Kosova para 27 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’ u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli. Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit të shtatorit 1991. Jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, është shprehur Ramajl në një intervistë për ATSH-në.

Në ambientet e Kuvendit kosovar, kryeparlamentari Kadri Veseli organizon sot pritje për delegatët që miratuan Deklaratën Kushtetuese, të cilën e ka vlerësuar “një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX” dhe “një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës”.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 26 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arresoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.Kosove-DeklarataKushtetuese2Korrik1990-fotoATSH-1

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 17 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet tetë vite – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga mëse 111 shtete anëtare të OKB-së.

“Fillim i së nesërmes”” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në atë ngjarje historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraprirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, një ekzemplar të së cilës e kam të ruajtur edhe pas 26 vitesh, që kur ma dhanë vetë delegatët në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u lexua.