15435798_419515425105286_1166503599_n

Në Paris u themelua Dega e Lobit Euroatlantik Shqiptar, për Francë

INTERESIM I MADH SHQIPTARËVE TË FRANCËS PËR TË VEPRUAR NË LOBIN EUROATLANTIK SHQIPTAR
Në sallën e madhe dhe të stolisur me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe me logot e Lobit Euro Atlantik Shqiptar, të premten, më 9.12.2016, në Nanterre të Parisit ishin tubuar shqiptarët nga të gjitha trevat e Francës, kryesisht të Parisit dhe të rrethinës, për të themeluar Degën e Lobit Euroatlantik Shqiptar në Francë, me seli në Paris!
Ishte atmosferë festive dhe pune, atë natë kur takuam bashkëkombësit tanë veprimtarë për çështjen kombëtare shqiptare, njerëz të bizneseve të ndryshme, të cilët shprehnin interesimin për Lobin, për të cilin foli bashkëkryesuesi i Lobit në nivel botëror, z. Shukri Ymeri, nga Gjermania , përkatësisht qyteti i njohur Lorrach, ku është selia qendrore e Lobit Euro Atlantik Shqiptar në botë.
Takuam atë natë veprimtarët e dalluar për çështjen mbarëkombëtare, të cilët rreth një tavoline pune, paraprakisht bënin shumë pyetje dhe shprehnin gatishmëri që të bashkohen në këtë Lob, i cili është jopartiak dhe ka për qëllimin që të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të bashkohen rreth çështjes mbarëkombëtare shqiptare, sidomos në diasporën e  madhe shqiptare. Ishte interesant elaborimi nga baba e bir, Haki Sela dhe Ylli Sela, që kishin ardhur nga Departamenti 77 Provins, sikurse u janë përgjigjur përherë aktiviteteve mbarëkombëtare!
Të gjitha pyetjeve iu përgjigj z. Shukri Ymeri. Paraprakisht z. Ymeri kishte biseduar disa herë me z. Xhavit Tafolli, një biznesmen dhe po ashtu veprimtar, i cili shprehte interesimin që ai të ishte pranë kryesisë, por që kryetar të zgjidhej dikush tjetër, që ka reputacion dhe famë ndër shqiptarët e këtushëm! Atë natë, për hir të kësaj ngjarjeje të themelimit të Degës së Lobit, dy shoqata: “Drini” me kryetar Xhavit Tafollin dhe “Dardania”, e drejtuar nga Ylli Sela, e para në Nanterre dhe e dyta në Provins të Parisit, kishin organizuar një mbrëmje të mrekullueshme artistike, në mënyrë që të nesërmen, ditën e shtunë, më datën 10 dhjetor 2016, të mbahej kuvendi i madh në sallën përkatëse në Nanterr.

Takuam aty veprimtarët dhe biznesmenët e suksesshëm: Nebihun , Naserin dhe Fatmirin, këta dy të fundit ishin vëllezër që kishin ardhur me punëtorët e  tyre dhe me miq e me shokë shqiptarë nga e gjithë Franca, që ta bënin më madhështor këtë themelim të Degës së Lobit në Francë.
Të gjithë interesoheshin që në krye të një lobi të këtillë meritonte të ishte veprimtari dhe biznesmeni Ajet Duga, i cili me të vëllanë Hesat Dugën kishte shkuar në radhët e Ushtrisë Çlimrimtare të Kosovës në operacioni “Shigjeta” në Pashtrik, dhe që të dytë, me plot meritë, janë veteranë lufte. Në të vërtetë Ajet Duga, dr.Xhemail Xhemaili nga Vërtiku (Burimi) i Gostivarit, mjek i njohur në St chamond, së bashku me të tjerët, përherë ishin në ballë të betejave për ta ndihmuar shqiptarinë kudo që ishte nevoja. Ajet Duga, nga fshati Carrabreg i Lipjanit ose Bregu i Zi, ishte ndër të parët që kishte ardhur në këtë pjesë të Parisit dhe kishte bërë namin në punësimin e  shqiptarëve, të cilët pasi punonin tek Ajeti, formonin ndërmarrjet e veta! Ajeti mbetet i njëjti, nuk dorëzohet për çështjet madhore kombëtare shqiptare!

 

15536997_423705758019586_578840488_o
Në të majtë veprimtari Shukri Ymeri, në mes kryetari Ajet Duga ndërsa në të djathtë gazetari Muhamet Çetta
Ishte qëndrimi unanim që po diskutohej nëpër tavolina që Ajet Duga të zgjidhej kryetar i Degës së Lobit Euroatlantik Shqiptar në Francë, me seli në Paris! Dhe, kur u hap diskutimi për degën e  këtij Lobi në Francë, me duartrokitje dhe me përkrahje me zemër, u mirëprit dhe u votua zgjedhja e zotit Ajet Duga, kryetar i kryesisë së Degës së  Lobit në Francë. Të gjithë u ngritën në këmbë për ta përgëzuar!
Pastaj fjalën e mori zoti Shukri Ymeri, i cili foli në detaje për rëndësinë dhe rolin e Lobit! Për pikën e dytë të gjithë u pajtuan që Ylli Sela të mbetet dhe, pasi të konsultohen me të gjithë njerëzit e këtushëm, ta zgjedhin një kryesi të Degës, e cila do të bëje aktivitetet e duhura konform rregullave e Statutit të Lobit Euroatlantik Shqiptar. Shukri Ymeri njoftoi se nga Dega e Francës do të marrin pjesë edhe në Kuvendin zgjedhor të Lobit që do të mbahet më 18 dhjetor në Lorach.
Për nder të këtij aktiviteti u organizua edhe një program i pasur kulturor-artistik, me ç’rast kënduan këngëtaret e njohura Adelina Doda dhe Esmeralda Hoti!
Në fund  Xhavit Tafolli, duke iu falënderuar Kryesisë së Lobit Euroatlantik Shqiptar, shprehu kënaqësinë se në krye të kësaj kryesie u zgjodh Ajet Duga, i cili është edhe dajë i Xhavitit dhe të vëllezërve të tjerë Tafolli, që këtu punojnë e veprojnë me sukses.

Read More
arta-1

Hapen klasat e para në gjuhën shqipe në Artë (Greqi)

Në qytetin e Artës dhe të Atikës, do të ketë klasa në gjuhën shqipe.

Lajmi është konfirmuar nga kryetarja e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Anila Kila. Klasat për mësimin në gjuhën shqipe do të jenë brenda shkollave publike në qytetin e Artës dhe Atikës. Kryetarja e LMSHG-së, ka falenderuar autoritet e bashkive në dy qytetet si dhe mësuesit e angazhuar në këtë mision.

lgsh

Me gëzim të madh ju njoftoj se sot mora lajmin për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe në mjediset e shkollës publike nr. 8 të qyetit të Artës dhe gjithashtu mora lejen për fillimin e mësimeve në mjediset e shkollës publike nr. 1 në Spata të Atikës. Puna serioze e mësuesve dhe e organeve drejtuese të LMSHG-së ka bërë që të fitojmë besimin e pushtetit lokal këtu, në Greqi dhe të vazhdojmë mësimdhënien pa asnjë problem nga ana e tyre. Falënderoj nga zemra pushtetin lokal të bashkive në Arta dhe Spata – Artemisë, për ndihmën e madhe, duke na bërë të mundur zhvillimin e mësimit në mjediset e shkollave publike dhe mbështetjen për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës dhe traditave tona. Falënderoj mësuesen e kursit të MPGjSh-së në Arta, zonjën Sonila Todo, për përpjekjet e saj dhe i uroj në emër të të gjithë kolegëve: Punë të mbarë! Falënderoj gjithashtu edhe zotin Anastas Kozdine, kryetarin e Shoqatës “Përmeti”, për ndihmën e madhe që ka na ka dhënë!

Me respekt, Anila Kila, kryetare e LMSHG-së” shkruan Kila, në facebook.

Read More
unnamed

28 Nëntori i shqiptarëve

Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropianë nga perandoria osmane nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të.

Përveç trojeve Shqiptare, Parandoria Osmane për disa shekuj kishte të pushtuara edhe vendet e tjera të Ballkanit, si dhe tentojë të marrë edhe Austrinë, ku pas një lufte dy mujore me Vjenën, më 1683 pëson humbje të mëdha dhe tërhiqet.

Në vitin 1684 u krijua një koalicion kundërosman me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.

Pas kësaj, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë.

Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve në Novobërdë e në disa qytete të tjera. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve.

Përpjekje e madhe e popullit shqiptarë ishte edhe pas luftës së re Ruso-Turke (1877-1878). Rusia se bashku me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877, nënshkruan një marrëveshje e quajtur si Marrëveshja e Budapestit.  Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epir i do të aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.

Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.

Më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili më shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, në përpjekje për t’u larguar nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës:  Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.

Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe tokat tjera shqiptare, qytetin e Tivarit dhe Podgoricën.

Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër perandorisë osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën perandorinë osmane.

Lufta e popullit shqiptar nuk u ndalë deri më 1912, ku në Vlorë u shpallë pavarësia e Shqipërisë dhe përfundimisht populli shqiptarë dëbon nga trojet e veta perandorinë osmane.

Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, i cili ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morrën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.

Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.

Read More
berseti-qeveriia

Qeveria Zvicerane: Nga 15 marsi, teste falas për të gjithë

Aktualisht Qeveria Federale financon testet për njerëzit me simptoma, por edhe për ata pa simptoma në shtëpitë ​​e të moshuarve, si dhe në raste të veçanta,. për të luftuar shpërthimet lokale.

Nga 15 mars, qeveria federale do të marrë përsipër kostot e të gjitha testeve. Kështu ka deklaruar ministri i shëndetësisë, Alain Berset në konferencën për media që ka filluar në orën 14.30.

Parashihen testime të përsëritura në kompani dhe shkolla: Popullata mobile, nëpër kompani dhe shkolla duhet të testohet në mënyrë të përsëritur, duke përdorur mostra “të bashkuara” të pështymës, përcjell albinfo.ch. Në këtë formë të testimit, mostrat e atyre që testohen nuk analizohen individualisht, por në një mostër të vetme kolektive.

Kantonet duhet të jenë në gjendje të lirojnë nga detyrimi i karantinës personat e kontaktit në ndërmarrjet që testojnë shpesh.

Vetë-teste për të gjithë: Këshilli Federal gjithashtu synon të lehtësojë qasjen në vetë-testim. Të gjithë njerëzit duhet të jenë në gjendje të vetë-testohen rregullisht, edhe nëse nuk kanë simptoma. Secilit person duhet t`i mundësohet të marrë pesë vetë-teste në muaj. Për shkak se nuk ka informacion të mjaftueshëm në lidhje me përdorimin e vetë-testeve tek njerëzit pa simptoma, Zyra Federale e Shëndetit Publik nuk ka miratuar ende teste të tilla, transmeton albinfo.ch komunikatën e Qeverisë. Prandaj, Këshilli Federal propozon që qeveria federale të mbulojë gjithashtu kostot për të gjitha testet e shpejta në farmaci dhe qendrat e testimeve. Ky rregull zbatohet gjithashtu për udhëtarët ndërkufitarë.

Kostoja e zgjerimit të strategjisë së testeve për vitin 2021 vlerësohet të jetë mbi 1 miliard CHF. Bazë ligjore për këtë është ligji Covid-19, i cili është i kufizuar deri në fund të vitit.

Read More
synetia-gjermani

Shoqata për të drejtat e fëmijës kërkon ndalimin e synetisë në Zvicër

 Afërsisht 3,000 fëmijë të gjinisë mashkullore bëhen synet në spitalet zvicerane çdo vit. Me siguri ka numër më të madh kësaj ndërhyrjeje kirurgjike në ordinancat e mjekëve të përgjithshëm, gjegjësisht numri i rasteve të pa raportuara është më i lartë.

Kjo, sidomos kur dihet se shumë syneti nuk bëhen nga mjekët – por nga “xharrahët”, (njerëz të religjionit dhe pa kualifikime mjekësore) në mënyrë private, shkruajnë gazetat e grupit medial CH Media.

Djemve në fjalë u hiqet lafsha nga penisi në një operacion kirurgjik. Një ndërhyrje e cila nga aspekti mjekësor do të ishte e  nevojshme vetëm në raste shumë të rralla, transmeton albinfo.ch. Një për qind e djemve në përgjithësi, vuajnë nga i ashtuquajturi shtrëngim i lëkurës së prepucit, gjë që e bën një operacion të tillë të pashmangshëm.

Por, gjithsesi, në shumicën dërmuese të rasteve, synetia ose rrethprerja bëhet për arsye fetare. Si judaizmi ashtu edhe islami praktikojnë rrethprerjen e djemve. Për rastet e tilla, kritikët e shohin rrethprerjen e djemve si një ndërhyrje në të drejtën e tyre për të vendosur për veten.

Ndërkaq, rrethprerja e vajzave është ndaluar zyrtarisht në Zvicër që nga viti 2012. Shoqata “Pro Kinderrechte” (pro të drejtave të fëmijëve) tani kërkon ndalimin edhe për djemtë.

Paditet mjeku zviceran që bën deri në 70 syneti në vit

“Kur bëhet fjalë për dhunë ndaj meshkujve, shiko – gabimisht. Kjo fshihet dhe tabuizohet”, thotë Christoph Geissbühler, drejtor menaxhues i “Pro Kinderrechte Schweiz”, përcjell albinfo.ch. Për Geissbühler kjo gjë është e qartë: “Amputimi i pjesës gjenitale të një fëmije pa pasur urgjencë mjekësore përbën vepër penale”.

Kjo është dhe arsyeja pse Geissbühler ka paditur një mjek zviceran i cili bën syneti në mënyrë të rregullt.  Fjala është për kirurgun Guido Baumgartner, i cili punon si kirurg i lartë pediatrik në St. Gallen dhe Graubünden. Sipas deklaratave të tij, ai kryen 50 deri në 70 syneti në vit – rreth 20 prej tyre për arsye fetare.

Një nga arsyet që Baumgartner ofron rrethprerjen është të parandalojë që synetia të kryhet nga njerëz pa njohuri mjekësore. Kur ai si kirurg kryen operacionin në fjalë, edhe kur një gjë e tillë nuk është e nevojshme nga ana mjekësore është prapë “më mirë sesa një “medicinman” që kap thikën dhe bën dikë synet në oborrin mbrapa shtëpisë”.

Kur mungon një pjesë e trupit

Efraim Seidenbergut i është hequr lafsha si fëmijë për arsye fetare. Ai rrjedh nga një familje hebreje. 29-vjeçari thotë: “Unë vuaj nga humbja e lafshës”. Për të është e qartë se atij i mungon një pjesë e trupit si rezultat i rrethprerjes. “Unë kam organe gjenitale që nuk funksionojnë siç do të funksiononin natyrshëm. Nuk mendoj se është e drejtë që një pjesë e shëndetshme e trupit tim është prerë “.

Për Seidenberg, momenti kur kishte kuptuar se ishte bërë synet pa vendosur vetë për një gjë të tillë, ishte shoqëruar me “trishtim, zhgënjim dhe ndjenja të humbjes”. Ai do të dëshironte të shihte më shumë debat rreth temës së rrethprerjes së djemve. “Shpresoj se do të ketë një konsensus që të gjithë duhet të jenë në gjendje të vendosin vetë.”

Prokurori publik nuk është përgjegjës

Në çështjen lidhur me kirurgun Guido Baumgartner, nuk është zhvilluar ndonjë proces gjyqësor sepse: Zyra e Prokurorit Publik në St. Gallen ka hedhur poshtë çështjen kundër mjekut. “Nga një këndvështrim thjesht objektiv” rrethprerja e një djali mund të konsiderohet si “dëm i thjeshtë trupor”. Por, meqenëse shteti lejohet të marrë masa sipas detyrës zyrtare vetëm në rastet e “dëmtimit të rëndë trupor”, zyra e prokurorit publik nuk është e përfshirë, përgjigjet prokuroria.

Në rast të dëmtimit të thjeshtë trupor, personi në fjalë do të duhej ta bënte padinë vetë – gjë që nuk pritet të bëhet nga një djalë, përcjell albinfo.c. Prokurori publik i St. Gallen thotë se Shoqata Pro Kinderrechte është duke ndjekur një shqetësim legjitim. Por ky qëllim do të duhej të arrihej politikisht dhe jo juridikisht.

Read More
lobi-itali

LOBI EURO ATLANTIK SHQIPTAR EDHE NË ITALI

Në Provincën Brescia të Italisë, jetojnë rreth 27 mijë shqiptarë. Nga këta bashkëkombës, mbi 9 mijë janë nga Kosova.                              

Pas përgatitjeve disa muajshe, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të veprimtarit të shquar Petrit Aliaj, nga Durrësi, i cili ka mbështetur në forma të ndryshme luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Brescia këto ditë është mbajtur Kuendi themelues i Degës së Lobit Euro Atlantik Shqiptar për Itali. Përveç bashkëkombasëve tanë që jetojnë në këtë provincë italiane, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kryesisë qendrore të këtij lobi: Kryetari Shukri Ymeri, Musa Tolaj dhe Feride Shala.

Në këtë kuvend, merrnin pjesë shumë aktivistë nga shoqata “Drita”, “Interaction”, “Shqiponja”, “Rinia”, Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Itali e mësues të shkollave shqipe, përfaqësues e drejtues organizatash vullnetare social – kulturore nga provinca të ndryshme të Italisë: nga Novara,Trento, Monza e Brianza, Bergamo, Milano, Verona, Picenza, Breshcia dhe provinca tjera.

Në hapjen e këtij kuvendi, pjesëmarrësit i përshëndeti Kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar, Shukri Ymeri. Ai me këtë rast  u përqendrua në pasqyrimin e gjithanshëm të veprimtarisë së deritashme të këtij  Lobi, sidomos të aktivistëve të shumtë të tij në shumë vende euro-perëndimore. Ai e quajti këtë si ndër projektet më madhore të kombit shqiptar në diasporë. Ymeri ftoi të gjithë bashkëkombasit tanë në Itali dhe kudo në botë që ti bashkëngjiten Lobit Euroatlantik Shqiptar për të kontribuar në zhvillimin më dinamik të atdheut në të gjitha segmentet.

Me këtë rast, fjalën e morën edhe pjesëmarrës të shumtë të këtij Kuvendi themelues:  Erio Korani, president  i Organizatës Ndërkombëtare “Rinia“ dhe sekretar i Federatës Kombëtare të shoqatave Shqiptare në Itali, Sherif Nuredini, president i Shoqatës “Shqiponja”,  Lumturie  Plaku, shkrimtare dhe poete, zëvendës presidente  e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve në  Itali, Marsela Koçi, gazetare nga Milano, doktor Ramazan Baja e veprimtarë të tjerë.

Ata vlerësuan lartë iniciativën për bashkëpunim në plan mbarëkombëtar  të ndërmarrë nga Lobi Euroatlantik Shqiptar me seli në Lorah të Gjermanisë.                    Me këtë rast presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali Skënder Lazaj vlerësoi përpjekjet e drejtuesve të Lobit Euroatlantik Atlantik Shqiptar për  bashkimin e mërgatës shqiptare, angazhimin për realizimin e projekteve të ndryshme të cilat i përgjigjen interesave mbarë kombëtare shqiptare.

Ndër të tjera Skënder Lazaj informoi për nismën që Lidhja që ai drejton në bashkëpunim me të gjitha asociacionet shqiptare, e njëkohësisht edhe me Lobin Euroatlantik Shqiptar për mbajtjen e një Konference për problemet e gjuhës shqipe. Në të do të ftohen mësues, drejtues shkollash dhe shoqatash të ndryshme në Itali e të ftuar të tjerë, si edhe përfaqësues nga komuniteti Arbresh, zyrtarë dhe  ekspertë nga Shqipëria, Kosova e përfaqësues të katedrave të gjuhës shqipe në Itali, përfaqësues nga shkollat shqipe në Kroaci, në Slloveni,  Gjermani, Zvicër e Greqi.

Me këtë rast pjesëmarrësit e këtij tubimi i përshëndetën edhe Musa Tolaj dhe zonja Feride Shala, anëtarë të Kryesisë qendrore të Lobit.                                            Në vijim, Petrit Aliaj, lexoi emrat e atyre që u zgjodhën në mënyrë demokratike dhe do të drejtojnë Degën e Lobit Euroatlantik Shqiptar në Itali: Alketa Delishaj, u zgjodh kryetare, ndërsa  nënkryetare Marsela Koçi,  sekretar Petrit Aliaj dhe arkatare Trandafile Molla.  Anëtarë të Kryesisë së Degës së Lobit u zgjodhën Julian Xhahysa, Gjergj Harka dhe Fabiola Salia.

Kryetarja e porsazgjedhur Alketa Delishaj, falënderoi pjesëmarrësit për besimin e dhënë në drejtimin e kësaj dege gjatë periudhës së ardhshme 4 vjeçare.

Në pjesën përmbyllëse të Kuvendit, Kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar Shukri Ymeri iu përgjigj edhe pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve të Kuvendit, të cilat kishin karakter informimi  e shtrirje në funksion të aktivitetit  që përcakton Statuti dhe Programi i Lobit Euro Atlantik Shqiptar, si dy bazamente kryesore e të pandara në zhvillimet e veprimtarisë mbarë kombëtare shqiptare dhe jashtë ndikimeve partiake e fetare. Ai u fokusua në rëndësinë e unifikimit të të gjitha potencialeve të mërgatës shqiptare në botë në funksion të ndërtimit të ardhmes më të ndritshme të kombit shqiptar.

(LEASH)                                                                 

Read More