Lobi Euro-Atlantik Shqiptar – dritare e identitetit, kulturës, gjuhës e historisë shqiptare
Të endesh në kostumografinë shqiptare, përherë lidhet ngushtë me ndjenjat e mahnitjes shpirtërore e sociale, që nuk mund të mos zgjojnë edhe tek më të pandjeshmit respektin, atdhedashurinë, krenarinë kombëtare, identitetin unik e të trashëguar.
Duhet thënë, sidoqoftë, se edhe tek ata që i kanë përkushtuar vetë jetën e tyre kësaj kauze të madhe të etnografisë shqiptare është përherë e pamundur gjithë-përfshirja, pasi është si të dëshirosh të vështrosh një nga një, në mikroskop molekulat e një deti të tërë… Kuptohet që kjo e bënë edhe më madhështore e subjektive. Kostumet e kanë ruajtur atë pjesë të kulturës kombëtare që ka ndryshuar pak dhe që është ruajtur më gjatë. Sa herë hedhim sytë mbi krijimtarinë tonë shekullore folklorike, sa herë mbushen sytë tanë e gjokset tona me aromën e bukurinë fisnike të çdo elementi e simboli të veshjeve kemi hedhur një sy mbi historinë tonë.
Kemi shijuar produktet e punë-dorisë shtëpiake të popullit tonë historikisht në trevat e djepit të qytetërimit, ku vazhdimësia e jetës është simboli i parë dhe i pashlyeshëm i dinamizmit tonë vital, e si një ndërlidhje e përhershme e traditave, që përfaqësohen e ndërthuren në prizmin e kulturës materiale me atë shpirtërore e më tej, artistike. Kemi hapur një dritare për të kuptuar përfitimin e lëndëve të para dhe tërësisë së punës mbi to e gjithë sa shoqërohen me të përditshmen apo marrëdhëniet me popujt fqinjë.
Pozitës së femrave dhe trajtimi të përgjithshëm të estetikës pasi çdo veshje është një pasqyrim i të gjitha këtyre, por edhe plotësim. Kemi kaluar përpara vështrimit teknikat mjeshtërore, endja, thurja e qëndisja, dekorimet me grep, gjilpërë, meçik, gjergjef, materialet të cilat përdoreshin si leshi, pambuku dhe mëndafshi, të cilat prodhoheshin kryesisht nga vetë banorët, cohërat, pëlhurat e ndryshme shumëngjyrëshe karakteristike, llojet e metaleve të punimit, rruazave, perlave, dantellave dhe mënyra e qepjes, që janë të gjitha faktor e dëshmi me funksion komunikimi të veshësit dhe origjinës, pozitës shoqërore, gjinisë, gjendja civile dhe ekonomike, moshës apo edhe përkatësinë fetare të tij.
Gjithashtu kemi vërejtur ndjesitë shpirtërore, evenimentet bazë e më të rëndësishëm të jetës së paraardhësve tanë, ritet e besimet, jetën e mbi dhe nëndheshme, besëtytnitë e kultet e ndryshme kozmogonike, të diellit, të hënës, ujit, tokës mëmë dhe pjellorinë e saj, pemës së jetës, si dhe simbolikën e gjarprit, demonëve, këndesin si kasnec, breshkën si zvarranik-mbrojtës nga syri i keq, florën bukëdhënëse, e mbrojtëse nga sëmundjet, figurat mitike, që nga zanafilla e artit, ruajtura në atë gjeometrik, si më të lashtit e autentiku e vazhdimësinë me artin floreal, zoomorf, antropomorf, rrjedhë të përvijuar gjurmët mitologjike parakonfesionale: animizmin, fetishizmin, e deri të paganizmi si religjion popullor, për të arritur në konfesionet mesjetare të derisotshme. Veshjet kombëtare janë treguesi më i mirë i identitetit tonë, dëshmi e afirmim në botë i lashtësisë sonë autoktone e origjinale, objekt adhurimi e afrimi me origjinën tonë.
Me botimi antologjik të këtij kalendari Lobi Euro-Atlantik Shqiptar hap një traditë përvjetore në ecurinë e tij, si përmbushje të qëllimit të vet për ruajtjen dhe promovimin në të gjithë botën, e veçanërisht brenda Diasporës, të çdo vlere shqiptare, identitetit, kulturës, gjuhës e historisë sonë.
Kjo nismë me vlerë të veçantë si një ide e presidentes rezultative të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, zonjës Brikena Qama na sjellë në jetën tonë të përditshme pak nga respekti e mrekullia, nga krenaria e dashuria për rrënjët e origjinën tonë, kudo ku gjendemi e jetojmë, kudo ku krijojmë dhe rrisim fëmijët e familjen tonë.
Është një kujtesë për të gjitha ato që janë të thurura në ADN-në tonë për t’u bërë më të përgjegjshëm e përgjegjës, të vëmendshëm dhe përherë të përqendruar në prioritetin e detyrimit objektiv për përmirësimin tonë personal e kombëtar, kulturor e shoqëror të çdo dite.
Për dashurinë, marrëdhëniet e gjakut e respektin reciprok të çdo treve e të çdo zemre që rreh për Shqiptarinë, në Mërgatë apo brenda trojeve tona etnike./LOBI.