjinale dhe simbolikën e tyre përdori punime të të vëllait, Kreshnik Keliraqi, nga fëmijëria tij (të cilat gjithashtu kanë një vlerë të të veçantë pasi janë përfshirë në një dërgesë për muzeun Ikumeni në Ksanthi të Greqisë për moshat parashkollore ku përmblidhen punimet më të mira të fëmijëve nga e tërë bota); si dhe unë, Armela Hysi redaktorja, patëm fatin të bashkëpunonim, siç kemi bërë për një sërë botimesh deri tani, por me mallëngjim e entuziazëm të paprovuar ndonjëherë më parë, mbi këtë projekt fantastik e të dlirë.

Në vazhdim, Shtëpia Botuese “Koliqi” nga Kosova që duke i dhënë përparësinë e vlerësimin e një projekti kombëtar, nuk u mjaftua me botimin, por rishqyrtoi të gjithë projektin për një cilësi sa më të lartë teknike. Kjo sepse vërtet nuk ka shpërblim më të bukur sesa të ofrosh ndihmë, por kur kjo ndihmë shndërrohet në një libër, që do ruhet e ruan shpirtin e më se pesëdhjetë fëmijësh që e krijuan dhe sa e sa qindrave që do e lexojnë, nuk është më një aktivitet emigrantësh që harrohet, mbetet në një letër në sirtar, a vetëm në një gisht letër në ndonjë pasazh gazetaresk. Një libër është një përmendore e gjuhës sonë, një stacion për ne dhe historinë e diasporës. Prandaj falënderojmë sërish Lobin Euro-Atlantik që e mundësoi dhe Elona Gjergon, Brikena Qamën e Aina Hotin e organizmat që kryesojnë, që, megjithë vështirësitë e hasura në rrugëtimin e tyre drejt finishit, këmbëngulën pa bërë lëshime, as thjeshtësime për t’i rënë shkurt. Ky libër është dhe përmendore e këtij bashkimi të madh të shqiptarëve dhe si rrallë herë bashkimit të fëmijëve tanë. Është dhe një dhuratë që siç pohoi mësuesja e gjuhës shqipe zonja Lefteri Metkaj teksa vlerësonte: “është më e bukur se çdo dhuratë tjetër, pasi një dhuratë e hap një herë, por një libër e hap shumë herë dhe është një dhuratë më vete për këdo që e lexon”.

Zonja Metkaj ishte gjithashtu edhe mësuesja që fitoi kupën e këtij festivali fëmijnor me shkollën e saj në Redi të Greqisë, (pasi u vlerësuan në veçanti mësuesit në emigracion e aktivistët që me devotshmëri nxitën nxënësit e tyre në këtë debutim të gjuhës shqipe) për prurjet më të shumta në këtë edicion. Qenë të shumtë të ftuarit në këtë mbrëmje, dhe qenë të shumta përlotjet. Qenë të bukur zërat e fëmijëve që merrnin fjalën e recitonin krijimet e tyre, falënderimet dhe reagimet e qeshura e mirënjohëse të prindërve.

Qenë fantastike e plot energji duartrokitjet e shumta e që një çast, kur mësuesja e shkrimtarja Alma Ibi Zekollari në fjalën e saj propozoi të hapnim të gjithë tok mikrofonat për të përgëzuar heronjtë tanë të vegjël, buçitën sa mend u dëgjua deri në atdheun tonë që të gëzojë edhe ai dashurinë e mirësinë dhe për më tepër meritat e vogëlushëve tanë. Ata shprehen në shqip dhe dashurojnë jetën në shqip, kudo ku gjenden. Ndaj u bë i gjatë e i gjatë edhe ky shkrim, të mund të përfshinim e të përshkruanim të gjitha etapat dhe tërë zinxhirin e duarve për t’u bërë një përqafim sa e tërë bota. Ju lutemi, rrini dhe pak të lexoni emrat e fëmijëve pjesëmarrës e të mësuesve të tyre plot zell, por fituesit nuk do mund t’i lexoni në veçanti, këtu, pasi për mua të gjithë e secili më vete janë fitues!

Mirënjohje dhe vlerësim të veçantë për punën e përkushtuar të mësuesve, kujdestarëve e prindërve të fëmijëve pjesëmarrës! Krijimet e fëmijëve nga shkollat në Redi dhe Aspropirgo, në Greqi, kanë ardhur nën kujdesin e mësueses Lefteri Metkaj. Krijimet e nxënësve të kursit të gjuhës shqipe Shtëpia Shqiptare “Porta” në Athinë kanë ardhur nën kujdesin e mësueseve Alma Zekollari dhe Eriketa Kollçaku Qorlazja. Krijimet e fëmijëve nga kursi i gjuhës shqipe në Athinë kanë ardhur nën kujdesin e mësuesit Pjerin Lleshi.

Krijimet e nxënësve nga Dhomoko, Greqi, kanë ardhur nën kujdesin e mësueses Alma Hani. Krijimet e fëmijëve me banim në Norvegji kanë ardhur nën kujdesin e zonjës Lumnije Tafolli Salihu, nga Shoqata “Fehmi Agani”. Krijimet e fëmijëve me banim në Londër kanë ardhur nën kujdesin e zonjës Juliana Shalla – organizatore e talenteve të reja në Londër. Sipas renditjes në botimin antologjik fëmijët shfaqen si mëposhtë: Rebeka Zero, 12 vjeçe, Itali; Melisa Galloshi, klasa e pestë Shkolla Shqipe Shoqata “Nënë Tereza”, Selanik, Greqi; Asja Galloshi, Shkolla shqipe Shoqata “Nënë Tereza”, Selanik, Greqi; Maria Musaraj Shkolla Shqipe Shoqata “Nënë Tereza”, Selanik, Greqi; Xhoana Deliaj, 14 vjeçe, Greqi; Vasil Bilushi, 9 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Melina Bilushi, 15 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Arianit Gjoka, 8 vjeç Tuz, Mali i Zi; Aristotel dhe Natalia Zenelaku, 12 dhe 9 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Alesia Hysa, 7 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Amelia Maksutaj , 7 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Patricia Bliku, 10 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Dejvi Bliku, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Klaudio Doko, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Mateo Doko, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Rafaela Aliu, 12 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe Aspropirgo, Greqi; Venessa Juniku, 13 vjeçe Kl. VII, Arendal, Norvegji; Elisa Juniku, 14 vjeçe Arendal, Norvegji; Ema Berisha, 7 vjeçe Shkolla shqipe Monthey-Chablais, Zvicër; Ronaldo Zhupa, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Katerina Malaj, 13 vjeçe Klasa e 3-të, Athinë; Rexhina Gjoka, 11 vjeçe Rodos, Greqi; Dionis Jashari, 10 vjeç Birkeland, Norvegji; Monika Jashari, 10 vjeçe Birkeland, Norvegji; Sesila Zëra, 8 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Aspropirgo, Greqi; Chiara Xoxi, 14 vjeçe Shkolla shqipe Lorraine, Bern; Sidorela Kristo, 13 vjeçe Athinë; Rebeka Zero, 14 vjeçe, Shkolla shqiptare Modena, Itali; Marilena Pasho, 8 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Aspropirgo, Greqi; Mariglena Bushpepa, 10 vjeçe Dhomoko, Greqi; Elias Syla, 9 vjeç Shkolla shqipe Monthey-Chablais, Zvicër; Xhoja Kurti, 11 vjeçe, Suedi; Aldo Prendi klasa e 3- të, Athinë; Erlinda Nebiu, 9 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe Aspropirgo, Greqi; Iliando Simoni, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe Redi, Athinë; Sara Fatmir Bicari Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Tergita Asllani, 13 vjeçe. Londër; Adela Kelmendi, 12 vjeçe Arendal, Norvegji; Erika Vishkurti, 10 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Xhesika Pira, 10 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Aspropirgo, Greqi; Rea Fatmir Mone Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Angjelo Allkanjari Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Margarita Ilir Braho Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Arbër Kelmendi, 10 vjeç Arendal, Norvegji; Janula Lushka, 9 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Veriola Pashaj, 9 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Dafina Agim Papaj Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Xhina Cenolli, 8 vjeçe Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Asqeri Velmishi, 11 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Nadia dhe Agjelo Liço, Athinë; Ana Xhaferri, 9 vjeçe Shtëpia shqiptare “Porta”, Athinë; Sabrina Maria Kocibelli, 9 vjeçe Bazel, Zvicër.
Ndriçofshi përherë si diej fëmijët tanë të bukur!
Me 05.04.2021
Athinë

Read More
165869834_523353939055112_3797632681708649751_n (1)

Kuvendi që solli emocione të veçanta gjatë takimit për zgjedhjen e strukturës së re të Lobit në Norvegji

🇧🇻 Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, pas kuvendeve të degëve në Greqi dhe Zvicër, mbajti kuvendin e dytë zgjedhor edhe në Norvegji.

I organizuar me platformën online ZOOM, pjesë e takimit ishin; inicuesi për themelimin e degës së Lobit Euro-Atlantik Shqiptar për Gjermani, Kemail Shaqiri, bashkëatdhetari nga Karakurt-Ukrainë, Aleksander Lekhov, kryetari i SH.K.H, Fehmi Agani në Norvegji, Besnik Ramadani, Radio Rilindja nga Oslo, Alush Balichi, Petrit Alijaj përfaqësues i degës-Itali, përfaqësues të degës –Greqi, Petrit Selmani, Majlinda Roka, përfaqësues të degës në Zvicër, Sutki Hulaj dhe Ilias Mustafi, prof. Elvis Duro, dr. Gazmend Berisha, kontribuuesi i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar nga Suedia, L iridon Sefaj, e të tjerë.

Kuvendi rrjedhi sipas agjendës në sistemin online ZOOM.

Mysafiri që i japi një ndjesi shumë të veçantë takimit, ishte shqiptari nga Karakurt-Ukrainë, Aleksander Lekhov.

Rrefimi i Lekhov rreth historikut të identitetit, dëshires së flakët tij për të ruajtur vlerat dhe kulturën e shqiptarëve në Ukrainë dhe kënga e shprehur nga thellësia e zemrës tij  “Moj Shqipëri moj nëna ime”,  ishin aresyet që bënë me lot shumicën e pjesmarrësve.

Aleksander Lekhov pranoi që të bëhet pjesë e Bordit Drejtues të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji dhe u premtua për bashkëpunim dhe zgjerim të Lobit Shqiptar edhe në Ukrainë.

I tërë procesi u incizua dhe do bëhët publik së shpejti.

Në Kuvend u shpalos raporti punës pesë vjeçare, raporti financiar, vizioni, qëllimi, strategjia dhe plani i punës per katër vitet e ardhshme.

Një dokumentacion i tillë ishte derguar tek asamblistët tri javë para datës së mbajtjes së Kuvendit.

Në këtë Kuvend, me dy mungesa dhe një abstenim, u votua për kryetar, Fehmi Bekteshi.

Bekteshi njihet si aktivist nga viti 1992, ka qenë aktiv në mësim plotësues për fëmijët shqiptarë, kryetar i shoqatës Kulturore《Jæren》 njëri ndër themeluesit e shoqatës《ALBNOR》për Rogaland,  organizator i shumë turnirëve futbolli dhe mbrëmjeve festive me qëllime të përfitimeve të ndihmave humanitare në vendlindjen, aktivist në Lobin Euro-Atlantik Shqiptar, i cili ishte edhe asamblist në Asamblenë e përgjithshme në Greqi.

Bekteshi, është i martuar, baba i katër fëmijëve.

Përkundër që menaxhon biznesin e tij familjar, premtoi se do gjëjë kohën e duhur edhe për obligimet kombëtare që peshojnë mbi supe secilin aktivist të ndërgjegjshëm.

Kryetari i deritanishëm Xhafer Ahmetaj kishte paralajmëruar mos kandidaturën e tij kohë më parë. Kjo për arsye të distancës së lartë gjeografike nga qytetet ku banojnë shumica shqiptare në Norvegji.

 Ahmetaj  u çmua lartë nga asamblistët dhe mysafirët për kontributin e tij që nga përfaqësimi i tij në Kuvendin Iniciues të 20.02.2016, si kryesuesi i celulës organizative për Norvegji  me emër Lobi Euro-Atlantik Shqiptar.

Një emër dhe frymë organizative që u votua në Kuvendin Iniciues në Gjermani më 20.02.16.

Tutje u zgjodh edhe kryesia dhe pesë asamblistët që do marrin pjesë në Asamblenë e përgjithshme në Greqi në muajin maj, nese kushtet e lejojnë këtë për arsye të Covid-19.

Përfaqësuesi i Sh.H., Fehmi Agani, Bradnik Ramadani, ai i Rilindjes në Oslo, Alush Balichi dhe dr. Gazmend Berisha nga Oslo premtuan për bashkëpunim të ngushtë me Lobin Euro-Atlantik Shqiptar.

Dr. Gazmend Berisha pranoi rolin e zëvendës asamblistit për Asamblenë Zgjedhore në Greqi dhe premtoi bashkëpunim të sinqertë për çështje kombëtare dhe profesionale.

Çdo gjë rrjedhi me frymën pozitive dhe demokratike duke u shoqëruar kohë pas kohe me këngë dhe mesazhe të fuqishme.

Dega e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji do vazhdojë rrugëtimin e tij me objektiva prioritare, si:

▪︎Rrjetizim dhe lidhje bashkëpunimi me shoqata ku mungon kjo;

▪︎Mbrojtjen e vlerave tona kombëtare me fokus organizimin e gjuhës shqipe;

▪︎Ngritjen e vullnetarizmit duke u bazuar në strategjinë që ka shteti Norvegjez;

▪︎Strukturimin e organizatës duke ndarë punën permjes 7 departamenteve që parashikon Platforma;

▪︎Zbatueshmërinë e planit të veprimit;

Bordi Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, dega në Norvegji falenderon përzemërsisht mysafirët në këtë takim të rëndësishëm, asamblistët dhe Komisionin Zgjedhor i cili bëri një punë të mrekullueshme që procesi të rrjedh mbarë në çdo Kuvend zgjedhor deri më tani.

Po ashtu, falenderim edhe për dy degët si motra (Zvicër dhe Greqi), që ishin prezent në Kuvend, presidentja e Lobit Brikena Qama, përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Oslo, Blerta Rukoli, Daut Haxhaj, Sutki Hulaj si dhe Petrit Aliaj nga Italia, i cili shprehi gadishmërinë përkonstituimin e degës së Lobit në Itali.

Read More
kkkkkd

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji do të mbajë kuvendin e dytë zgjedhor

Pas mbajtjes së Kuvendit në Zvicër më datën 20.03.21 dhe në Greqi, me datën 21.03.2021, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar dega në Norvegji ka bërë ftesë publike në Facebook për pjesëmarrje në kvendin e dytë zgjedhur.

Ky kuvend do mbahet  më 27.03.2021, përmes platformës online ZOOM.

Të ftuar në këtë kuvend janë përfaqësues të shoqatave e organizatave të ndryshme nga mbarë Norvegjia.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar dega në Norvegji është zyrtarizuar nga 19.03.2021 me vendimin e Kuvendit të parë në Oslo .

Të ftuar në këtë Kuvend do këtë edhe mysafir të tjerë, nder të cilët edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Oslo Ulliks Emra etj.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar është në përgatitje e sipër për mbajtjen e Asamblesë së tretë përgjithshme në Athinë të Greqisë në muajin maj, nëse krijohen rrethanat që mundësojnë një lëvizje të lirë për shkak të COVID-19.

Zyra e shtypit të LEASH

Read More
FotoKolazh1-scaled

Kanada: Shqiptari dhuron pesë respiratorë për spitalet në Kosovë

Vlerat dhe virtytet njerëzore, përveçse në ditë të mira, tregohen gjithashtu edhe në ditë të vështira. Në këtë kohë kur krejt bota po merret me mundësinë e ruajtjes së vetvetes nga pandemia duke u mbyllur brenda mureve, apo edhe duke e ruajtur distancën sociale megjithatë dikush e ka në mendje ndihmën për atdheun.

Shoqata Bamirëse “Sons of Eagle” (Djemtë e Shqipes) që vepron në Toronto të Kanadasë që nga viti 2018, ka treguar veten çdo herë që i është dhënë mundësia për ndihmë Shqipërisë dhe Kosovës.

Këto ditë të pandemisë COVID- 19 ka nisur një ndihmë të madhe për Klinikën Infektive në Prishtinë dhe Spitalin e Komunës së Gjakovës.  Ahmet Hoti, udhëheqës i shoqatës në një bisedë të shkurtër për gazetën “Diaspora Shqiptare, tregon se pak ditë më parë  shoqata “ka dërguar katër respiratorë të oksigjenit, një aparat të sterilizimit dhe një karrocë në Spitalin e Gjakovës, ndërsa sot ka arritur një respirator tjetër në Klinikën Infektive në Prishtinë. Respiratorët dhe të gjitha pajisjet shoqëruese i kemi dhuratë nga shoqata bamirëse “Not just a Tourist” në Kanada, e cila na ka ndihmuar prej themelimit të shoqatës sonë.”
“Duke e parë gjendjen e spitaleve tona nga disa vizitat që kemi pasur në të kaluarën, ne jemi vënë në lëvizje dhe po mundohemi ta japim kontributin tonë në kalimin sa më të shpejtë dhe më të lehtë të këtij virusi vdekjeprurës, dhe deri më tani kemi dërguar rreth 100 karroca me maska, disa proteza edhe mjete të tjera higjenike”.
Shoqata gjatë këtyre dy viteve ka dhuruar shpeshherë pajisje spitalore në spitalet shqiptare si p.sh. në maj të vitit 2018 ka dërguar në Spitalin “Haxhi Derri” në Krumë karroca për pacientët me nevoja të veçanta si dhe për emergjencat e spitalit. Gjithashtu janë bërë donacione nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë si Kukësi, Fieri dhe Durrësi. Shoqata është treguar mjaft aktive edhe në nëntor të vitit të kaluar pas tërmetit të shkallës së lartë në Shqipëri duke dërguar disa kontigjentë me veshmbathje për të dëmtuarit e tërmetit në qytetin e Durrësit.  Të gjitha këto i ka bërë z. Hoti me bashkëpunëtorët e shoqatës, dhe me partnerë të tjerë si Xhamia Shqiptare e Torontos dhe me aktivistë dhe patriotë të tjerë jo vetëm të Torontos por edhe të qyteteve të tjera të Kanadasë.
Ahmet Hoti shprehet i kënaqur që edhe maskat mbrojtëse që kjo shoqatë kishte dërguar në Shqipëri para disa vitesh, dhe që ruheshin në depot rezervë֝ të shtetit, tani pas përhapjes së virusit “Corona” kanë hyrë në përdorim nga shteti shqiptar.

Ahmeti bën thirrje shqiptarëve të këtushëm që nismave të kësaj shoqate t’i bashkohen edhe më shumë bashkëkombas, sepse “çfarëdo që më ofrohet për ta dërguar në mëmëdhe jam i gatshëm ta jap maksimumin e mundshëm”.

Read More
152079905_119535373424691_2388751769336626137_o

Shqiptarja e nominuar për çmimin “Inspirational Global Woman of the Year 2021 Award”

Jonela Hasani, e cila jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është nominuar për “Inspirational Global Woman of the Year 2021 Award” nga “Global Woman Club”.

Në datat 5 deri 8 mars 2021 do të zhvillohet “Global Woman Summit 2021”, gjatë të cilit do të bëhet shpërndarja e çmimit. Deri më 1 mars 2021 është i hapur votimi për këtë çmim.

“Jam nominuar për çmimin ′′Gruaja Globale frymëzuese e Vitit 2021′′ nga Klubi Global i Gruas Globale. Jam shumë e nderuar dhe e emocionuar që jam mes grave të tjera frymëzuese të mrekullueshme nga e gjithë bota”, shprehet zonja Hasani.

Read More