Nis aksioni humanitar “Dhuro një buzëqeshje”, i organizuar nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar
Aksioni humanitar, i përvitshëm tashmë, i organizuar nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, hapet në datën 10 Nëntor dhe do të zgjasë për një muaj.
Ky aksion, i konceptuar si një buzëqeshje dhuruar njerëzve të cilët e kanë më tepër nevojë se kushdo tjetër, është i vetmi në llojin e vetë i organizuar nga Lobi.
Nëse aksioni i shkuar iu dedikua disa shoqatave e institucioneve të përzgjedhura nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Presheva, këtë vit vjen për t’ju ardhur në ndihmë Qendrave Sociale pranë disa Bashkive e Komunave në Shqipëri e Kosovë, respektivisht Bashkisë së Lezhës, Komunës së Gjilanit dhe Komunës së Deçanit.
Numri, në dukje i reduktuar në krahasim me aksionin e vjetshëm, erdhi pas disa diskutimeve në lidhje me situatën ekonomike të rënduar të gjithë bashkatdhetarëve prej të cilëve kërkohet ndihma dhe duke mos dashur të rëndojmë askënd qoftë ekonomikisht, qoftë shpirtërisht për pamundësinë, u mendua që të reduktohet numri i përfituesve në tre Qendrat Sociale pranë Bashkive e Komunave me të cilat Lobi Euro-Atlantik Shqiptar ka arritur të nënshkruajë Memorandume Bashkëpunimi në disa sfera.
Duke qenë në kontakt me këto institucione ne u njohëm me kategoritë e vështirësive dhe njerëzve që këto Qendra trajtojnë dhe duke parë se ato përputheshin pikërisht me atë çka ky aksion pati si pikënisje, pra ndihmën ofruar fëmijëve me aftësi ndryshe, jetimëve apo familjeve që jetojnë në varfëri të skajshme, menduam se mund të bëjmë diçka për të përmbushur disa nevoja primare të këtyre njerëzve në prag të festave të fundvitit.
Jo më kot ky aksion është titulluar “Dhuro një buzëqeshje” pasi çdo monedhë e dhuruar prej nesh do të jetë një buzëqeshje në fytyrat e tyre të lodhura.
Gjithkush e ka të nevojshme që së paku një herë në vit të mos ndjehet i braktisur, por të festojë, të gëzojë, të buzëqeshë.
Dhuro dhe ti një buzëqeshje!