Në Provincën Brescia të Italisë, jetojnë rreth 27 mijë shqiptarë. Nga këta bashkëkombës, mbi 9 mijë janë nga Kosova.                              

Pas përgatitjeve disa muajshe, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të veprimtarit të shquar Petrit Aliaj, nga Durrësi, i cili ka mbështetur në forma të ndryshme luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Brescia këto ditë është mbajtur Kuendi themelues i Degës së Lobit Euro Atlantik Shqiptar për Itali. Përveç bashkëkombasëve tanë që jetojnë në këtë provincë italiane, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kryesisë qendrore të këtij lobi: Kryetari Shukri Ymeri, Musa Tolaj dhe Feride Shala.

Në këtë kuvend, merrnin pjesë shumë aktivistë nga shoqata “Drita”, “Interaction”, “Shqiponja”, “Rinia”, Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Itali e mësues të shkollave shqipe, përfaqësues e drejtues organizatash vullnetare social – kulturore nga provinca të ndryshme të Italisë: nga Novara,Trento, Monza e Brianza, Bergamo, Milano, Verona, Picenza, Breshcia dhe provinca tjera.

Në hapjen e këtij kuvendi, pjesëmarrësit i përshëndeti Kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar, Shukri Ymeri. Ai me këtë rast  u përqendrua në pasqyrimin e gjithanshëm të veprimtarisë së deritashme të këtij  Lobi, sidomos të aktivistëve të shumtë të tij në shumë vende euro-perëndimore. Ai e quajti këtë si ndër projektet më madhore të kombit shqiptar në diasporë. Ymeri ftoi të gjithë bashkëkombasit tanë në Itali dhe kudo në botë që ti bashkëngjiten Lobit Euroatlantik Shqiptar për të kontribuar në zhvillimin më dinamik të atdheut në të gjitha segmentet.

Me këtë rast, fjalën e morën edhe pjesëmarrës të shumtë të këtij Kuvendi themelues:  Erio Korani, president  i Organizatës Ndërkombëtare “Rinia“ dhe sekretar i Federatës Kombëtare të shoqatave Shqiptare në Itali, Sherif Nuredini, president i Shoqatës “Shqiponja”,  Lumturie  Plaku, shkrimtare dhe poete, zëvendës presidente  e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve në  Itali, Marsela Koçi, gazetare nga Milano, doktor Ramazan Baja e veprimtarë të tjerë.

Ata vlerësuan lartë iniciativën për bashkëpunim në plan mbarëkombëtar  të ndërmarrë nga Lobi Euroatlantik Shqiptar me seli në Lorah të Gjermanisë.                    Me këtë rast presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali Skënder Lazaj vlerësoi përpjekjet e drejtuesve të Lobit Euroatlantik Atlantik Shqiptar për  bashkimin e mërgatës shqiptare, angazhimin për realizimin e projekteve të ndryshme të cilat i përgjigjen interesave mbarë kombëtare shqiptare.

Ndër të tjera Skënder Lazaj informoi për nismën që Lidhja që ai drejton në bashkëpunim me të gjitha asociacionet shqiptare, e njëkohësisht edhe me Lobin Euroatlantik Shqiptar për mbajtjen e një Konference për problemet e gjuhës shqipe. Në të do të ftohen mësues, drejtues shkollash dhe shoqatash të ndryshme në Itali e të ftuar të tjerë, si edhe përfaqësues nga komuniteti Arbresh, zyrtarë dhe  ekspertë nga Shqipëria, Kosova e përfaqësues të katedrave të gjuhës shqipe në Itali, përfaqësues nga shkollat shqipe në Kroaci, në Slloveni,  Gjermani, Zvicër e Greqi.

Me këtë rast pjesëmarrësit e këtij tubimi i përshëndetën edhe Musa Tolaj dhe zonja Feride Shala, anëtarë të Kryesisë qendrore të Lobit.                                            Në vijim, Petrit Aliaj, lexoi emrat e atyre që u zgjodhën në mënyrë demokratike dhe do të drejtojnë Degën e Lobit Euroatlantik Shqiptar në Itali: Alketa Delishaj, u zgjodh kryetare, ndërsa  nënkryetare Marsela Koçi,  sekretar Petrit Aliaj dhe arkatare Trandafile Molla.  Anëtarë të Kryesisë së Degës së Lobit u zgjodhën Julian Xhahysa, Gjergj Harka dhe Fabiola Salia.

Kryetarja e porsazgjedhur Alketa Delishaj, falënderoi pjesëmarrësit për besimin e dhënë në drejtimin e kësaj dege gjatë periudhës së ardhshme 4 vjeçare.

Në pjesën përmbyllëse të Kuvendit, Kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar Shukri Ymeri iu përgjigj edhe pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve të Kuvendit, të cilat kishin karakter informimi  e shtrirje në funksion të aktivitetit  që përcakton Statuti dhe Programi i Lobit Euro Atlantik Shqiptar, si dy bazamente kryesore e të pandara në zhvillimet e veprimtarisë mbarë kombëtare shqiptare dhe jashtë ndikimeve partiake e fetare. Ai u fokusua në rëndësinë e unifikimit të të gjitha potencialeve të mërgatës shqiptare në botë në funksion të ndërtimit të ardhmes më të ndritshme të kombit shqiptar.

(LEASH)