Sot dita e Kongresit të alfabetit shqip
Sa herë që përmendim qytetin e Manastirit mendja na shkon te alfabeti i gjuhës shqipe.
Sa herë flasim për gjuhën shqipe në mendje na vijnë peripecitë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, të gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj; në mendje na vijnë disa nga datat më të rëndësishme që lidhen me gjuhën tonë, si: viti i Formulës së pagëzimit (1462), viti i botimit të Mesharit (1555), viti i fillimit të romantizmit shqiptar (1836), viti i alfabetit (1908), viti i hapjes së shkollës shqipe në Korcë si dhe viti i njësimit të gjuhës shqipe (1972).
Deri në shekullin e 19 shqipja u shkrua me disa alfabete. Kjo gjendje ishte jo praktike në komunikimin ndërshqiptar dhe, madje, krijonte edhe barriera psikologjike. Tejkalimi i saj është rezultat i Kongresit të Manastirit, prandaj ky kongres është ngjarje e rëndësisë së jashtëzakonshme jo vetëm në aspektin kulturor dhe arsimor, por edhe në atë politik dhe kombëtar.
Rëndësia kulturore dhe arsimore
Shqipja shkruhej me shumë alfabete. Mund ta mendohet se ç’pasoja do të të kishte vazhdimi i përdorimit të disa alfabeteve në kuptimin e komunikimit dhe të ndjenjës së përbashkësisë. Vetë fakti i njësimit të alfabetit lehtësoi komunikimin dhe u dha shtysë përpjekjeve për vetëdijesim kombëtar dhe për bërjen e shtetit. Njësimi i alfabetit dha mesazhin se jemi një komb që kemi vuajtje e gëzime të përbashkëta; që kemi synime dhe ardhmëri të përbashkët, prandaj edhe një alfabet të përbashkët; dha mesazhin se vuajtjet dhe gëzimet; fitoret dhe humbjet, synimet dhe vizionet tona do t’i shkruanim vetëm me një alfabet, sepse kështu do të fuqizohej ndërgjegjja kombëtare dhe do të fuqizoheshin përpjekjet për çlirim.
Tani më fëmijët tanë do të mësonin të njëjtat shkronja dhe kjo do t’i afronte ata kudo që jetonin.
Tani më mësuesit e shqipes nuk do të ballafaqoheshin me shumësinë e alfabeteve edhe pse shqipja dhe alfabeti i saj ende do të luftoheshin nga të huajt, por fatkeqësisht edhe nga shqiptarët e mashtruar, shikimshkurtër dhe injorantë.
Alfabeti që përdorim sot doli nga Kongresi i Manastirit. Mund të themi se shqipja ka një alfabet, edhe pse jo ideal, të lehtë në përdorim, të thjeshtë në të shkruar dhe praktik në botime.
Kongresi mori vendim edhe për ngritjen e shtypshkronjës shqipe në Manastir, e cila shumë shpejt u bë e njohur në mbarë vendin për përhapjen dhe shpërndarjen e librave dhe gazetave shqipe.
Pas Kongresit dhe mbështetur në vendimet e tij u hapën shkolla të reja shqipe dhe u fuqizuan përpjekjes për përhapjen e arsimit shqip dhe kulturës shqiptare, si dhe u arrit të futet mësimi shqip në disa shkolla fillore ku mësimi zhvillohej vetëm në turqishte.
Rëndësia politike
Kryeministri turk Ibrahim Pasha theksonte se çështjen e alfabetit shqip Stambolli e shihte si problem politik dhe si hap të parë të shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria..
Kongresi i Manastirit dëshmoi edhe një herë se shqiptarët ishin historikisht të orientuar drejt, ishin të orientuar drejt Perëndimit; ishin të orientuar, siç thotë Naimi i madh, nga drita që lind nga perëndon. Dhe s’kishte si të ishte ndryshe. Shkronjat latine kishin traditën me të gjatë në shkrimin e shqipes, prandaj përcaktimi për alfabetin latin ishte historikisht i drejtë.
Kongresi kalon caqet e alfabetit, sepse nxori edhe shumë vendime.
Ja disa nga to:
– Njohja zyrtare e gjuhës dhe e kombësisë shqiptare;
– Mësimi në gjuhën shqipe
Rëndësia kombëtare
Në Kongres mori pjesë dija shqiptare e kohës, morën pjesë klubet shqiptare, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha vilajetet shqiptare. Kështu për disa ditë Manastiri u kthye në kryeqytetin shqiptar, ku, me gjithë temperaturat e ulëta, kishte festë madhështore ku shqiptarët, të veshur me veshje kombëtare dhe të stolisur me flamuj kombëtarë, festonin.
Në hapësirën ku jetojmë ne edhe një çështje kulturore, arsimore e madje edhe shkencore ka edhe konotacione politike. Kongresi i Manastirit gjithsesi që kishte edhe ngjyrime dhe peshë politike, prandaj u kundërshtua nga qarqe të huaja dhe vendore me arsyetime deri edhe të pakuptimta.
Një kongres që është në funksion të integrimit të një kombi gjithsesi që ka edhe rëndësi historike dhe kombëtare.
Ne kemi shumë e shumë heronj që kanë rënë për nderin dhe lirinë e atdheut. Ata mundësuan vazhdimësinë fizike të kombit. Por kombet kanë edhe anën kulturore dhe shpirtërore për të cilën kujdesen heronjtë e kulturës. Një komb mund të ekzistojë vetëm falë atyre që ia mbrojnë trupin, tokën, arsimin dhe kulturën.
Alfabeti dhe gjuha u bënë pjesë e programit të lëvizjes kombëtare kundër politikës shkombëtarizuese të Patriarkanës greke dhe të xhonturqve si dhe kundër synimeve të fqinjëve për copëzimin dhe zhbërjen e Shqipërisë.
Fryma e Kongresit të Manastirit që na dha alfabetin kombëtar u përgatit nga Rilindja Kombëtare; nga shkrimtarë që kishin krijuar në librat e tyre shtetin shqiptar edhe para se të shpallej pavarësia. Shqipëria dhe alfabeti kombëtar praktikisht u krijuan nga rilindësit.
Uniteti i alfabetit, i gjuhës dhe i kulturës kishin për qëllim të viheshin në shërbim të Unitetit të kombit…
../LOBI/