Category: Aktuale

244077516_410913190593398_1369459060642753558_n

Në vigjilje të çeljes së ekspozitës vetjake të piktores dhe autores Fitore Haklaj

Prej disa ditësh publiku është njoftuar për një ekspozitë pikture që do të organizohet në datën 30-31, Tetor në Gjenevë-Zvicër.

Në këtë ekspozitë artdashësit do të shohin punime të autores si dhe falë ndërthurjes së artit pamor dhe atij të shkruar që autorja i shërben, do të kenë mundësi të njihen dhe me poezinë e saj të mbledhur në tre vëllime poetike.

Fitore Haklaj ka lindur më 30.11.1973 në Deçan, shkollën fillore e kreu në Isniq, duke vazhduar të mesmen në Deçan ku vitin e fundit e kreu bashkë me shokët e shoqet nëpër oda private, për të vazhduar në Prishtinë në Fakultetin Ekonomik.

Qysh e vogël, Fitorja  adhuronte pikturën, muzikën, vallëzimin e shkrimet, duke i shpalosur këto talente të saj në aktivitete të ndryshme të organizuar nga shkolla.

Në vitin 1998 Haklaj shpërngulet në Itali, ku më shumë vështirësi filloj të bëjë një jetë larg familjes dhe vendlindjes të cilën e adhuron.

Ndoshta ky boshllëk që të lë largësia nga familja, shoqëria e atdheu i ri-zgjoi Fitores dëshirën për t’u marrë me art si e vetmja mënyrë për të shprehur ndjesitë e saja artistike. Kështu fillon të pikturojë me ngjyra vaj në beze e paralel ndjek disa kurse duke hapur rrugën e pjesëmarrjes në disa ekspozita, bashkë me kolegë të tjerë.

Gjatë këtyre viteve filloi të punojë e studiojë në Itali, ku për pesë vite punoi në Emergjencë dhe vazhdoi ta kryejë atë detyrë edhe si vullnetare për shumë vite më pas.

Viti 2015 e gjen përsëri në bankat e shkollës duke kryer studimet për asistente mjekësore.

Që prej vitit 2019 Fitorja jeton në Zvicër bashkë me bashkëshortin e dy fëmijët e saj. Pas kaq vitesh shpërnguljesh e sakrificash për ndërtimin e një familjeje dhe një jetese cilësore, duke mos i lënë asnjëherë pas dore rizgjimet herë të artit vizual e herë të atij të shkruar, Fitorja ka arritur të ketë jo diçka, por shumëçka për të na treguar duke nisur nga vullnetarizmi, piktura, poezia, dhe patjetër suksesin e të qenit grua, nënë, bashkëshorte, mikeshë e kolege.

“unë mbi të gjitha jam nënë e dy engjëjve të mi, pastaj ndihem piktore e poete, por për të arritur deri këtu është dashur një durim e sakrificë e madhe e më ndihmën e shumë atyre personave që më duan edhe i dua.

Këtu ku jam, jam falë këmbënguljes sime e përkrahjes se madhe nga familja e shoqëria. E mendoj gjithmonë jetën në pozitivitet pasi vetëm kështu  arrihen sukseset”, thotë Fitore Haklaj duke na dhënë shembullin më të mirë të një përfaqësuese të denjë shqiptare në diasporë.

Botime të autores:

“Shpirti peshon”

“Peizazh në zemër”

“Melodi vargu”

Read More
vani5380

Dy Skënderë derë për derë

Autor: Brikena Qama

Skënderi, komshija im i mrekullueshëm, dy metër burrë e shpatullgjerë. Punëtor krahu. Të vetmen karrocë me një kalë të përhimtë në qytetin tim, e kishte Skënderi e me të mblidhte mbeturinat që ne, gjitarët e tjerë kujdeseshim të prodhonim gjatë ditës. Kollën e Skënderit e ndjeje tek zbriste shkallët në orën pesë të mëngjesit dhe kështu pallati e kishte një gjel të vetin për zgjim.

Babaxhani Skënder e shtynte gjithë ditën e punës së tij me një copë bukë me djath, të mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit” por gjithë kohës e shihje të qeshte e kur kthehej nga puna i pëlqente të kthente një teke raki me tim atë. Ky i fundit ngërthehej të gjitha herët me time më kur ajo i kthehej “prapë qenke rrumbullosur zotrote?”.

Në mbrëmje, menjëherë pasi përfundonte “Emisioni i lajmeve”, nëpër murin ndarës depërtonte e gërhitura e Skënderit që niste si me telekomandë.
Ky ishte Skënder babaxhani që na sillte dhe ndonjë kokërr mollë ne kalamajve duke na u lutur mos të zihemi e mos të bërtasim në lojë.

Dera tjetër e hyrjes, veç tonës, ishte e Skënderit numër dy.

Ky ishte tjetër lloj Skënderi e jo si babaxhani i mësipërm. Ishte i gjatë por i hollë. Nuk kam mësuar kurrë se çfarë pune bënte por e shihje gjithmonë me një dosje nën sqetull. Ky lloj Skënderi hynte e delte si hije nga shtëpia dhe veshur mbante një kapardinë në ngjyrën e kalit të Skënder babaxhanit. Edhe sot përpiqem të kujtoj nëse ia kam parë ndonjëherë sytë atij njeriu. Një herë rastisi të këmbehem me të kur unë, pothuajse e shtrirë para derës së tij, isha fshehur për mos të më gjetur Ardita në lojën kukamfshehti që po luanim me kalamajtë kur ky hapi derën dhe hungëriti të largohesha që aty se e shqetësoja.

As në këtë rast nuk ia pashë sytë se unë vrapova e lebetitur e iu dorëzova Arditës.

Im atë e përshëndeste me një gjysmë “si jeni, mirë” të thënë me zor dhe atë, ndryshe nga ç’i buçiste zëri kur përshëndetej me Skënder babaxhanin, kurse ime më mbyllte sy, vesh, derë e dritare sa herë i dëgjonte të hynin e të dilnin çifti “nga na u bënë sebep këta këtu”.

Skënder babaxhani kishte katër fëmijë që ime më i sillte gjithmonë si shembull të cilin duhet të ndiqnim ne, tre fëmijët e saj, sa herë që bënim prapësira, “atyre nuk u ndihet zëri, të edukuar, të sjellshëm. Ka fëmijë bota, jo si këta edepsëza që kemi ne”.

Skënderi tjetërlloj nuk kishte fëmijë dhe as bëri ndonjëherë.

Kur ne vendosëm të largohemi nga qyteti, Skënder babaxhani piu një faqore raki me tim atë e përlotja nuk i iku nga sytë gjithë kohës që ne ngarkonim plaçkat.
Kështu u ndamë me dy Skënderat, lagjen, qytetin.

Skënder babaxhani pas disa muajsh doli në pension të parakohshëm. Kali ngordhi dhe në vend të karroës mbeturinat mblidheshin nga një makinë e bashkisë, një herë në javë edhe pse banorët kishin nisur të bluanin më tepër.

Skënderi tjetër e hoqi kapardinën në ngjyrën e kalit të babaxhanit e veshi një xhaketë lëkure ngjyrë kafe, të blerë te rrobat e dorës së dytë. Iu rrumbullakos barku, la mustaqe dhe mjekër e shkoi në gjendjen civile të qytetit e i shtoi një “BEG” emrit të vetë.

Skënder babaxhani, me emrin e gjëmëmadhit Iskander që e pati pagëzuar e ëma, pas pak vitesh mbylli sytë e shkoi të kalërojë mbi re. Të katër djemtë i ndenjën te koka deri në frymën e fundit e ai i dëndi me urata sa kishte zë e frymë.

Skënderbegu gjeti mënyrën më të mirë për të shpallur identitetin e tij të ri. Krijoi një shoqatë e dilte nëpër qytet me qylafin të cilit i kishte ngjitur dhe shqiponjën dykrenare duke u mburrur me bëmat që mendonte gjithë natën se do bënte për qytetin e banorët e listuar në dosjen e tij.

Nisi të mbajë fjalime e mësoi të qeshë duke treguar protezën e tij që zbardhonte mes tufës së qimeve të mustaqeve e mjekrrës, të vetmit detaj mashkullor që mbante tashmë në trup./Lobi/

Read More
165869834_523353939055112_3797632681708649751_n (1)

Kuvendi që solli emocione të veçanta gjatë takimit për zgjedhjen e strukturës së re të Lobit në Norvegji

🇧🇻 Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, pas kuvendeve të degëve në Greqi dhe Zvicër, mbajti kuvendin e dytë zgjedhor edhe në Norvegji.

I organizuar me platformën online ZOOM, pjesë e takimit ishin; inicuesi për themelimin e degës së Lobit Euro-Atlantik Shqiptar për Gjermani, Kemail Shaqiri, bashkëatdhetari nga Karakurt-Ukrainë, Aleksander Lekhov, kryetari i SH.K.H, Fehmi Agani në Norvegji, Besnik Ramadani, Radio Rilindja nga Oslo, Alush Balichi, Petrit Alijaj përfaqësues i degës-Itali, përfaqësues të degës –Greqi, Petrit Selmani, Majlinda Roka, përfaqësues të degës në Zvicër, Sutki Hulaj dhe Ilias Mustafi, prof. Elvis Duro, dr. Gazmend Berisha, kontribuuesi i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar nga Suedia, L iridon Sefaj, e të tjerë.

Kuvendi rrjedhi sipas agjendës në sistemin online ZOOM.

Mysafiri që i japi një ndjesi shumë të veçantë takimit, ishte shqiptari nga Karakurt-Ukrainë, Aleksander Lekhov.

Rrefimi i Lekhov rreth historikut të identitetit, dëshires së flakët tij për të ruajtur vlerat dhe kulturën e shqiptarëve në Ukrainë dhe kënga e shprehur nga thellësia e zemrës tij  “Moj Shqipëri moj nëna ime”,  ishin aresyet që bënë me lot shumicën e pjesmarrësve.

Aleksander Lekhov pranoi që të bëhet pjesë e Bordit Drejtues të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji dhe u premtua për bashkëpunim dhe zgjerim të Lobit Shqiptar edhe në Ukrainë.

I tërë procesi u incizua dhe do bëhët publik së shpejti.

Në Kuvend u shpalos raporti punës pesë vjeçare, raporti financiar, vizioni, qëllimi, strategjia dhe plani i punës per katër vitet e ardhshme.

Një dokumentacion i tillë ishte derguar tek asamblistët tri javë para datës së mbajtjes së Kuvendit.

Në këtë Kuvend, me dy mungesa dhe një abstenim, u votua për kryetar, Fehmi Bekteshi.

Bekteshi njihet si aktivist nga viti 1992, ka qenë aktiv në mësim plotësues për fëmijët shqiptarë, kryetar i shoqatës Kulturore《Jæren》 njëri ndër themeluesit e shoqatës《ALBNOR》për Rogaland,  organizator i shumë turnirëve futbolli dhe mbrëmjeve festive me qëllime të përfitimeve të ndihmave humanitare në vendlindjen, aktivist në Lobin Euro-Atlantik Shqiptar, i cili ishte edhe asamblist në Asamblenë e përgjithshme në Greqi.

Bekteshi, është i martuar, baba i katër fëmijëve.

Përkundër që menaxhon biznesin e tij familjar, premtoi se do gjëjë kohën e duhur edhe për obligimet kombëtare që peshojnë mbi supe secilin aktivist të ndërgjegjshëm.

Kryetari i deritanishëm Xhafer Ahmetaj kishte paralajmëruar mos kandidaturën e tij kohë më parë. Kjo për arsye të distancës së lartë gjeografike nga qytetet ku banojnë shumica shqiptare në Norvegji.

 Ahmetaj  u çmua lartë nga asamblistët dhe mysafirët për kontributin e tij që nga përfaqësimi i tij në Kuvendin Iniciues të 20.02.2016, si kryesuesi i celulës organizative për Norvegji  me emër Lobi Euro-Atlantik Shqiptar.

Një emër dhe frymë organizative që u votua në Kuvendin Iniciues në Gjermani më 20.02.16.

Tutje u zgjodh edhe kryesia dhe pesë asamblistët që do marrin pjesë në Asamblenë e përgjithshme në Greqi në muajin maj, nese kushtet e lejojnë këtë për arsye të Covid-19.

Përfaqësuesi i Sh.H., Fehmi Agani, Bradnik Ramadani, ai i Rilindjes në Oslo, Alush Balichi dhe dr. Gazmend Berisha nga Oslo premtuan për bashkëpunim të ngushtë me Lobin Euro-Atlantik Shqiptar.

Dr. Gazmend Berisha pranoi rolin e zëvendës asamblistit për Asamblenë Zgjedhore në Greqi dhe premtoi bashkëpunim të sinqertë për çështje kombëtare dhe profesionale.

Çdo gjë rrjedhi me frymën pozitive dhe demokratike duke u shoqëruar kohë pas kohe me këngë dhe mesazhe të fuqishme.

Dega e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji do vazhdojë rrugëtimin e tij me objektiva prioritare, si:

▪︎Rrjetizim dhe lidhje bashkëpunimi me shoqata ku mungon kjo;

▪︎Mbrojtjen e vlerave tona kombëtare me fokus organizimin e gjuhës shqipe;

▪︎Ngritjen e vullnetarizmit duke u bazuar në strategjinë që ka shteti Norvegjez;

▪︎Strukturimin e organizatës duke ndarë punën permjes 7 departamenteve që parashikon Platforma;

▪︎Zbatueshmërinë e planit të veprimit;

Bordi Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, dega në Norvegji falenderon përzemërsisht mysafirët në këtë takim të rëndësishëm, asamblistët dhe Komisionin Zgjedhor i cili bëri një punë të mrekullueshme që procesi të rrjedh mbarë në çdo Kuvend zgjedhor deri më tani.

Po ashtu, falenderim edhe për dy degët si motra (Zvicër dhe Greqi), që ishin prezent në Kuvend, presidentja e Lobit Brikena Qama, përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Oslo, Blerta Rukoli, Daut Haxhaj, Sutki Hulaj si dhe Petrit Aliaj nga Italia, i cili shprehi gadishmërinë përkonstituimin e degës së Lobit në Itali.

Read More
kkkkkd

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji do të mbajë kuvendin e dytë zgjedhor

Pas mbajtjes së Kuvendit në Zvicër më datën 20.03.21 dhe në Greqi, me datën 21.03.2021, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar dega në Norvegji ka bërë ftesë publike në Facebook për pjesëmarrje në kvendin e dytë zgjedhur.

Ky kuvend do mbahet  më 27.03.2021, përmes platformës online ZOOM.

Të ftuar në këtë kuvend janë përfaqësues të shoqatave e organizatave të ndryshme nga mbarë Norvegjia.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar dega në Norvegji është zyrtarizuar nga 19.03.2021 me vendimin e Kuvendit të parë në Oslo .

Të ftuar në këtë Kuvend do këtë edhe mysafir të tjerë, nder të cilët edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Oslo Ulliks Emra etj.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar është në përgatitje e sipër për mbajtjen e Asamblesë së tretë përgjithshme në Athinë të Greqisë në muajin maj, nëse krijohen rrethanat që mundësojnë një lëvizje të lirë për shkak të COVID-19.

Zyra e shtypit të LEASH

Read More
blue-to-black-fade

Dokumentari nga Kosova, në mesin e fituesve në Festivalin e filmit sportiv në Milano

Është bërë e ditur se në Festivalin e filmit sportiv, i cili u mbajt në Milano të Italisë, pjesëmarrëse kanë qenë rreth 40 shtete nga bota, transmeton albinfo.ch.

Në Festivalin e filmit sportiv, fitues është shpallur edhe dokumentari i punuar nga Xhemajl Avdyli, i cili bazohet mbi sfidat, kapacitetet dhe triumfin e atletit dhe rekordmenit nga Kosova, Muhamet Ramadani, i cili vjen nga Mitrovica.

Dokumentari titullohet “Beyond the Dream” që në shqip do të thotë “Përtej ëndrrës”.

Read More
https___static-cdn.pixlr_.com_photo_image-editing-20201201

“Zgjoi” zgjidhet në konkurrencën e festivalit “Sundance Film Festival”

Një tjetër bashkëpunim i shkëlqyeshëm me Zvicrës, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Filmi “Zgjoi”, si bashkëprodhim, zgjidhet në konkurrencën kryesore të festivalit prestigjoz “Sundance Film Festival”.

Është bërë e ditur se filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli dhe producentëve dhe ekipit të filmit “Zgjoi” është përzgjedhur zyrtarisht në konkurencën kryesore të Sundance Film Festival, një nga tre festivalet më prestigjoze të filmit në botë.

Filmi trajton temën e mbijetesës së Fahrijes, e cila pas humbjes së burrit të saj gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ka për pjesëmarrës një kastë të mrekullueshme aktorësh.

Zyrtarisht ky film është koproduksioni i parë filmik Kosovë-Zvicër.

Kineastët e Kosovës po e dëshmojnë çdo ditë e më shumë se talenti i tyre depërtues është imazhi më i mirë i Kosovës në botë. /Albinfo.ch

Read More
gurguri-librat-suedisht-587×392

Librat që duhet t’i lexoni

Ju mund shfrytëzoni kohën e lirë tuajen me një libër të preferuar. Ekzistojnë shumë libra, të cilët mund t’jua qetësojnë mendjen dhe t’ju përmbushin në aspektin intelektual. Në mesin e shumë prej tyre, po jua propozojmë disa:

“MEDITIMET” NGA MARK AURELI

“Meditimet” janë një përmbledhje shkrimesh personale për ruajtjen e qetësisë mendore nga perandori romak Mark Aureli (Marcus Aurelius), i cili sundoi nga viti 161 deri në vitin 181 dhe mbahet mend si një nga “mbretërit filozofë”.

Aureli shkroi mendimet e tij mbi elasticitetin dhe udhëheqjen në një “periudhë të errët dhe stresuese” në dekadën e fundit të jetës së tij. Versioni i perandorit të filozofisë stoike ka mbetur i rëndësishëm për 1.800 vjet, sepse ofron këshilla të përjetshme për të fituar kontrollin e emocioneve dhe kalimin e të gjitha pengesave.

“PRINCI I VOGËL”  NGA ANTOINE DE SAINT-EXUPÉRY

Ashtu siç shumë psikologë do të thoshin, të jesh person i shëndetshëm mendërisht, do të thotë të integrosh fëmijërinë tënde në moshën tënde madhore. Mbase nuk ka vepër më të mirë që shpalos mrekullinë e fëmijërisë se sa “Princi i vogël” nga Antoine de Saint-Exupéry. Duke u mbështetur në përvojat e autorit si aviator në Afrikë, libri ndjek një princ të ri ndërsa ai viziton planete gjithnjë e më surrealiste. “Nga të gjithë librat e shkruar në frëngjisht gjatë shekullit të kaluar, ‘Le Petit Prince’ i Antoine de Saint-Exupery është me siguri më i dashuri në shumicën e gjuhëve”, shkruan kritiku i New Yorker, Adam Gopnik.

“SIDDHARTHA” NGA HERMANN HESSE

Botuar në gjermanisht në vitin 1922, “Siddartha” vendoset në Indinë e lashtë të Budës historik. Libri tregon historinë shpirtërore të një burri të quajtur Siddartha. Shkruar në një gjuhë me fjali të lira dhe elegante, novela ofron një model për udhëtimin në moshë madhore.

“MES BOTËS DHE MEJE” NGA TA-NEHISI COATES

Ta-Nehisi Coates është shkrimtari më i rëndësishëm dhe me ndikim në Amerikë sot.Eseja e tij e vitit 2015 “Between the world and Me” është shkruar në formën e një letre për djalin e tij. Ai zbulon se si fëmijëria e tij në Baltimore, koha e tij në Universitetin Howard dhe vitet e tij të hershme si gazetar formuan pikëpamjen e tij botërore mbi disa nga çështjet më të nxehta bashkëkohore që lidhen me marrëdhënien e racave, identitetit dhe barazisë në SHBA.

“E VËRTETA” NGA NEIL STRAUSS

Nëse jeni në një marrëdhënie të gjatë ose nëse jeni larguar plotësisht nga një e tillë, ia vlen të lexoni këtë libër. Në këtë vepër ju ndiqni udhëtimin e parë të Strauss nëpërmjet terapisë së varësisë seksuale dhe “dashurisë” në kërkimin e tij për të përcaktuar nëse ai mund të angazhohet në një marrëdhënie monogame me dashurinë e jetës së tij. Për të qeshur, prekës dhe ndonjëherë absurd, është një lexim transformues.

“BOTA SIPAS GARPIT” NGA JOHN IRVING

Hulumtimet e psikologjisë tregojnë se leximi i fiksioneve letrare përmirëson aftësinë tuaj për të simpatizuar pikëpamjet e njerëzve të tjerë, që kur një roman është stimulimi mendor i jetës së një personi tjetër. Aty qëndron vlera e veprës “Bota sipas Garpit”, kryevepra e John Irving. Ju kaloni një jetë të tërë me narratorin e familjen e tij dhe mësoni diçka në lidhje me jetën tuaj në proces./albinfo.ch

Read More
149413208_3813881588670612_7710779030884862014_o

Këngëtarja shqiptare nga Kanadaja i dedikon një këngë pavarësisë së Kosovës

Artistja shqiptare Tringa Rexhepi, me një karrierë të suksesshme në Kanada, ka një veprimtari artistike të pasur dhe me plane të shumta për të ardhmen.

Së fundmi ka lansuar këngën “Ti moj Kosovë”, këngë që ia ka dedikuar përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kënga është publikuar më 16 shkurt, duke pasqyruar bukuritë e vendlindjes.

Me tekst të vetë autores dhe Marjola Saliut, kënga është kompozuar po nga solistja e kësaj kënge në bashkëpunim me Scott Christian.

Read More