3o vjet më vonë
Kryeministri Edi Rama është sot në Itali për të shënuar 30-vjetorin e një eksodi historik. Atij që pati ndikim të madh në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe në jetët e një brezi të tërë shqiptarësh.
Ky rrëfim ka dy degëzime, atë të anës së errët dhe tjetrin më të ndritur, të cilat nuk mund të rrëfehen ndaras.
Eksodi biblik dhe pasojat
Fillimi ka qenë tronditës. Më 7 mars të vitit 1991, mijëra shqiptarë papritur kapërcyen detin dhe zbarkuan në portin puliez të Brindizi-t. Një numër i pabesueshëm njerëzish, të mjerë e të dëshpëruar, kërkonin strehim dhe jetë më të mirë në Itali.
Banorët e Brindizi-t, të tronditur e të prekur, e pritën me bujari turmën që u shfaq si fantazmë në portin e stërmbushur, të ardhur nga bregu tjetër i detit, jo aq i largët, por që u dukeshin si të ardhur nga një botë e panjohur, varfanjakë të paimagjinueshëm, të molisur dhe grabitur nga një regjim që i kishte sunduar me egërsi gjysmë shekulli.
Brindizi, qytet i vogël 90 mijë banorësh, i mirëpriti 27 mijë refugjatët shqiptarë, u hapi dyert e shtëpive dhe i trajtoi si familjarë!
Por, ngjarja e Brindizi-t do të ishte vetëm pararojë e një fluksi biblik emigrantësh shqiptarë, dhe jo vetëm shqiptarë, që në vitet në vijim do të vërshonin drejt Italisë!
Nga Shqipëria, mijëra refugjatë dyndeshin me anije të stërvjetëruara dhe skafe të vegjël, në përpjekje për të zbarkuar në brigjet italiane dhe shumë nga këto aventura përfundonin me tragjedi!
Para 30 vjetësh, Italia kishte gjysmë milion emigrantësh të regjistruar, sot janë dhjetëfish më shumë! Shoqëria italiane nuk e përballoi lehtë fluksin e emigrantëve shqiptarë, që do të përfshinte ndërgjegje, politikën dhe kulturën e shoqërisë italiane.
Strehimi dhe integrimi i tyre nuk ishte i lehtë, përcillej me paragjykime, përçmime, abuzime raciale.
Në gjuhën e përditshme, për një kohë të gjatë, fjala “shqiptar” për italianët ka qenë sinonim i krimit dhe dhunës. Në edicionet e lajmeve përditë dëgjohej për raste grabitjesh ose histori të dhunës ekstreme që lidheshin me emigrantët.
Ana e errët e tregimit ishte edhe fluksi i njerëzve që jo secili kërkonin fatin përtej detit, me punë të ndershme dhe djersë, por kishte edhe qarkullim të trafiqeve që pasuruan një brez të paskrupullish dhe kontrabanduesish.
Deti thithi trupat e njerëzve në kërkim të një jete më të mirë, bandat vranë njëri-tjetrin dhe lindën pasuri që, më pas, tentonin pastrimin në ekonominë shqiptare.
Transformimi i Shqipërisë
Ndërkaq, është edhe rrëfimi tjetër. Ndonëse jo aq i bujshëm dhe i përfolur, por që përfshinë qindra e mijëra njerëz të zakonshëm, të cilët kanë studiuar dhe punuar në Itali, e që vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë atje, ose janë kthyer në Shqipëri si ekspertë dhe ndërmarrës, duke kontribuar në zhvillimin e vendit.
Shqipëria, të cilën përfaqëson sot Edi Rama në Brindizi, është një vend shumë i ndryshëm nga ai i viteve të mëparshëm. Ndoshta ende nuk njihet nga shumica e italianëve, por shihet si një vend që po del nga varfëria gri, në të cilën e kishte mbyllur në të kaluarën regjimi i Enver Hoxhës.
Sot Shqipëria nuk është vendi që zinte vendin e parë të kronikës së zezë në lajmet e mbrëmjes.
Nga ana tjetër, ka edhe dyndje në drejtimin tjetër. Janë dhjetëra mijëra pensionistë italianë, që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar një pleqëri me dinjitet, dhe janë mijëra studentë, që ndjekin kurse trajnimi apo fakultetin në Tiranë. Ka tashmë edhe të rinj italianë që, edhe pse kjo duket e pabesueshme, gjejnë mundësi pune, çka u mohohet në vendin e tyre.
Tanimë nuk ka asnjë italian që të mos ketë të paktën një të njohur shqiptar, që mund të jetë kujdestari i një prindi, infermierja apo mjeku i spitalit, muratori, hidrauliku, bojaxhiu i shtëpisë, shoku i shkollës së fëmijëve, kuzhinieri, pronari i një restoranti apo kamerieri i lokalit ku shkon pasditeve për aperitiv.
Nëse ata shqiptarë që hynë në atë 7 mars, tridhjetë vjet më parë, e panë Italinë si Amerikën, sot italianët e shohin Shqipërinë si një vend mik.
Edi Rama shkon për të falënderuar njerëzit e Brindizi-t për pritjen e tyre bujare tridhjetë vjet më parë. Dhe njerëzit e Brindizi-t e presin me emocion. Ata janë krenarë për mirënjohjen ndaj tyre, për atë që bënë atëherë.
Por, ata gjithashtu, ndihen pjesë e rrugëtimit të bërë nga Shqipëria drejt zhvillimit dhe modernitetit.
Nëse Shqipëria e sotme nuk është më ajo e vitit 1991, ata mendojnë, që pjesërisht kjo është edhe falë tyre, sajë ndihmës së ofruar me shumë spontanitet ndaj një populli që po i ikte makthit.
Dhe ne vetëm mund ta mirëpresim atë akt solidariteti. Ishte një akt që, edhe pse sigurisht, nuk i zgjidhi problemet tona, na dha besim në të ardhmen dhe në një botë që nuk e njihnim, por që nga ai moment na dukej premtuese.