Category: Uncategorized

252007343_222911229934749_7618964239237720843_n

Një emnesë për gjuhën e zemrës në zemër të Athinës

Vigjilja e këtij viti të ri akademik, e gjeti atdhetaren, mësuesen Lefteri Metkaj me realizimin dhe ecjen më thellë të një tjetër projekt të rëndësishëm. Filluar me përpjekje e sakrifica vite më parë por e përforcuar kësaj radhe, duke pasur krahë vëmendjen, dashamirësinë e ndihmën konkrete e morale të Ambasadës Shqiptare të akredituar në Athinë dhe vetë Numrit Një të bordit të saj, të nderuarën zonjën Luela Hajdaraga, Ambasadore e Republikës Shqiptare në Greqi, projekti “Gjuha shqipe na thërret” për mbajtjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat publike greke ku mësojnë nxënësit e vegjël shqiptarët, është një nismë ogurmirë dhe me baza profesionale që krijon një realitet të ri e frytdhënës për mësimin e gjuhës shqipe nga brezi i ri i fëmijëve të emigrantëve në shtetin helen.

Në të gjithë këto vite, tashmë diç më tepër se tri dekada emigracion, në Greqi – ndër shtetet e para, e fqinjë, e cila u ndesh me fluksin dallgë-ashpër të pa përmbajtjes post-komuniste të popullit shqiptar për bashkimin me botën e lirë dhe e nevojës për punësim e jetë të re të qindra-mijëra emigrantëve, dyndur pas viteve nëntëdhjetë – kemi qenë përherë dëshmitarë të përpjekjes së vazhdueshme të shumë anëtarëve të komunitetit për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe mëkimin e saj tek fëmijët, brezi i ri i lindur, pra, në tokën e re të zgjedhur nga nevojat jetike të prindërve të tyre. Krahas impenjimeve të vogla e të mëdha për mbijetesë individuale e në radhë të parë për fëmijët e dashur dhe dhembshurisë familjare, punësimit të vështirë, mësimit të gjuhës vendase, integrimit të përgjithshëm për një jetë dinjitoze e me ambicie njerëzore, këta anëtarë të komunitetit nuk ndaluan asnjëherë së menduari, por më e rëndësishmja, S-ë V-e-p-r-u-a-r-i për gjuhën e nënës.

Pa këta njerëz të mirë, atdhetarë të vërtetë përgjegjës, pa këtë intuitë, ndjeshmëri empatike, kolektive dhe përqendrim të forcave dhe vullnetit të tyre tek kjo kauzë imediate dhe e madhërishme, tanimë dëmet do të ishin të pariparueshme. Emrat e këtyre anëtarëve aktivistë; heronj modernë për frymën atdhetare, për kombin, por dhe praktikisht për një jetë më të mirë personale të secilit nga mërgimtarët, për thurjen e fijeve të komunikimit mes komunitetit e tërë diasporës dhe shtetit amë, për zgjimin e përgjegjësisë vetjake tek tërë emigrantët, për konceptimin e lartë të virtyteve të mësimit të gjuhës e kulturës së rrënjëve si dhe për anën morale e edukative të të gjithë njerëzve, dhe sa, e sa vlera të tjera të cilët do të mund të radhisnim; janë (për fatin tonë të mirë) të shumtë, dhe përbëjnë padyshim një listë të gjatë, të cilën as një studim i hollësishëm e konkret kam përshtypjen, se nuk do të arrinte ta plotësonte dot me sigurinë optimale. Kjo është arsyeja që nis këtë shkrim me këtë nderim leksik personal për secilin aktivist gati-gati anonim e duke kërkuar të bëjë mirë dhe jo të fitojë pompozitet.

Sidoqoftë, arsyeja e botimit të këtij shkrimi në të vërtetë është lajmi mbi aktivitetin për një emnesë të komunitetit shqiptar, festën e hareshme të një evenimenti të gëzuar e rezultativë siç është hapja e një klase të re të mësimit të gjuhës shqipe në zemër të Athinës. Por kësaj radhe flasim për arritje të suksesshme jo vetëm për një klasë, por një iniciativë të tërë që mund të bëjë shumë më tepër.

Flasim për mbarëvajtjen e një nisme ogurmire që po punohet me ecuri përherë e më optimiste, për t’u vendosur në shinat e një praktike sa ideale aq dhe frutdhënëse, në lidhje me klasat e mësimdhënies së gjuhës shqipe, në ambientet e shkollave publike greke, si një mësim plotësues e të trajtuar me respektin dhe profesionalizmin e duhur, por dhe në auditorin edukativ të përshtatshëm e të njohur për vetë fëmijët.

Ky kurorëzim u arrit kësaj here me punën këmbëngulëse të disa komponentëve të rëndësishëm, e padyshim duhet përmendur me nderim ky fakt, pasi bashkëpunimi i të cilëve ishte në rastin konkret (siç dhe duhet të jetë përherë) vendimtar në çështje të tilla.

Në radhë të parë pikërisht të një aktivisteje të palodhur, mësueses Lefteri Metkaj. Nëse flasim për aktivistët e njohur, me oreks e vazhdimësi në fushën e mësuesisë, në tërë komunitetin dhe fashën kohore të jetës së këtij, padyshim emri i Lefteri Metkajt është nga ata emra që do të përmendet medoemos dhe shpesh. Ajo është e pranishme me kontributin e saj në dhjetëra arritje të shqiptarëve të Athinës. Duhet thënë se: jo me një, por me dy klasa aktive, nga më numerozet për nxënës dhe në kuadër të klasave plotësuese të mësimit të gjuhës shqipe, brenda shkollave reale greke në lagje të ndryshme të kryeqytetit helen, për të cilat zonja Metkaj ka pasur ekskluzivitetin e hapjes dhe mbajtjes në jetë, teksa përveç kontributit vullnetar, sakrificave, kapërcimit të vështirësive, akoma dhe sigurimi i bazës së lëndës mësimore dhe librave, abetareve etj. nga vetë të ardhurat e saj personale, përherë ajo është shquar edhe në radhët e mësuesve që përkujdesjen për nxënësit në mënyrë të veçantë e me pasion.

Përkushtimin për komunitetin mësuese Lefteri Metkaj e ka shprehur edhe me anë të pjesëmarrjes në aktivitete nga më të ndryshmet jashtëshkollore.  Vetëm në pranverën që lamë pas, do mund të përmendja edhe fitimin me zell nga ana e saj dhe nxënësve të saj, Kupën e Shkollës me pjesëmarrje më të madhe të fëmijëve, në Konkursin ndërkombëtar të Diasporës, për krijuesit e vegjël: “Merr një varg dhe eja!”, teksa zonja Metkaj u angazhua së bashku me një sërë mësuesish të përkushtuar nga e gjithë Evropa, siç edhe me pjesëmarrjen në antologjinë letrare të krijuesve të vegjël në diasporë, organizuar nga Shoqata “Korça”, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar dhe Swiss-Albanian Event, ku gjithashtu, me përgatitjen cilësore nga mësuesja e tyre Metkaj, nxënësit e saj rrëmbyen me talent e gjuhë të zgjedhur edhe disa nga çmimet e nderit, përfshirë edhe të Parin në Poezi.

Vigjilja e këtij viti të ri akademik,  e gjeti mësuesen Lefteri Metkaj me një tjetër projekt të rëndësishëm. I nisur vite më parë por i përforcuar institucionalisht, kësaj radhe, duke pasur krahë dashamirësinë, e ndihmën konkrete e morale të Ambasadës Shqiptare të akredituar në Athinë dhe vetë numrit Një të bordit të saj, të nderuarën zonjën Luela Hajdaraga, Ambasadore e Republikes Shqiptare ne Greqi, e cila deri tani ka treguar dëshirën e mirë dhe devotshmërinë për t’u qëndruar pranë, siç ka premtuar që me ardhjen e saj, familjeve shqiptare, emigrantëve, brezit të ri, shoqatave e organizmave si dhe aktivistëve, intelektualëve e artistëve të kudogjendur në shtetin helen, krahas përfaqësimit më së mirë të shtetit tonë amë, në arenën e politikës ndërkombëtare. Përkrahja morale e praktike që ka shprehur disa herë për mësuesit e shkollat plotësuese të gjuhës shqipe, ambasadorja Hajdaraga si dhe zonja Joneda Dodaj, Koordinatore për Diasporën pranë Ambasadës janë dëftuar dhe së fundi si komponenti bazë i këtij bashkëpunimi: Ndërlidhja në mënyrë produktive me pushtetin vendor.

Nisma për hapjen e klasave të mësimit të gjuhës shqipe në ambientet e shkollave  publike greke ka qenë një iniciativë që ka projektuar dhe punuar për ta realizuar, mësuesja Lefteri Metkaj së bashku me Këshillin e Prindërve të klasës Shqipe që funksionon në zonën Redi, të Athinës, me një jetë mbi gjashtëvjeçare e që sot aderohet nga plotë 38 nxënës. Klasa e dytë me të njëjtën procedurë e rezultat, falë përpjekjeve të panumërta e të vazhdueshme të zonjës Metkaj është ajo në zonën Aspropirgo që ka kaluar tanimë vitin e dytë të funksionimit ku bëjnë pjesë 25 nxënës të vegjël shqiptar.

Veçse “Gjuha shqipe na thërret” për mësuesen Lefteri Metkaj e tërë bashkëveprimtarët e këtij projekti nuk mund të mbetej me kaq. Në zemër të Athinës, në lagjen e shumçpopulluar edhe nga qindra qytetarë shqiptarë, Kipseli, nevojat dhe mundësitë qenë të mëdha veçse po kështu dhe vështirësitë e ndeshura, për të marrë një leje për hapjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në shkollën përkatëse dhe me një numër të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë. U desh të merrte ndërhyrjen e prestigjin e Ambasadës Shqiptare, sikurse dhe ndodhi, siç vetë zonja Metkaj, na dëfton, që të kapërceheshin, sheshoheshin a liheshin mënjanë një sërë pengesash për të cilat ndihma dhe mbështjetja e Ambasadës Shqiptare ishte e çmuar dhe ky bashkëpunim me autoritetet përkatëse vendore të Bashkisë së Athinës, vendimtar.

Zonja Metkaj tregon si një ndër stacionet më kuptimplote të këtij udhëtimi të rëndësishëm, pritjen e posaçme me dashamirësi e përkujdesje që i bëri kërkesës së këtij projekti, për të strehuar në Shkollën Fillore Publike 133 në Kipseli,  drejtori i shkollës Janis Dris, i cili me humanizëm e respekt kujtoi me atë rast edhe vitet e mëparshëm kur ai vetë si intelektual i vendosur për disa kohë në Gjermani, kishte ndërmarrë nisma të tilla të dobishme për komunitetin grek atje, teksa është i ndërgjegjësuar e i bindur se edukimi i fëmijëve është rëndësia sublime që sjell  kulturë e emancipim, të shumanshëm tek të gjithë. Në shkollën që drejtohet me objektivitet, përkushtim e ndershmëri nga zoti Dris tanimë ka gjetur mikpritjen e merituar edhe gjuha shqipe, dhe 20 fëmijët shqiptar, nxënës të kësaj shkolle që filluan tanimë mësimet plotësuese, do të marrin njohuritë e nevojshme dhe ngrohtësinë e mësueses së tyre të denjë zonjës Valentina Bozhiqi

Në festën e veçantë e mallëngjyese veshur me tinguj këngësh e vallesh shqiptare,  për përurimin e kësaj arritjeje bashkëpunimi e fisnikërimi nuk mungonte askush. Përfaqësues të Ambasadës Shqiptare me në krye ambasadoren znj. Luela Hajdaraga, e shoqëruar nga diplomatë të tjerë të Ambasadës, z. Fitim Gllareva, Përfaqësues i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, z. Dorian Doka, Përfaqësues i Qendrës së Botimeve për Diasporën, Përfaqësues nga Bashkia e Athinës, që me Kryetarin e nderuar të saj zotin Kosta Bakojani janë shprehur përherë për vëllazërimin e dy popujve tanë fqinj, zoti Babis Boziaris, nga Drejtoria e Arsimit, Lidhja e Mësuesve, Zonja Brikena Qama, Presidente e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, si dhe aktivistë, mësues, prindër e fëmijë entuziastë me sytë e shpirtrat të çiltër.

Ndërsa gëzojmë këtë arritje, me kënaqësinë e një konstruktimi më me dritë e suksese, tolerancë e mirëkuptim reciprok për të ardhmen, mendoj se vetë mësuesja Lefteri Metkaj, me këtë përvojë atdhetare dhe urimet e saj në fjalën e hapjes janë mbyllja ideale e këtij artikulli: “Kjo nisme bashkëpunimi ishte hapi i pare me Bashkinë e Athinës drejt misionit madhor për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi. Nuk ka qenë asnjëherë pengesë pushteti grek për të mësuar fëmijët shqiptarë gjuhën tonë amtare. Kemi 30 vite që bashkëjetojmë me popullin grek, ndërsa dje na hapën kufirin, zemrat, shtëpitë por dhe dyert e shkollave që të mësojnë fëmijët tanë gjuhën shqipe, nuk i kanë kursyer të na i hapin. Mirënjohje për të gjithë miqtë tanë që morën pjesë në këtë festë për të përshëndetur marrëveshjen zyrtare për mësimin e gjuhës shqipe në ambientet shkollore greke. Duke drejtuar edhe falënderime zemre për të gjithë  bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e të vinim tek kjo festë uroj për secilin nga ju shëndet e mbarësi që së bashku të vazhdojmë traditën e mësimit të shqipes sonë në Greqi. Çdo bashkëpunim me shtetin tonë dhe shtetin grek, na fuqizon, na jep shpresë për një jetë me dinjitet për ne shqiptarët që jetojmë jashtë Atdheut në emigracion. Ky suksese është bashkëpunimi shembull me zonjën Luela Hajdaraga, Ambasadore e Republikës Shqiptare në Greqi. Zonjën Joneda Dodaj, Koordinatore për Diasporën pranë Ambasadës me pushtetin vendor grek. Kjo nismë bashkëpunimi ishte hapi i parë me Bashkinë e Athinës drejt misionit madhor për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi. Suksese fëmijë, ju po forconi urat e bashkëpunimit midis dy shteteve tona! Për ju asnjëherë nuk lodhemi! Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja jonë! ”/Lobi/

Read More

Përshtypjet e një realizimi të ëndërruar për aktivitetin në diasporë “Merr një varg dhe eja”

Eriketa Kollçaku Qorlazja

U ndjeva shumë e gëzuar që u gjenda në këtë nismë modeste në dukje, por me peshë historike, të Elonës, Brikenës e Ainës, që u realizua me shumë punë, por me kaq sukses produktiv.

Unë kam pasur dy role në këtë aktivitet dhe do flas pak për ndjenjat në secilin prizëm. Si mësuese e gjuhës shqipe kënaqësia e parë është të shoh disa nga nxënësit e mi të marrin pjesë në këtë konkurs dhe sot të paraqiten plot dinjitet përpara jush, por nuk e fsheh se qe një periudhë konfrontimesh me veten time marrja pjesë.

Pata menduar që nxënësit e mi janë ende të vegjël (ne vetëm një vit e ca më parë mbaruam festën e abetares) dhe viti i karantinës i ka lodhur tej mase fëmijët, siç bisedoja edhe me prindërit – kisha ca rezerva t’ua propozoja. Nëse s’realizohej dot t’i pëlqenin jurisë dhe nuk do përfshiheshin në antologji, mos ndieheshin të pasigurt me veten e tyre dhe krijimet e tyre dhe kjo do i bënte të ndieheshin keq. Vlerësoj në këtë rast nxitjen që më erdhi nga Armela, redaktorja e antologjisë, dhe Brikena të cilat më dhanë kurajë dhe bindje se të gjithë fëmijët do përfshiheshin në antologjinë dhe e ndjeva se ky qe një rast i mrekullueshëm për ta. Kuptova gjithashtu se rëndësia e vërtetë është tek pjesëmarrja në një aktivitet të tillë dhe secili fëmijë vërehet e vlerësohet relativisht me moshën e mënyrën individuale të të shkruarit. Ja ku jemi sot të gjithë bashkë të festojmë librin e tyre! Gëzimi i tyre është gëzimi i ne të gjithëve.

Roli im i dytë ishte si korrektorja letrare e antologjisë “Merr një varg dhe eja” që u përftua nga ky konkurs. Me redaktoren Armela Hysi (krijuese e rreth dhjetë librave të suksesshëm në poezi e prozë e kritikë letrare dhe po kaq librave të tjerë ardhur nga pozita të tjera, si redaktore e recensente, përkthyese etj.) jam ftuar të bashkëpunoj në përgatitjen e disa botimeve si korrektore, në këto tre vitet e fundit. Ndaj qe një propozim i natyrshëm të isha edhe në bordin ekzekutiv që formoi ajo si redaktore, kur u propozua nga  Brikena Qama krijimi i kësaj Antologjie që është dhe kurorëzimi ideal i nismës, së shkrimtares Elona Gjergo.

Unë pra flas mbi punën që bëmë të gjithë si grup, në emër të të gjithë redaksisë. Ne ishim personat që morëm në dorë shkrimet e fëmijëve tanë menjëherë pas mbylljes së fazës përmbledhëse dhe ndërsa juria kishte në dorë shkrimet origjinale, ne kishim detyrën e përgatitjes dhe nxjerrjes së një libri me standarte të larta edukative, si për sa i përket anës letrare, anës strukturore të secilit shkrim, ndërtimit e botimit praktik, ashtu edhe të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ku hyn dhe roli im. U morëm me redaktimin dhe tërë ndërthurjen e librit nga dita e parë, për çdo shkrimi me hollësi, e deri në fund. Ishte një punë veçanërisht e dashur.

Mund të them që ishim tërë shkurtin në linjë dhe  me evoluim të përbashkët deri natën vonë, pasi nevojitej që të dilnim fitues edhe në kufizimet kohore; libri u botua dhe erdhi nga Kosova, pra na duhej të shpejtonim që të lejonim afat kohor për të gjitha proceset e procedurën praktike. Duhet të kuptojmë se edhe redaktimi edhe korrektimi nevojitet jo vetëm të bëhen me shumë kujdes, por ishte obligimi parësor i redaksisë të mos preket aspak mendimi i krijuesit, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë që duhet përçuar origjinaliteti i tyre dhe meqenëse për fëmijë të diasporës: që kanë pra zanafillën e gjuhës së tyre nga treva të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës – qe ideja primare e tërë bordit ekzekutiv e rreptësia e redaktores Hysi, të mos preken nuancat dialektore si një pasuri e veçantë kombëtare. U lidhëm me shumë dashuri me tërë punimet. Është e mrekullueshme ndjenja që kemi tani të shohim këtë libër që do mbetet në bibliotekat tona e do na kujtojë përherë se është e nevojshme që kur një njeri krijues si Elona Gjergo ka një ide kaq të mirë, të bashkohemi të gjithë për të sjellë ca më shumë bukuri në botë e në diasporën tonë.

T’u japim mundësi për fluturim fëmijëve tanë. Jam shumë e ngazëllyer me nxënëset e mia Anën dhe Xhinën. Përgëzoj prindërit e tyre për vëmendjen që treguan në këtë paraqitje të fëmijëve dhe bashkëpunimin rezultativ. Personalisht jam kujdesur për shumë libra, shkrime e artikuj, siç besoj se do bëj dhe në të ardhmen, sepse është një punë që e bëj me shumë përkushtim. Padyshim puna mbi këtë libër të të vegjëlve tanë do të jetë një punë për të cilën e di që do të krenohem tërë jetën sepse është dhurata ime më e ëmbël, për ta. Jam e lumtur që u bë i mundur botimi i kësaj antologjie nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar prandaj falenderoj me zemër! Dhe tërë fëmijëve që na dëgjojnë u them: Guxoni!

Guxoni të krijoni, guxoni të shpreheni në gjuhën e nënës, guxoni të thoni me  forcë mendimin tuaj  deri në qiell, të vazhdoni çdo gjë të bukur që nisëm ne, prindërit tuaj!

Ju jeni e ardhmja dhe shpresa, ju do ta bëni botën më të bukur!

Athinë

Read More

Rrugëtimi i Motrave Qiriazi në vitet ’30 (pjesa e parë)

“Një hap tjetër drejt zhvillimit, ishte nisma që motra ime e vogël, zonjusha Parashqevi Qiriazi ndërmori me themelimin e shoqërisë së parë të grave. ‘Ylli i mëngjesit’ u hap për iluminimin dhe ngritjen e Shqipërisë”.

“Qindra gra të etura për të mësuar që të lexojnë dhe të shkruajnë gjuhën e tyre amtare u bashkuan me shoqërinë. Përveç kësaj, shoqëria ofronte leksione javore”.

“Temat ishin ndërtimi i shtëpisë dhe ekonomia e saj. Xhonturqit e mbarë, duke nuhatur themelin nacionalist, paditën zonjushën Qiriazi për kryengritje me qëllim për të shpërndarë klubin, por ata dështua” – Sevasti Qiriazi.

Përjetimet e kohës

Një çerek shekulli kaloi midis kohës në të cilën u formua “Ylli i Mëngjesit” dhe koha në të cilën Sevasti Qiriazi shkroi kujtimet e saj (të pabotuara) “Një luftë për të emancipuar bijat e shqiponjës”.

Nacionalizimi i arsimit në vitin 1933 kishte për qëllim t’i kundërvihej avancimit italian. Ndërsa Qiriazët kundërshtuan zgjerimin italian në fund të Luftës së Parë Botërore, kjo gjë i theu zemrën Sevastisë.

Shkolla e saj për vajza u mbyll dhe dyzet viteve të shërbimit të saj publik papritmas iu erdhi fundi. Ajo nuk ishte më mësuese!

Sidoqoftë, dy mediume pasqyruese mbetën të hapura: shkrimi dhe Shqiptarja (Gruaja Shqiptare) – shoqëria për gratë e shtetëzuara në 1928.

Ashtu e hidhëruar dhe e tradhtuar, Qiriazi donte të tregonte historinë e saj. Ajo do ta botonte atë. Kujtimet ishin një mënyrë për të mbushur kohën dhe një formë e shpengimit personal.

Por, gjithashtu, pasqyroi një moment në kohë. Ashtu siç shteti u bë i konsoliduar në periudhën e mesluftës dhe ndërtimi i kombit shqiptar mori hov.

Gratë aktiviste dhe meshkujt burokratë u angazhuan në debate të gjera që adresonin vendet e grave në atë proces. Gjuha që përdorte Qiriazi e reflektonte këtë.

Edukimi dhe ndërtimi i shtëpive u bënë prodhimet leksikore të kolegëve të saj të shoqërisë civile. Debatet e tilla në lidhje me gruan shqiptare filluan nga Revolucioni i Xhonturqëve në 1908.

Edukatorët e Qiriazit hynë në këto debate, mu në pragun e një epoke të re të Liberalizmit kulturor osman dhe decentralizimit politik.

Fuqia e revistës

Në këtë periudhë kohore, kultura e shtypur shqiptare kishte ekzistuar për disa dekada. Megjithatë, hyrja e grave në sferën publike ishte tematikë e re në zhvillim e sipër dhe i tillë ishte edhe feminizmi.

Gjithë e gjithë, gjatë periudhës së mesluftës, ne shihnim katër revista të grave që shfaqnin pikëpamje të ngjashme.

Secila prej tyre përfaqësonte qendrat “historike” të civilizimit shqiptar. Në mënyrë të barabartë morën përsipër detyrën e ngulitjes së përparimit (progresit) dhe qytetnimit (civilizimit) për motrat e tyre në të gjithë vendin.

Të katërta: Grueja Shqyptare (Albanian Woman 1920-1921), Mbleta (The Bee 1921-1922), Shpresa Kombëtare (The National Hope 1922) dhe Shqiptarja (The Albanian Woman 1929-1933), siç tregojnë emrat e tyre, lartësonin gratë shqiptare si qendrore në ndërtimin e kombit.

Qëllimi i tyre i përbashkët ishte që të përcaktonin këtë model të gruas. Ndërsa të katërta këto revista formuan lëvizjen e grave, ndikimi i tyre ndryshonte.

Për sa u mor vesh nga udhëheqësit e lëvizjeve lokale në Shkodër, Vlorë dhe Korçë, audienca e tyre nuk ishte aspak perceptuese ndaj mesazheve të tyre.

Mungesa e fondeve ishte një pengesë e rëndësishme për ta, ndërkaq po aq ishte dhe gjuha. Intelektualët shqiptarë kishin bërë disa premtime për t’i ndihmuar, si mirënjohje për aktivitetin e tyre gjatë luftës, megjithatë pak u shfaq udhës.

Pasi u kthyen në Tiranë në 1921, motrat Qiriazi rifilluan organizimin e grave. Kësaj radhe ishin në një pozitë më të mirë për të përhapur lëvizjen në të gjithë Shqipërinë.

Sot ato konsiderohen si feministet e para shqiptare. Sidoqoftë, ato nuk e përqafuan etiketimin si të tilla në atë kohë.

Në shtypin kombëtar, ku idetë e tyre mund të shpërndaheshin dhe kontrolloheshin njëkohësisht, Sevastia argumentoi për distancën nga feminizmi “Anglophone”, si i papërshtatshëm për nevojat aktuale shoqërore në Shqipëri.

Vijon…

Read More
CD835D73-BC4B-4ADA-A8C9-F8EDA5501EF7-780×439

Nëse përdorni ndonjë nga këto 20 fjalëkalime, ndryshojeni menjëherë

Deri tani, ju ndoshta jeni njohur tashmë me këshillat e zakonshme për fjalëkalimet që përdorni në internet.

Rekomandohet të shmangni një seri numrash, emrin tuaj dhe të përdorni të njëjtin fjalëkalim për llogari të shumëfishta, por shumë ende i injorojnë këto këshilla të thjeshta dhe befasohen kur dikush e kontrollon llogarinë e tyre, raporton Huffington Post.

Sipas një raporti të Verizon të vitit 2017, rreth 81 për qind e fjalëkalimeve të thyera kanë të bëjnë me sigurinë e dobët të fjalëkalimit, transmeton Telegrafi.

ID Agent, një kompani e errët e mbikëqyrjes së uebit në pronësi të kompanisë së programeve kompjuterike Kaseya, thotë se ka identifikuar fjalëkalimet më të vjedhura të gjetura në uebfaqen e errët në vitin 2020 bazuar në skanimin e gati 3 milionë fjalëkalimeve.

Pesëdhjetë e nëntë për qind e amerikanëve përdorin emrin ose ditëlindjen e një personi në fjalëkalime, ndërsa 33% përfshijnë emrin e një kafshe shtëpiake dhe 22% përdorin emrin e tyre, tha kompania.

Këtu janë 20 më të zakonshmet që duhet të shmangen me çdo kusht:

123456

fjalëkalimin

12345678

12341234

1asdasdasdasd

Qwerty123

Fjalëkalimi1

123456789

Qwerty1

: 12345678 sekret

Abc123

111111

stratfor

rrezet e diellit

123123123

1234567890

Fjalëkalimi123

123123

1234567

Disa nga këshillat përfshijnë:

– Shmangni përdorimin e emrave

– Përzieni numrat në mënyrë që ata të mos jenë në rend

– krijoni një fjalëkalim unik për secilën llogari.

Read More
037F34EC-510B-48C5-BB1B-F3E209FD268E-780×439

Studimi tregon për të metat në Alexa që mund të zbulojnë informacione të rëndësishme

Një cenueshmëri madje mund të rrjedhë të dhëna për të hyrë në llogaritë bankare; marka riafirmon angazhimin për sigurinë në procesin e miratimit të aftësive.

Alexa, asistent personal i Amazon mund të kenë të meta që e bëjnë të lehtë për rrjedhje të të dhënave të përdoruesit. Sipas një studimi nga Universiteti i Karolinës së Veriut, në Shtetet e Bashkuara, aftësitë e shkarkuara brenda në aplikacionin Alexa mund të ekspozojnë informacione personale si listat e kontakteve dhe madje edhe detajet bankare, në disa raste. Sipas hulumtimit, kjo ka të bëjë me procesin e miratimit të aftësive, siç quhet softueri i bërë për asistentin virtual. Vlen të përmendet se ende nuk ka asnjë provë që e meta është shfrytëzuar nga hakerat.

Me fjalë të tjera, sistemi mund ta nxisë përdoruesin të besojë se ai është duke përdorur një aplikacion të shërbimit të tij të transmetimit të muzikës ose sistemit inteligjent të ndriçimit të mundësuar nga Alexa, kur, në fakt, ai do të përballej me një kopje të rrezikshme të aplikacionit.

Kur hapni aplikacionin, përdoruesi mund, pa e kuptuar, t’i dorëzojë të dhënat e hyrjes një hakeri.

Studimi gjithashtu tregon një problem në mundësinë e më shumë se një aftësie duke përdorur të njëjtën komandë aktivizimi. Për studiuesit, tipari mund të paraqesë një rrezik për privatësinë, pasi që përdoruesi mund të ndajë informacione të tilla si email, detaje bankare ose hyrje në rrjetet sociale me një zhvillues, edhe pa pasur ndonjë qëllim, duke menduar se po aktivizon një aftësi tjetër.

Read More
64717902-8672-4331-8FAF-804A7B74E385-780×439

“Njeriu i keq” i botës së teknologjisë kërcënohet me burgim të përjetshëm

Ju e dini mbiemrin e John McAfee – ai themeloi kompaninë pas një prej antivirusëve më të njohur të softuerit. Sidoqoftë, përveç se është një sipërmarrës i suksesshëm, McAfee është gjithashtu një person mjaft i diskutueshëm.

Ai u arrestua në Spanjë, në tetor të vitit të kaluar, me akuzat e evazionit fiskal dhe kryerjen e mashtrimit që përfshinte, ndër të tjera, kriptovaluta.

Ai ka qenë në paraburgim që nga ajo kohë, në pritje të ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara, transmeton Telegrafi.

Sipas aktakuzës, e cila u “vulos” sot, McAfee akuzohet gjithashtu për pastrim parash, si dhe mashtrim me kompanitë e sigurimeve, raporton Business Insider.

Nëse dënohet për të gjitha pikat e akuzës, ai përballet me një dënim të përjetshëm.

Është deklaruar se McAfee dhe një nga bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë fituar më shumë se 13 milionë dollarë, mes të tjerash, duke mashtruar investitorët në lidhje me kriptovalutat, duke promovuar McAfee përmes rrjeteve sociale përmes ofertave fillestare të monedhave (ICO).

Read More
2-12-780×439

Zbulohen tunele misterioze në Uells

Disa punëtorë po lëviznin një shtyllë elektrike pranë një manastiri të shekullit të 12-të në Tintern, Uells dhe aksidentalisht zbuluan një rrjet misterioz tunelesh.

Zbulimi ka ndodhur në kufirin mes Uellsit dhe Anglisë. Kompania bëri të ditur se tunelet me një lartësi rreth 1.2 metra nuk ishin fare në ndonjë hartë, por puna u ndal menjëherë sapo ato u zbuluan.

“Nuk kishim asgjë në hartat tona ku mund të na tregohej se kishte ndonjë gjë të pazakontë. Vetëm pak minuta pasi kishin nisur gërmimet, ekipi bëri zbulimin e jashtëzakonshëm për të cilin fillimisht menduam se ishte një shpellë”, tha Allyn Gore, udhëheqës i punimeve.

Daily Mail shkruan se arkeologët do të nisin menjëherë eksplorimin e tuneleve për të cilët nuk dihet asgjë të paktën në 100 vjetët e fundit.

Read More
5DE30A0D-86C1-42E5-A6EF-683CDDA01C07-780×439

A mendoni se kufjet e telefonit tuaj celular janë të pastër? Shikoni ato me zoom

Kur shikojmë kufjet përmes syrit të kamerës dhe zmadhimit të madh, shohim se sa të pista janë ato.

Përndryshe sfida e vërtetë është pastrimi i tyre i mirë, pasi ato janë kaq të vogla.

Opsioni i zmadhimit në kamera ose kamera e bën këtë punë shumë më të lehtë.

Read More
1-46-780×439

Zogu më i moshuar i botës, çel vezën në moshën 70-vjeçare

Albatrosi i njohur me emrin ‘Wisdom’ (Dituri), zogu i egër më i moshuar i botës, ka çelur vezën e saj në moshën 70-vjeçare, shkruan The Guardian.

Albatrosi ka lindur zogun më 1 shkurt, në një rezervat të botës së egër në veri të oqeanit Paqësor, njoftoi sot shërbimi amerikan i Peshkut dhe Botës së Egër.

Albatrosët janë pulëbardha gjigande që jetojnë zakonisht 12-40 vjet, por Wisdom, albatros i familjes Laysan, është identifikuar nga studiuesit që prej vitit 1956.

Babai i zogut Wisdom, është Akeakamai, me të cilin nëna ka qenë në çift që prej vitit 2012, thonë zyrtarët amerikanë të botës së egër.

Albatrosët zakonisht kur bëhen çift qëndrojnë përgjithmonë te tille, por Wisdom besohet se ka pasur edhe partnerë të tjerë në të kaluarën, të cilët nuk kanë pasur jetëgjatësinë e saj.

Megjithse Wisdom lindi zoçkën e saj në shkurt, në grupin e ishujve të vegjël Midway Atoll në Paqësor, ngjarja është raportuar vetëm kësaj jave.

“Wisdom lëshoi vezën e saj dikur në ditët e fundit të nëntorit. Pak më pas, ajo u kthye në det për të kërkuar ushqim ndërsa partneri i saj Akeakamai mori detyrat e ngrohjes së vezës.

Albatrosët i ndajnë të gjitha detyrat e prindërimit, si gjatë periudhës së inkubacionit të vezës edhe më pas në ushqimin e zogut”.

Zyrtarët besojnë se albatrosi në fjalë ka lindur 30 deri në 36 zogj gjatë jetës së saj. Albatrosët lëshojnë vetëm një vezë një herë në disa vjet. Ishujt Midway Atoll strehojnë koloninë më të madhe në botë të albatrosëve në botë.

Read More
15435798_419515425105286_1166503599_n

Në Paris u themelua Dega e Lobit Euroatlantik Shqiptar, për Francë

INTERESIM I MADH SHQIPTARËVE TË FRANCËS PËR TË VEPRUAR NË LOBIN EUROATLANTIK SHQIPTAR
Në sallën e madhe dhe të stolisur me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe me logot e Lobit Euro Atlantik Shqiptar, të premten, më 9.12.2016, në Nanterre të Parisit ishin tubuar shqiptarët nga të gjitha trevat e Francës, kryesisht të Parisit dhe të rrethinës, për të themeluar Degën e Lobit Euroatlantik Shqiptar në Francë, me seli në Paris!
Ishte atmosferë festive dhe pune, atë natë kur takuam bashkëkombësit tanë veprimtarë për çështjen kombëtare shqiptare, njerëz të bizneseve të ndryshme, të cilët shprehnin interesimin për Lobin, për të cilin foli bashkëkryesuesi i Lobit në nivel botëror, z. Shukri Ymeri, nga Gjermania , përkatësisht qyteti i njohur Lorrach, ku është selia qendrore e Lobit Euro Atlantik Shqiptar në botë.
Takuam atë natë veprimtarët e dalluar për çështjen mbarëkombëtare, të cilët rreth një tavoline pune, paraprakisht bënin shumë pyetje dhe shprehnin gatishmëri që të bashkohen në këtë Lob, i cili është jopartiak dhe ka për qëllimin që të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të bashkohen rreth çështjes mbarëkombëtare shqiptare, sidomos në diasporën e  madhe shqiptare. Ishte interesant elaborimi nga baba e bir, Haki Sela dhe Ylli Sela, që kishin ardhur nga Departamenti 77 Provins, sikurse u janë përgjigjur përherë aktiviteteve mbarëkombëtare!
Të gjitha pyetjeve iu përgjigj z. Shukri Ymeri. Paraprakisht z. Ymeri kishte biseduar disa herë me z. Xhavit Tafolli, një biznesmen dhe po ashtu veprimtar, i cili shprehte interesimin që ai të ishte pranë kryesisë, por që kryetar të zgjidhej dikush tjetër, që ka reputacion dhe famë ndër shqiptarët e këtushëm! Atë natë, për hir të kësaj ngjarjeje të themelimit të Degës së Lobit, dy shoqata: “Drini” me kryetar Xhavit Tafollin dhe “Dardania”, e drejtuar nga Ylli Sela, e para në Nanterre dhe e dyta në Provins të Parisit, kishin organizuar një mbrëmje të mrekullueshme artistike, në mënyrë që të nesërmen, ditën e shtunë, më datën 10 dhjetor 2016, të mbahej kuvendi i madh në sallën përkatëse në Nanterr.

Takuam aty veprimtarët dhe biznesmenët e suksesshëm: Nebihun , Naserin dhe Fatmirin, këta dy të fundit ishin vëllezër që kishin ardhur me punëtorët e  tyre dhe me miq e me shokë shqiptarë nga e gjithë Franca, që ta bënin më madhështor këtë themelim të Degës së Lobit në Francë.
Të gjithë interesoheshin që në krye të një lobi të këtillë meritonte të ishte veprimtari dhe biznesmeni Ajet Duga, i cili me të vëllanë Hesat Dugën kishte shkuar në radhët e Ushtrisë Çlimrimtare të Kosovës në operacioni “Shigjeta” në Pashtrik, dhe që të dytë, me plot meritë, janë veteranë lufte. Në të vërtetë Ajet Duga, dr.Xhemail Xhemaili nga Vërtiku (Burimi) i Gostivarit, mjek i njohur në St chamond, së bashku me të tjerët, përherë ishin në ballë të betejave për ta ndihmuar shqiptarinë kudo që ishte nevoja. Ajet Duga, nga fshati Carrabreg i Lipjanit ose Bregu i Zi, ishte ndër të parët që kishte ardhur në këtë pjesë të Parisit dhe kishte bërë namin në punësimin e  shqiptarëve, të cilët pasi punonin tek Ajeti, formonin ndërmarrjet e veta! Ajeti mbetet i njëjti, nuk dorëzohet për çështjet madhore kombëtare shqiptare!

 

15536997_423705758019586_578840488_o
Në të majtë veprimtari Shukri Ymeri, në mes kryetari Ajet Duga ndërsa në të djathtë gazetari Muhamet Çetta
Ishte qëndrimi unanim që po diskutohej nëpër tavolina që Ajet Duga të zgjidhej kryetar i Degës së Lobit Euroatlantik Shqiptar në Francë, me seli në Paris! Dhe, kur u hap diskutimi për degën e  këtij Lobi në Francë, me duartrokitje dhe me përkrahje me zemër, u mirëprit dhe u votua zgjedhja e zotit Ajet Duga, kryetar i kryesisë së Degës së  Lobit në Francë. Të gjithë u ngritën në këmbë për ta përgëzuar!
Pastaj fjalën e mori zoti Shukri Ymeri, i cili foli në detaje për rëndësinë dhe rolin e Lobit! Për pikën e dytë të gjithë u pajtuan që Ylli Sela të mbetet dhe, pasi të konsultohen me të gjithë njerëzit e këtushëm, ta zgjedhin një kryesi të Degës, e cila do të bëje aktivitetet e duhura konform rregullave e Statutit të Lobit Euroatlantik Shqiptar. Shukri Ymeri njoftoi se nga Dega e Francës do të marrin pjesë edhe në Kuvendin zgjedhor të Lobit që do të mbahet më 18 dhjetor në Lorach.
Për nder të këtij aktiviteti u organizua edhe një program i pasur kulturor-artistik, me ç’rast kënduan këngëtaret e njohura Adelina Doda dhe Esmeralda Hoti!
Në fund  Xhavit Tafolli, duke iu falënderuar Kryesisë së Lobit Euroatlantik Shqiptar, shprehu kënaqësinë se në krye të kësaj kryesie u zgjodh Ajet Duga, i cili është edhe dajë i Xhavitit dhe të vëllezërve të tjerë Tafolli, që këtu punojnë e veprojnë me sukses.

Read More