159248018_434117067818018_307285570490037425_n-780×439

Përkujtohet Ibrahim Halilaj – në vitin 2009 ishte njëri nga 15 viktimat e aktit makabër në një shkollë në Gjermani

Janë bërë 12 vite nga vdekja e 17 vjeçarit Ibrahim Halilaj, nga Terdefci i Drenasit, i cili ishte njëri nga 15 viktimat e aktit makabër në vitin 2009 në Gjermani.

Ibrahimi kishte gjetur vdekjen bashkë me tetë shoqet e klasës, tri mësueset dhe katër qytetarë të tjerë gjermanë.

Ai konsiderohej një nxënës i qetë, i zellshëm dhe shumë i dashur me të tjerët. Po ashtu, Ibrahimi vlerësohej si një djalosh që e donte shkollën, vendlindjen e sportin.

Në kujtim të tij, familja Halilaj ka dhënë mesazh prekës për të.

“I dashur biri ynë, vëllai ynë. Erdhi prapë data 11.03, një datë dhe një ditë shumë e rëndë dhe e pa harruar, me plagë të pa shërueshme në zemrat tona. Gjithmonë do të jemi krenar për ty. Me shumë mall, prindërit, vëllai dhe motrat”, kujtojnë familja përmes një letre.

Shemsi Halilaj, babai i Ibrahimit, kishte emigruar së bashku me familjen e tij në Gjermani në fillim të viteve të 90-ta.

Ibrahimi ishte djali me i madh i familjes Halilaj.

Tragjedia kishte ndodhur pasi një i ri gjerman kishte shkrepur 112 plumba dhe në fund ishte vetëvrarë.

Ai sipas autoriteteve gjermane, konsiderohej me të meta psikike.

Read More
blerona-600×360-2-696×464-11-696×460-1

Shqiptarja, shefe e hetimeve në policinë e Norvegjisë

Quhet Fadije Brahimi, jeton prej 30 vjetësh në Norvegji, është shqiptarja e parë që përfundoi universitetin 3-vjeçar për oficere policie në një nga institucionet arsimore më të larta policore në botë.

Brahimi ka arritur suksese të mëdha profesionale, pasi është vlerësuar me grada të larta në policinë norvegjeze, duke u emëruar së fundmi dhe përgjegjëse e sektorit të hetimeve në qytetin ku jeton.

Përveç saj, në universitetin ku edukohen oficerët e rinj në Norvegji, kanë filluar të studiojnë edhe femra të tjera shqiptare.

Read More

Elly Iseni, storie suksesi në kuzhinën daneze

Fituesja shqiptare e “Hell’s Kitchen” në Danimarkë është shqiptarja Elly Iseni.

Ajo është arsimuar për gastronomi dhe ka arritur të jetë mjaft e suksesshme në profesion.

“Kam ardhur në Danimarkë kur kam qenë 5 vjeç dhe në moshën 14-15 vjeçare kam filluar të studioj për t’u bërë kuzhiniere, më pas kam punuar edhe për Parlamentin e Kopenhagenit”, tregon profesionistja shqiptare.

Konkurrenca ishte e madhe në “Hell’s Kitchen” në Danimarkë, por puna dhe përkushtimi i shqiptares ishte shumë i lartë, andaj ajo u vlerësua si kuzhinierja më e mirë në Danimarkë.

Read More
876×400-px-61

Shqiptari që ka ndihmuar në lançimin e 800 SME-ve në Belgjikë

Pak mund ta dinë se Amet Gjanaj është shqiptari që  për 15 vite ka ndihmuar në lançimin e mbi 800 bizneseve të vogla dhe të mesme që kanë gjeneruar mbi 1.200 vende pune për banorët e Brukselit. Ai është gjithashtu deputet në Parlamentin e Belgjikës që nga viti 2014. Përpos kësaj, ai është edhe anëtar  i Unionit Shqiptar të Biznesit në Belgjikë.  Sipas tij, Shqiptarët në përgjithësi njihen në Belgjikë si biznesmenë të suksesshëm për shkak se janë shumë dinamik .

“Shqiptarëve u mungojnë modelet e bizneseve të suksesshëm për t’i aplikuar vetë. Biznesmenët Shqiptarë janë të përqëndruar në disa sektorë ku janë realisht të suksesshëm. Është e nevojshme t’u prezantohen modele të tjera që të zgjerojnë fushen e veprimit dhe të lançojnë biznese në sektorë edhe më të leverdisshëm,” nënvizon Gjanaj.

Ai e pranon se paragjykime ekzistojnë për shqipëtarët në Belgjikë por nëse  arrin tja dalësh me sukses në biznes, Belgjika është shumë pozitive me ty.

Më poshtë është intervista e plotë me Z. Gjanaj:


Kush është Amet Gjanaj ?

Vendlindja : Bruksel, Belgjikë

Mosha : 47 vjeç

Viti kur prindërit u larguan nga Shqiperia: 1956

Fusha e Ekspertizës: Jam i diplomuar në shkencat ekonomike në Universitetin e Lirë të Brukselit.Kam punuar 15 vite në këshillimin dhe nxitjen e biznesit të vogël dhe të mesëm. Për 15 vite kam ndihmuar në lançimin e mbi 800 bizneseve të vogla dhe të mesme që kanë gjeneruar mbi 1.200 vende pune për banorët e Brukselit.

Cila mendoni se ishte arsyeja kryesore që prindërit e tu u larguan nga Shqipëria?

Prindërit janë arratisur nga Kukësi i Shqipërisë në vitin 1956. Arsyeja kryesore ishte për ti shpëtuar komunizmit. Pas largimit nga Shqipëria familja kaloi 4 vite në Kosovë dhe pastaj 2 vite në një kamp të Kroacisë. Në 1962, janë transferuar në Belgjikë.

Na tregoni diçka më shumë për përvojat e tua të para si i huaj në Belgjikë dhe çfare ka ndikuar më shumë tek ju në zgjedhjet që keni bërë në jetë?

Dhe pse jam i lindur në Belgjikë, dhe Belgjika është vend që i detyrohem shumë per mikëpritjen që kanë treguar belgët ndaj prindërëve dhe gjyshërve të mi dhe për mundësitë që m’i ofroi mua dhe familjës sime (shkollimin, punen etj), mund të them se ndjehem gjithashtu Shqiptar dhe jam krenar për këtë.

Historia e emigrimit të prindërve të mi është një odise e vërtet, burim inspirimi për mua për çdo hap të jetës sime. Në kujtesën time kam të ngulitur kohën kur familja ime bashkë me të gjithë Shqiptarët e tjerë kalonin nga një jetë me marrëdhënie pothuajse plotësisht brenda komunitetit shqiptar në një integrim gradual në shoqërinë belge. Ndërkohë që të rriturit shqiptarë hasnin në vështirësitë ndër më të mëdha për të gjetur mjetet e jetesës me mallin e madh për vendin e origjinës dhe momente të vështira, çuditërisht ne, fëmijët e lindur në mërgim, gëzonim një jetë të gëzueshme. Përditë vinin fëmijë shqiptarë në shtëpinë tonë ose shkonim te ndonjë familje Shqiptare ku gjenim fëmijë të tjerë për të luajtur. Për më tepër që unë jam më i vogli i vëllezërve dhe motrave të mi dhe s’mbaja pothuajse asnjë përgjegjësi.

Për këtë arsye, kontaktet e para të mia me jetën jashtë komunitetit shqiptar dhe familjes time nuk ishin aq edhe të këndshme duke pasur parasysh që marrëdhëniet ndërmjet belgëve ishin shumë më të ftohta dhe sipërfaqësore. Nuk përjashtohen dhe disa raste, por të rralla, kur ndjeheshim të diskriminuar. Në vija të përgjithshme, integrimi nuk ka qenë i rëndë dhe mundësitë ekzistojnë aq sa të kesh vullnet.

Cila ishte puna juaj e parë dhe në cilin profesion?

Pas një eksperience 2 vjeçare në një qendër koordinimi financiar për një firmë të fuqishme në sektorin e veshjes së pjesës së brendshme të automjeteve, fillova punë në sektorin e këshillimit dhe nxitjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, ku punova për gati 15 vjet me shumë pasion. Njëkohësisht fillova të merrem me politikën lokale.

Si ishte rrugëtimi juaj drejt Parlamentit të Brukselit?

Eshtë një pune disavjeçare në ndihmë qoftë të personave të komunitetit shqiptar qoftë të atyre të komuniteteve të tjera të pranishme në Bruksel që kurorëzohet me këtë sukses.

Gjatë gjithë këtyre 15 viteve ku unë kam qenë aktiv në fushën le të themi publike kam qenë në kontakt direkt me shumë qytetarë për lloj lloj problemesh, kërkesash, organizimesh apo eventesh. Angazhimi im për t’ju përgjigjur me përkushtim këtyre të fundit ka qenë vendimtar në krijimin e besimit tek njerëzit se do të mund të jem një perfaqësues i denjë në Parlamentin e Brukselit.

Kam kandiduar për herë të parë në zgjedhjet lokale në vitin 2006 ku mora menjehere mandatin në këshillin bashkiak. Në 2009 kandidova për herë të parë për parlamentin e Brukselit por atehere më munguan rreth 160 vota për të marrë mandatin. Me shtimin e numrit të Shqiptarëve dhe ndërgjegjësimin më të madh të tyre për nevojen e marrjës së një mandati sikundër komunitetet e tjera të huaja, më 2014, arritëm të futet për herë të parë në Belgjikë, por jo vetëm, një Shqiptar si deputet.

Prej më shumë se 15 vitesh ju keni këshilluar shumë biznese…na flisni pak më shumë mbi klimën e Biznesit në Belgjikë. A ka konkurrencë dhe a ka paragjykime mbi të qenit shqiptar i suksesshëm në Bruksel?

Si për çdo shtet të avancuar europian kuadri ligjor dhe infrastruktura janë me nivele të larta, çfarë krijojnë kushte të mira për biznesin. Programet nxitëse për biznesin dhe financimet e disponueshme janë shumë të favorshme. Në të njëjtën kohë, konkurrenca është e madhe dhe niveli i pagesave për sigurimin shoqëror dhe të tatimeve është shumë i lartë. Prandaj, duhet bërë një studim i detajuar për të patur sukses në fushen e biznesit në Belgjikë. Paragjykime mbit ë qenit shqiptar ekzistojnë por nëse ia del që të jesh i suksesshëm me biznesin tënd, kjo vlerësohet shumë pozitivisht nga Belgjika.

Çfarë vlerësoni ju tek vetja dhe çfarë vlerësojnë të tjerët tek ju?

Tek vetja vlerësoj punën dhe vullnetin për të qenë gjithmonë në shërbim të komunitetit pa arrogancë dhe me përkushtimin më të madh. Të tjerët mendoj unë, vlerësojnë vazhdimësinë në punën për komunitetin dhe mundësinë që jap për të më takuar dhe për qarë hallin e tyre dhe faktin që jam mes tyre duke ndjerë të gjitha ato që ndjejnë ata vetë si komunitet.

Çfarë ju ka motivuar më shumë në rrugën tuaj drejt suksesit? Ku gjeni mbështetje në momente të vështira?

Duke pasur parasysh vullnetin e madh që kanë patur të parët tanë në Belgjikë për të përmirësuar jo vetem kushet e tyre individuale por gjithashtu për të realizuar vepra me përfitime kolektive; si për shembull hapjen e shkollave me mësim plotësues në gjuhën shqipe; këto më kanë shërbyr si motivim që të arrij dhe të jem i dobishëm për të tjerët. Ndërsa, familja, në veçanti Nana, është mbështetja më e fuqishme në jetën time.

A njihni sipërmarrës te tjerë shqiptarë të cilët punojnë në Belgjikë? Janë të suksesshëm? Kanë shqiptarët ndonjë karakteristikë të cilës mund ti atribuohet suksesi në biznes?

Shqiptarët në përgjithësi njihen si biznesmenë të suksesshëm për shkak se janë shumë dinamik. Kështu njihen këtu. Shqiptarëve u mungojnë modelet e bizneseve të suksesshëm për t’i aplikuar vetë. Biznesmenët Shqiptarë janë të përqëndruar në disa sektorë ku janë realisht të suksesshëm. Është e nevojshme t’u prezantohen modele të tjera që të zgjerojnë fushen e veprimit dhe të lançojnë biznese në sektorë edhe më të leverdizshëm.

Ju jeni anëtar i Unionit të Biznesit Shqiptar në Belgjikë. Çfarë pretendoni të arrini me këtë angazhim ?

Unë jam zgjedhur kryetar i Unionit të Bizneseve për Beneluks. Prentendimi është që t’i evidentojmë të gjitha bizneset që drejtohen nga Shqiptarët dhe t’i anëtarësojmë në Unionin tonë që të krijojmë një fuqi vepruese si për vetë bizneset e rrjetit, për t’i përforcuar ato me këshilla, formacione dhe seminare dhe për t’i bashkëlidhur ato në projekte investimi në Beneluks dhe në vendet tona.

Kemi qëllimin gjithashtu që të krijojmë kontakte me firma të Beneluks-it, që të krijojmë panele investitorësh për në vendet tona.

Mbështetja e aktiviteteve kulturore shqiptare dhe promovimi i turizmit në Shqipëri, Kosovë dhe trevat tjera Shqiptare janë dhe dy qellime të rëndësishme për neve.  

Kosova apo Shqipëria, a kanë vëmendjen tuaj si potenciale për investime? A është momenti tani apo ende nuk ka ardhur një moment i duhur për investime? Çfarë mendoni se mungon dhe çfarë mund të përmirësohet?

Iniciativa e themelimit të Unioneve në 18 vende të botës është një inisiativë e Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës me mbështetjen e donatorëve të huaj.

Së fundmi në takimin vjetor të mbajtur në Shqipëri dhe Kosovë, kemi marrë mbështetjen e autoriteteve politike më të larta të vendeve tona. Ajo që kërkohet më shumë është, që investimet që bëhen të kenë sigurinë dhe të mos varen nga politika e ditës.

Kërkohet që të mos ketë pengesa administrative e burokratike dhe që të luftohet korrupsioni në të gjitha nivelet e administratës dhe të politikës. Akoma ka mbetur përshtypja se bizneset mund të kërcenohen nga hallkat më të errëta të shoqërisë shqiptare. Shumë gjëra kanë evoluar në drejtimin e duhur por ngelet akoma për të bërë që investitori të ndjehet i sigurtë dhe i qetë për të investuar në Shqipëri e Kosovë.

-Ju faleminderit për kohën.

– Shumë faleminderit për intervistën dhe përfitoj nga rasti të përshëndes lexuesit e revistës suaj

Read More
1-1

Qielli është i vetmi limit për astronomen shqiptare

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet shpeshherë edhe përballë diçkaje të pazakontë, siç është fusha e astronomisë. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë se sa Pranvera Hyseni, astronome shqiptare, me ambicie të mëdha, shkruan albinfo.ch.

Ajo bëri shumë “zhurmë” në Kosovë për arritjet e saj dhe çmimet e fituara si astronome.

Ani pse e lindur dhe e rritur në Kosovë, me mundësi dhe mjete jo të mira për astronomi, nuk e ndaloi së realizuari ëndrrën e saj.

Që në moshë të re kishte tërheqje ndaj fushës së astronomisë, duke u “zhytur” thellë në gjithësi, se një ditë ka për t’u bërë një studiuse astronomike, shkruan tutje albinfo.ch.

Sheti i Kosovës nuk ka ofruar mundësi njohjeje me fushën e astronomisë dhe vazhdon ende të ketë mungesa mjetesh për këtë lëmi.

Pavarësisht kësaj, Pranvera, edhe pse në moshë të re, pasionin që kishte për astronomi, bëri që në janar të vitit 2015 të themelojë organizatën “Astronomy Outreach Kosova”, bashkë me disa profesorë dhe një numër të rinjsh të apasionuar pas astronomisë.

“Në fillimet tona, ne kemi startuar në mënyrë amatore, me disa teleskopë që kemi siguruar si donacion nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Përmes këtyre pajisjeve, jemi munduar të realizojmë aktivitete të ndryshme, edukative- shkencore në shkolla të ndryshme të Kosovës, duke u dhënë një mundësi që ata të mund të vrojtojnë trupat qjellorë, diçka të re që në shtetin e Kosovës nuk ka qenë më herët”, është shprehur Pranvera në një intervistë.

Duke punuar me vullnetin e mirë, ky grup i të rinjve realizoi organizatën joqeveritare “Astronomy Outreach Kosova” që për pak kohë arriti të bëhet e njohur ndërkombëtarisht edhe nga figurat e njohura shkencore, që tani janë duke gëzuar mbështetje maksimale në të gjitha format.

Teleskopët e parë në këtë organizatë erdhen nga Shtetet e Bashkuara dhe sigurimi i pajisjeve ka qenë shumë e rëndësishme për këtë organizatë, shkruan albinfo.ch.

Pranvera është themeluese dhe drejtoreshë e “Astronomy Outreach Kosova”, program me më shumë se 200 pjesëmarrës që punon për të ngjallur interesim për astronominë mes fëmijëve në gjithë Kosovën. Duhet theksuar se shoqata gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë.

Vlen të cekët se kjo organizatë është programi më i lartë për shpërndarjen dhe popullarizimin e astronomisë në Kosovë.

Në vitin 2020 Pranvera filloi studimet në Shtetet e Bashkura të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë, në Santa Claus, studime Mastër, në Shkenca Planetare, për studimin e sistemit diellor dhe planetëve të tjerë.

Ajo është edhe një promovuese e shkëlqyer e Kosovës dhe po përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të mirë me botën e saj të pasur në shumë konferenca shkencore, ndërkombëtare, duke përmendur Kosovën dhe duke siguruar donacione të shumta për astronomi.

Një asteroid merr emrin “Pranvera”

Një asteroid ose planet i vogël është emëruar me emrin e themelueses së “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera.

“Asteroidet janë një ndër trupat qiellorë që unë më së shumti merrem me ta dhe i fotografoj. Shpeshherë asteroidet emërohen sipas personave që i zbulojnë apo ata që japin një kontribut të caktuar në shkencë. Kjo ka qenë një nder jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën” sepse është votuar nga të gjithë astronomët”, shprehet ajo.

Në faqen e Unionit Ndërkombëtar të Astronautëve, Pranvera përshkruhet si një përfaqësuese entuziaste e Kosovës në Astronomi.

Përvoja në NASA

Pranvera, përveç tjerash, ka vizituar edhe Departamentin e shkencave në Cyrih të Zvicrës, madje pa nga afër shkëmbin hënor të sjellë nga NASA në Milano të Italisë, ku pati rastin të takojë dhe të bisedojë me shumë ekspertë të astronomisë, shkruan albinfo.ch.

Në atë kohë, me ftesë të Robert Rives, Pranvera Hyseni mbajti një fjalim para shumë astronautëve dhe shkencëtarëve të NASA-s në konventën shkencore Spacefest 2017 në Arizona.

Hyseni ka përfaqësuar Kosovën denjësisht në tubime dhe konferenca të shumta shkencore anembanë botës. Ajo ka vizituar qendrat e NASA-s, SpaceX dhe Northrop Grumman, qendra astronomike.

Për të ka qenë shumë interesante të shihet gjithë ajo teknologji amerikane në institutin NASA. Sipas saj, shteti amerikan e vlerëson shumë edukimin, jo vetëm të astronomisë, duke zotëruar të gjitha mundësitë, prandaj edhe ka filluar studimet pikërisht në këtë vend.

Fituese e çmimit “Michael D. Reynolds”

Në vitin pandemik, Pranvera nuk reshti së punuari. Për angazhimin e saj u nderua me çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë, shkruan tutje albinfo.ch.

Çmim ky, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

Duhet theksuar se organizata në fjalë ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në shtetin e Kosovës.

“Qielli është limiti për Pranvera Hysenin”

Read More
maudet45

Politikani zviceran, Maudet për integrimin e shqiptarëve: Të angazhuar për të investuar në shoqërinë e Gjenevës

Komuniteti shqiptar është i integruar më së miri në shoqërinë zvicerane, deklaron në një intervistë politikani liberal zviceran, Pierre Maudet.

”Mendoj se komuniteti shqipfolës është integruar mirë në Gjenevë dhe kjo që në fillim të viteve ’90, në një periudhë kur kishim një perceptim mjaftueshëm homogjen. Në atë kohë, kemi krijimin e Universitetit Shqiptar, që ishte një vektor i rëndësishëm integrimi. Pastaj, pak e nga pak, ky integrim ndodhi realisht. Kur isha kreu politik i policisë, për herë të parë, u ndesha me të rinj, mbiemri i të cilëve kishte origjinë shqipfolëse. Pra, shoqatat e lidhura me integrimin, pak e nga pak, humbën rëndësinë e tyre dhe, gjatë një faze të dytë, kur isha kreu i integrimit, kërkuam të mbështesim dhe forcojmë marrëdhëniet me kulturën e origjinës”, thotë ai për Atsh.

Maudet, i cili ka qenë edhe kryetar i bashkisë së Gjenevës, thekson se shumë përfaqësues të këtij komuniteti kontribuojnë edhe në jetën politike të vendit të tij.

”Ka më shumë të angazhuar për të investuar në shoqërinë e Gjenevës, veçanërisht në botën politike. Ka persona që janë zgjedhur në parlament, në parlamentin e kantoneve ose parlamentin komunal. Për këtë arsye, dallimi për nga origjina është gjithnjë e më pak i rëndësishëm… Komuniteti shqipfolës është i integruar mirë, kështu nuk është më e nevojshme që të perceptohet si një grupim i veçantë”, thotë Maudet në intervistë.

Lidhur me marrëdhëniet me diasporën, Maudet, i cili shkruan rregullisht edhe në gazetën ”Blick”, thotë se ”unë kam shumë miq shqiptarë, sidomos për shkak të funksioneve të mia, të kontakteve me përfaqësuesit diplomatikë, kryesisht konsullorë, të vendeve të Ballkanit, padyshim edhe nga Kosova, një komunitet mjaft i përfaqësuar në Gjenevë. Kam marrëdhënie me shumë mjedise shoqatash, që kanë tituj të ndryshëm, histori të ndryshme dhe që kanë kontribuar me integrimin e komunitetit shqipfolës në Gjenevë”.

Për më tepër, vijon ai, kam patur shansin, nëpërmjet funksioneve të mia, si kryebashkiak i Gjenevës apo si këshilltar Shteti, që të kem punonjës me origjinë nga Kosova nëpërmjet të cilëve këto marrëdhënie janë zgjeruar.

Pierre Maudet, i njohur nga komuniteti shqiptar për shumë projekte, si ai ”Papirus”, është kandidat për Këshillin e Shtetit në kantonin e Gjenevës.

“Mbeta mjaft i kënaqur me rezultatet e raundit të parë, sepse, pavarësisht që nuk bëj pjesë në asnjë parti, gjë që konsiderohet si pengesë e madhe, arrita të mbledh rreth 23% të elektoratit, nën një listë të emëruar “Liri dhe drejtësi sociale”, që është një listë shumë e madhe dhe e gjerë”, shprehet ai.

Lidhur me projektin e tij “Papirus”, projekt i nisur në 2017, Maudet shprehet se “objektivi është të rregullojë situatën e personave pa dokumente, të ardhur veçanërisht nga Amerika e Jugut, por sigurisht, për shembull, edhe nga Ballkani. Ai bën të mundur që ata që jetojnë paqësisht prej dhjetëra vitesh, shpesh familje, kontribuojnë në ekonomi, por nuk ekzistojnë ligjërisht, të mund të njihen, të kenë një status, të paguajnë taksat dhe tatimet dhe të jetë tërësisht të integruar në komunitetin tonë”.

Read More
yhty

Ndjenja kur ndodhemi në mes ‘luftës ose ikjes’

Lufta ose ikja është një reagim automatik fiziologjik ndaj një ngjarjeje që perceptohet si stresuese ose e frikshme. Përceptimi i kërcënimit aktivizon sistemin nervor simpatik dhe shkakton një përgjigje akute të stresit që përgatit trupin për të luftuar ose ikur.

Këto përgjigje janë përshtatje evolucionare për të rritur shanset për të mbijetuar në situata kërcënuese. Aktivizimi tepër i shpeshtë, intensiv ose i papërshtatshëm i luftës ose ikjes është i implikuar në një sërë kushtesh klinike duke përfshirë shumicën e çrregullimeve të ankthit. Një pjesë e dobishme e trajtimit për ankthin është një kuptim i përmirësuar i qëllimit dhe funksionit të luftës ose reagimit të ikjes. Kjo fletë informacioni për klientin përshkruan pasojat trupore të luftës ose reagimit të ikjes.

Ndodhja në një situatë midis luftës dhe ikjes shoqërohet me aktivizimin e sistemit nervor. Reagimi zinxhir i sjellë nga lufta ose reagimi i ikjes mund të rezultojë në efektet e mëposhtme fizike.

Sistemi i trupit, efekt fiziologjik pasoja:

  • rritja e rrahjeve të zemrës;
  • zgjerimi i enëve të gjakut- rritja e rrjedhës së gjakut;
  • rritja e disponueshmërisë së oksigjenit dhe energjisë në zemër;
  • rritja e ritmit të frymëmarrjes- rritja e disponueshmërisë së oksigjenit në gjak;
  • rritja e disponueshmërisë së glukozës në muskujt skeletor dhe qelizat e trurit;
  • lëkura bëhet e zbehtë ose skuqet kur fluksi i gjakut zvogëlohet.

Përgjigjet psikologjike

Përveç reagimeve fiziologjike ekziston edhe një përbërës psikologjik për të luftuar apo ikur. Reagimet automatike përfshijnë një përshpejtim të mendimit dhe një përqendrim të vëmendjes në shënjestra të dukshme siç janë burimi i kërcënimit dhe rrugët e mundshme për t’u arratisur. Përgjigjet dytësore psikologjike mund të përfshijnë vlerësime në lidhje me kuptimin e reagimeve të trupit. Për shembull, pacientët me çrregullim paniku shpesh keqinterpretojnë situatën kur ndodhen në mes të luftës apo ikjes shenja të katastrofës së afërt.

“Unë kam një sulm në zemër”, “Nëse kjo vazhdon unë do të çmendem”.

Historia e reagimit të luftës apo ikjes

Ndjenja e luftës apo e ikjes u përshkrua fillimisht nga fiziologu amerikan Walter Bradford Cannon në librin ”Ndryshimet trupore në dhimbje, uri, frikë dhe inat” (1915). Ai vuri në dukje se kur kafshët u kërcënuan nga ekspozimi ndaj një grabitqari për shembull, trupat e tyre lëshuan hormonin adrenalinë / epinefrinë i cili do të çonte në një seri ndryshimesh trupore duke përfshirë rritjen e rrahjeve të zemrës dhe frymëmarrjes. Pasojat e këtyre ndryshimeve janë rritja e rrjedhës së oksigjenit dhe energjisë në muskuj. Interpretimi i Canon për këto të dhëna ishte se kishte funksione emergjente të këtyre ndryshimeve. Ai vuri në dukje se ato ndodhën automatikisht dhe ato shërbenin për të ndihmuar kafshën për të mbijetuar në situata kërcënuese duke përgatitur trupin për luftë ose vrapim.

Një kuptim më modern i ndjenjës së luftës ose ikjes reflektohet në punën e Schauer & Elbert (2010). Modeli i tyre më i përpunuar i përgjigjeve fiziologjike / psikologjike / të sjelljes ndaj kërcënimit quhet ‘Ujëvara e mbrojtjes’. Ato përshkruajnë një seri fazash nëpër të cilat mund të kalojnë individët e ekspozuar ndaj kërcënimit ose traumës, duke përfshirë: ngrirjen, ikjen, luftën, frikën, dobësimin dhe të fikët.

Pse ndjenja mes luftës dhe ikjes është e rëndësishme

Përgjigjet fiziologjike që lidhen me luftën ose ikjen mund të luajnë një rol kritik në mbijetesën e situatave vërtet kërcënuese. Sidoqoftë, shumë pacientë që vuajnë nga çrregullime ankthi ose gjendje të tjera mund të kenë sisteme kërcënimi që janë bërë tepër aktivë, ose që nuk baraspeshohet mjaftueshëm nga aktiviteti në sistemin nervor parasimpatik.

Praktikisht, shumë pacientë që vuajnë nga ankthi do të përfitojnë nga një kuptim më i thellë i ndjenjës së luftës ose ikjes. Për shembull, pacientët me sulme paniku ose çrregullime paniku shpesh keqinterpretojnë shenjat trupore të lidhura me luftën ose ikjen si shenja të katastrofës së afërt dhe të kuptuarit e luftës ose ndjenjës së ikjes është pra një teknikë e dobishme.

Në mënyrë të ngjashme, pacientët me çrregullime të stresit post-traumatik mund të gabojnë në zgjimin e rritur fiziologjik si një tregues se ekziston një kërcënim i mirëfilltë: të kuptuarit më shumë rreth luftës ose ikjes mund t’i ndihmojë ata të ndihen më të sigurt dhe të zbatojnë relaksimin dhe tokëzimin strategjitë./ psychologytools

Read More
rights

Të drejtat që nuk qëndrojnë dot drejt

Të drejtat e njeriut janë një nga togfjalëshat më të përdorur në Shqipëri që prej ndryshimit të sistemit politik, 30 vjet më parë. E njëkohësisht, një nga togfjalëshat më të panjohur dhe të pakuptueshëm. Të rinjtë nuk marrin mundimin ta analizojnë.  As të vjetrit. Pothuajse askush. Edhe ata që i  shkruajnë, edhe ata që punojnë me to, edhe ata që i votojnë. Të drejtat e njeriut janë fenomeni më abstrakt në shoqërinë shqiptare.

A keni parë ndonjë përpjekje të qeverisë për t’u shqetësuar për këtë mosekzistencë ?  Përkundrazi, aty ku ka pasur rast për të dhënë shëmbullin e një qeverie që shqetësohet për mbarëvajtjen e individit, kemi parë të kundërtën: dhunë policore përtej kompetencave, fjalor ofendues pa shkak, zemërim dhe hakmarrje individuale në zyrat e shtetit, përbuzje dhe indiferencë ndaj të varfërve nga sportelet e zyrave. Edhe ato përmirësime që janë bërë, kanë ardhur pas vitesh të gjata e të lodhshme të përpjekjeve të disa grupeve, ose të detyruara nga urdhërat që japin ndërkombëtarët. Dhe pastaj, impozohet me gjoja elegancë nëpër takime zyrtare, TV apo media sociale për të treguar se populli respektohet.

A keni parë ndonjë përpjekje të shoqërisë për t’u shqetësuar për këtë mosekzistencë ? Shumë pak. Fatkeqësi historike është që të drejtat e vetes shqiptari i njeh pak ose aspak për shkak të periudhës denigruese të komunizmit shumë vjeçar nga u trashëgua edhe mungesa e dinjitetit dhe respekti për veten. Kjo histori e trishtë mund të ishte e kuptueshme për dhjetëvjecarin e parë pas ndryshimeve. Por, nuk ka ndodhur kështu. Duket sikur sa më shumë kalon koha, aq më shumë ne sofistikuam gënjeshtrën dhe fallcitetin….dhe dembelizmin.  Po ndodh tek të gjithë. Qeveria sigurisht ka përgjegjësinë më të madhe, por mungesa e reagimit të shoqërisë, sidomos të të rinjve për të qene qytetarë të shqetësuar, janë pengesat më të mëdha që cënoinë edhe konceptin, edhe kuptimin e të drejtave tona. Dhe kështu ne, mbajmë peng vetveten.

Të rinjtë nuk i njohin mirë të drejtat sepse nuk ka menduar askush t’ia u mësojë ato që në fëmijëri. Edhe tekstet e pakta me metodologji të varfër, janë të pamjaftueshme ndërkohë që realiteti i përditshëm iu tregon çdo ditë të kundërtën: ajo që është e drejtë-luftohet, e gabuara-pranohet. Ata frymëzohën përkohësisht kur dëgjojnë një leksion të mirë, apo kur njohin një personazh sfidant.  Për fat të keq ky frymëzim mbaron shpejt, sapo dalin nga ajo kuvli shpresëdhënëse. Të pajisur me këtë lloj frymëzimi, jashtë kësaj kuvlie, ndjehen qesharakë.

Aktualisht, ka vetëm një debat të rastësishëm, që po i bën disa të rinj të ndërgjegjësohën për këtë realitet të mjerë. Por debati është kaq i vogël, sa asnjë, askush nuk merr më mundimin të bëhet idealist. Idealizmi është një term i vjetër dhe qesharak tek shqiptarët. Dhe as të rinjve nuk iu pëlqen më. Nuk iu pëlqen as protesta e organizuar, nuk iu pëlqen as të merren me të kaluarën për të kuptuar shkaqet e vërteta të pasivitetit të tyre, nuk duan ta vrasin mendjen shumë…në fund të fundit një rrugëdalje e kanë: largohen me pak para dhe ëndrra në xhep – bota ka ende ca vende ku ata mund te pranohen.

Po le të kthehemi tek debati…të paktën le të jetë ai në vend të bëmave të mëdha që ndonjëherë të rinjtë vetë apo edhe të tjerët presin prej tyre. Debati do t’i mësojë të analizojnë, të mendojnë thellë, të gjejnë arsyet se përse ndodh kjo – përse në një vend që kishte shanse të mëdha të riparonte veten nga mizerja e diktaturës, kjo nuk ndodhi. Sepse, fatkeqësisht, nuk ka analizë për faktet. Mjafton një filxhan kafeje e zgjatur në një lokal sa më luksoz dhe sa më të ekspozuar në sytë e të tjerëve – kënaqësi e vogël dhe e panevojshme, ndërkohë që koha kalon dhe fakti  se të drejtat tona nuk kanë bosht që t’i mbajë drejt, janë nën përgjegjësinë e të gjithëve.

Read More
gjuha

Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombin

Standardizimi i një gjuhe nënkupton procesin e normëzimit (vendosja e rregullave), ndërkaq gjuha standarde thjesht është rezultat i këtij normëzimi. Pas normëzimit, standardi ’shkëputet’ nga baza e tij dialektore, bëhet një lloj autonom i gjuhës, i cili zhvillohet sipas ligjeve të veçanta dhe ndërtohet si një instrument mbidialektor i qytetërimit dhe kulturës së një bashkësie shoqërore, zakonisht në rangun e kombit, gjë për të cilën niveli i lartë i njësimit, i homogjenizimit, bëhet një nga karakteristikat e tij themelore.

Për këtë arsye asnjë gjuhë standarde nuk mund të barazohet me bazën e vet dialektore dhe aq më pak me ligjërimin popullor të përditshëm në përgjithësi. Kjo do të thotë që nuk mund të flasim për një ’gjuhë të pastër popullore’ që do të kishte shërbyer si model për t’u ndjekur në zhvillimin e kulturës së gjuhë.

Me standardizimin e saj, gjuha shqipe ka arritur një stad të lartë të zhvillimit të vet dhe njëkohësisht edhe realizimin e synimit të pritur për t’u bërë element lidhës i kombit. Përveç autonomisë dhe normëzimit, shqipja standarde karakterizohet edhe nga shumëfuknsionaliteti (mundëson shprehjen e të gjitha diturive – stilet e gjuhës), stabiliteti hapësinor (mundëson komunikim mes folësve që vijnë nga territore të ndryshme) dhe nga stabiliteti kohor (mundëson elasticitet – edhe pse pëson ndryshime e ndikime, nuk rrënohet).

Kultura e gjuhës e çdo individi varet nga niveli i njohjes së normës së gjuhës standarde dhe paraqet tërësinë e përpjekjeve të vetëdijshme që bëhen për të respektuar normën e gjuhës standarde në komunikimin publik, të shkruar a të folur, zyrtar a jozyrtar. Në këtë mes kanë rëndësi dy kategori që quhen në sociolinguistikë qëndrimi (qëndrimi i folësit ndaj standardit, e pranon ose nuk e prnon) dhe sjellja (në ç’masë ligjërimi i shkruar e i folur i dikujt është në pajtim me standardin). Zotërimi i gjuhës standarde, formimi i shprehive të përdorimit të vetvetishëm të standardit nuk është proces i lehtë dhe kërkon kohë, kujdes e vëmendje.

Në rastin e gjuhës shqipe, vetëdija për rëndësinë e zotërimit dhe zbatimit të standardit e tejkalon kornizën gjuhësore dhe shkon përtej. Mund të themi pa ngurrim se sot qëndrimi i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës standarde që kemi në përdorim është miratues, pohues. Gjuha standarde askund e as në shoqërinë shqiptare nuk i mohon varietetet e tjera krahinore-dialektore të ligjërimit të përditshëm familjar e bisedor, të cilat me vlerat e tyre, sidomos stilistike e pasurojnë standardin e çdo gjuhe.

Sfera kryesore e përdorimit të gjuhës standarde është përdorimi publik, ku përfshihen të gjitha llojet e veprimtarive admistrative, arsimore, shkencore, kulturore, mediatike. Mediat sot ushtrojnë ndikim të gjerë për përhapjen e standardit, për krijimin e modelit të bukur e të mirë të gjuhës shqipe (Gjuha jonë sa e mirë …). Nga ana tjetër shkujdesja gjuhësore e mediave lë pasoja të dëmshme.

“Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombi” është çka Arbër Xhaferri pohonte dhe është motivimi i këtij shkrimi, është një mendim i thellë që aludon në mbrojtjen e kohezionit kombëtar. Prirjet për mosrespektim dhe nëpërkëmbje të shqipes standarde bartin në vete pasoja të rrezikshme në drejtim të shpërbërjes gjuhësore që pa dyshim mund të prodhojë edhe shpërbërje në plane të tjera.

Shqipja standarde jeton bashkë me ne pothuaj gjysmë shekulli dhe pikërisht ajo na e ka lehtësuar komunikimin, edukimin, zhvillimin duke dëshmuar kështu se arrin t’i përmbushë me sukses kriteret e nevojshme për një gjuhë standarde. Aq më tepër ajo arriti të bëhet gjuhë edhe e vlerave të mirëfillta të krijimtarisë artistike.

Shqipja standarde në kontekstin e dallimeve tona rajonale, shtetërore e fetare përbën një bosht të fortë bashkimi, kështu që vetëdija për vlerën dhe rëndësinë e saj jo vetëm që nuk duhet të mungojë, por ajo duhet të nxitet dhe të inkurajohet.

Read More
ulpiana-1

Pasuritë kulturore të Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës ka një trashëgimi të pasur kulturore, vende të panumërta që pasqyrojnë ndikimin e historisë dhe trashëgiminë kulturore mund t’i gjesh posaçërisht në pjesët jugore dhe perëndimore të Kosovës sikurse është Rajoni i Dukagjinit, qyteti i Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit.

Fortesa të vogla, sikurse “kullat” shqiptare, mullinjtë dhe urat, xhamitë, kishat katolike dhe ortodokse, hamamet turke, kështjellat dhe vendbanimet arkeologjike paraqesin të gjitha aspektet e historisë së pasur të rajonit.

Vendi gjithashtu përmban një trashëgimi të pasur etno-kulturore, materiale dhe shpirtërore me një shumëllojshmëri të periudhave historike duke u shquar për peizazhin e saj kulturor, arkitektonik, dhe gjeografik.

Karakteristikat unike të Kosovës, tiparet dhe kualitetet pasqyrojnë arritjet e banorëve të saj në të kaluarën sikurse të Ilirëve, Bizantinëve, Helenëve, Romakëve, të Perëndimit, të Lindjes, dhe të Otomanëve.

Ju sjellim disa nga vendet historike dhe kulturore të Republikës së Kosovës.

Muzeu Etnologjik – Prishtinë

Ky monument është i kategorisë “Arkitekturore”, dhe ndodhet në kompleksin Emin Gjiku në Prishtinë, një monument i kulturës i cili daton që nga shekulli i 18-të.

Në muze janë të ekspozuara mjetet dhe artikujt që lidhen me stilin e jetesës nga periudha e kohës osmane në Kosovë.

Kështjella e Artanës (Novobërdës) – Artanë

Në një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Krivarekës, rreth 30-35 kilometra në perëndim prej Gjilanit dhe rreth 39 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, ruhen rrënojat e qytetit dhe fortesës mesjetare të Artanës (Novobërdës).

Kalaja ka pasur funksion të mbrojtjes gjatë periudhave të ndryshme dhe ndërtimi i saj i takon tipit fortikatë.

Xhamia “Bajrakli” – Prizren

Xhamia e Bajraklisë gjendet në qendër të qytetit të Prizrenit.

Ndryshe ky objekt religjioz njihet edhe si xhamia e “Gazi Mehmed Pashës”, një ushtarak i lartë i perandorisë së dikurshme osmane.

Ajo është ndërtuar mes viteve 1573-1574  dhe shtrihet në një sipërfaqe të tërësishme prej 1907 metra katrorë, nga e cila brendësia e xhamisë shtrihet  në 771 metra katrorë dhe oborri i cili zë sipërfaqe prej 1.136 metra katrorë.

Ura e Gurit – Vushtrri

Ura e Vjetër e Gurit gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit. Në të kaluarën kjo urë lidhte fshatrat rreth Çyçavicës me qytetin e Vushtrrisë dhe nëpërmes Grykës së Klysyrës e lidhte Rrafshin e Kosovës me rajonin e Drenicës.

Ura është ndërtuar nga blloqet e gurit, të cilat me gjasë janë marrë nga kodrinat e qytetit antik të Lumkuqit dhe të Martirajt të Epërm.

Gurët janë të gjatë rreth një metër dhe të trashë 30 deri në 40 centimetra, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele. Ura me pjesët shtesë anësore, (të cilat si duket janë ndërtuar më vonë), është e gjatë 135 metra, e ngritur mbi nëntë harqe.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit – Prizren

Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbanistike dhe arkitektonike në aspektin hapësinor shtrihet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prizrenit dhe ka vlerë të veçantë kulturore, historike, arsimore, shoqërore dhe ambientale.

Ky kompleks i cili gjendet në mes të lumit Lumbardhi i Prizrenit, Kompleksit të Marashit (Mësonjëtorja – Dersëhanja), Rrapit të Marashit, dhe shpateve të Kalasë së Prizrenit,  është i formësuar në përdhese dhe në kat. Kati del në formë konzolle në drejtim të fasadës lindore dhe trajtimi i fasadës është linear, me disa hapje në formë drejtkëndëshe dhe kulm katër ujor.

Sahat Kulla – Prishtinë

Sahat Kulla është ndërtesë me vlera kulturore, historike dhe arkitekturore e ndërtuar në shekullin XIX.

Kjo ndërtese është me bazë gjashtëkëndëshe. Lartësia e saj është 26 metra, e murosur me gurë deri në lartësinë 16.5 metra dhe me tulla të plota në pjesën tjetër të ndërtesës. Konstruksioni i kulmit është prej druri të mbuluar me plumb.

Në të gjitha fasadat ka hapje të vogla harkore. Këndet e ndërtesës janë të ndërtuara me gurë të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse sipërfaqet në mes janë të ndërtuara me gurë të parregullt të lidhura dhe të suvatuara gjithashtu me atë lloj llaçi. Në brendi gjenden shkallët rrethore, në të cilat janë të vendosura pllaka të gurëve (rrasa) me trashësi prej tre centimetrash.

Varri i Sulltan Muratit – Kastriot

Varri apo tyrbja e Sulltan Muratit është vepra më e vjetër e arkitekturës osmane e cila gjendet në fshatin Mazgit, komuna e Kastriotit.

Planimetria e kësaj ndërtese e ka formën e katrorit të mbuluar me kupolë prej tullave, kurse parahyrja mbulohet me një kupolë të vogël e cila mbështetet në katër shtylla me bazë rrethore, të formuara prej blloqeve masive të gurit të gdhendur.

Ndërtesa ka sistem të murosjes masive: mure të kombinuara nga tullat dhe gurët e shtrënguar me hatulla të veshura me blloqe prej gurëve ranorë. Në mure janë të vendosura tetë dritare si edhe portali i hyrjes në anën jugore i cili përfundon në formë harkore.

Tamburi është i ndërtuar me material të kombinuar: tulla në anën e brendshme dhe gurë nga ana e jashtme, ndërsa i tërë objekti në brendësi është i suvatuar deri në pjesën ku fillon tamburi.

Ulpiana – Graqanicë

Ulpiana është një monument me rëndësi i trashëgimisë kulturore në Kosovë, themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan.

Gërmimet arkeologjike kanë dhënë gjurmë të jetës para romake, dhe kanë shfaqur faktin se Ulpiana ishte një qytet ilir.

Qyteti i rrethuar me mure të gjëra deri në 3 metra dhe me nga dy kulla gjysmërrethi në çdo 27.5 metra ka trajtë të parregullt katërkëndëshi dhe zë një sipërfaqe prej 35.5 hektarë.

Manastiri i Deçanit – Deçan

Manastiri i Deçanit është ndërtuar në shekullin XIV, është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCOs.

Manastiri është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të Bjekshëve të Nemuna, dhe është rindertuar mbi themelet e një kishe të vjeter ilire nga Shën Stafeni Uroshi III i Deçanit, dajli i mbretit Millutin dhe babai i mbretit Dushan.

Ura e Terezive – Gjakovë

Ura e Terzive është një monument i trashëgimisë kulturore i vendosur në afërsi të fshatit Bishtazhin afër Gjakovës në Kosovë.

Kjo urë është ndërtuar mbi lumin Erenik, në fund të shekullit XV, dhe ishte ndryshuar në shekullin e XVIII.

Vlera arkitektonike e kësaj ure qëndron në faktin se është ndërtuar nga gurët vendas dhe përbëhet nga 11 harqe të madhësive të ndryshme, gjysmë-rrethor dhe dhjetë dritareve shkarkuese në mes tyre.

Ura është e gjatë 192.8 metra dhe gjerësia e saj është 5.1 metra, dhe mund të quhet fenomen ndërtimi për kohën kur është ndërtuar për shkak të mundësive financiare dhe pajisjeve të pakta teknologjike të asaj kohe.

Read More