Dy Skënderë derë për derë
Autor: Brikena Qama
Skënderi, komshija im i mrekullueshëm, dy metër burrë e shpatullgjerë. Punëtor krahu. Të vetmen karrocë me një kalë të përhimtë në qytetin tim, e kishte Skënderi e me të mblidhte mbeturinat që ne, gjitarët e tjerë kujdeseshim të prodhonim gjatë ditës. Kollën e Skënderit e ndjeje tek zbriste shkallët në orën pesë të mëngjesit dhe kështu pallati e kishte një gjel të vetin për zgjim.
Babaxhani Skënder e shtynte gjithë ditën e punës së tij me një copë bukë me djath, të mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit” por gjithë kohës e shihje të qeshte e kur kthehej nga puna i pëlqente të kthente një teke raki me tim atë. Ky i fundit ngërthehej të gjitha herët me time më kur ajo i kthehej “prapë qenke rrumbullosur zotrote?”.
Në mbrëmje, menjëherë pasi përfundonte “Emisioni i lajmeve”, nëpër murin ndarës depërtonte e gërhitura e Skënderit që niste si me telekomandë.
Ky ishte Skënder babaxhani që na sillte dhe ndonjë kokërr mollë ne kalamajve duke na u lutur mos të zihemi e mos të bërtasim në lojë.
Dera tjetër e hyrjes, veç tonës, ishte e Skënderit numër dy.
Ky ishte tjetër lloj Skënderi e jo si babaxhani i mësipërm. Ishte i gjatë por i hollë. Nuk kam mësuar kurrë se çfarë pune bënte por e shihje gjithmonë me një dosje nën sqetull. Ky lloj Skënderi hynte e delte si hije nga shtëpia dhe veshur mbante një kapardinë në ngjyrën e kalit të Skënder babaxhanit. Edhe sot përpiqem të kujtoj nëse ia kam parë ndonjëherë sytë atij njeriu. Një herë rastisi të këmbehem me të kur unë, pothuajse e shtrirë para derës së tij, isha fshehur për mos të më gjetur Ardita në lojën kukamfshehti që po luanim me kalamajtë kur ky hapi derën dhe hungëriti të largohesha që aty se e shqetësoja.
As në këtë rast nuk ia pashë sytë se unë vrapova e lebetitur e iu dorëzova Arditës.
Im atë e përshëndeste me një gjysmë “si jeni, mirë” të thënë me zor dhe atë, ndryshe nga ç’i buçiste zëri kur përshëndetej me Skënder babaxhanin, kurse ime më mbyllte sy, vesh, derë e dritare sa herë i dëgjonte të hynin e të dilnin çifti “nga na u bënë sebep këta këtu”.
Skënder babaxhani kishte katër fëmijë që ime më i sillte gjithmonë si shembull të cilin duhet të ndiqnim ne, tre fëmijët e saj, sa herë që bënim prapësira, “atyre nuk u ndihet zëri, të edukuar, të sjellshëm. Ka fëmijë bota, jo si këta edepsëza që kemi ne”.
Skënderi tjetërlloj nuk kishte fëmijë dhe as bëri ndonjëherë.
Kur ne vendosëm të largohemi nga qyteti, Skënder babaxhani piu një faqore raki me tim atë e përlotja nuk i iku nga sytë gjithë kohës që ne ngarkonim plaçkat.
Kështu u ndamë me dy Skënderat, lagjen, qytetin.
Skënder babaxhani pas disa muajsh doli në pension të parakohshëm. Kali ngordhi dhe në vend të karroës mbeturinat mblidheshin nga një makinë e bashkisë, një herë në javë edhe pse banorët kishin nisur të bluanin më tepër.
Skënderi tjetër e hoqi kapardinën në ngjyrën e kalit të babaxhanit e veshi një xhaketë lëkure ngjyrë kafe, të blerë te rrobat e dorës së dytë. Iu rrumbullakos barku, la mustaqe dhe mjekër e shkoi në gjendjen civile të qytetit e i shtoi një “BEG” emrit të vetë.
Skënder babaxhani, me emrin e gjëmëmadhit Iskander që e pati pagëzuar e ëma, pas pak vitesh mbylli sytë e shkoi të kalërojë mbi re. Të katër djemtë i ndenjën te koka deri në frymën e fundit e ai i dëndi me urata sa kishte zë e frymë.
Skënderbegu gjeti mënyrën më të mirë për të shpallur identitetin e tij të ri. Krijoi një shoqatë e dilte nëpër qytet me qylafin të cilit i kishte ngjitur dhe shqiponjën dykrenare duke u mburrur me bëmat që mendonte gjithë natën se do bënte për qytetin e banorët e listuar në dosjen e tij.
Nisi të mbajë fjalime e mësoi të qeshë duke treguar protezën e tij që zbardhonte mes tufës së qimeve të mustaqeve e mjekrrës, të vetmit detaj mashkullor që mbante tashmë në trup./Lobi/