MBËSHTETEN ANGAZHIMET PËR PROJEKTE TË REJA PRODHUESE NË KOSOVË E SHQIPËRI

Në Forumin e 20-të Ekonomik Euroaziatik, organizuar nga Fondacioni për Hulumtime Strategjike dhe Sociale Marmara Group,  që i zhvilloi punimet në Stamboll, përveç përfaqësuesve të nivelit të lartë të shteteve euro-aziatike, mori pjesë edhe kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar Shukri Ymeri.

Ai me këtë rast, pati një varg takimesh të veçanta me personalitete të larta të disa vendeve pjesëmarrëse në këtë samit.

Përveç  takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin,  kreu i Lobit Euroatlantik Shqiptar, Shukri Ymeri, u takua edhe me ish-Presidentin Bamir Topin, me ministren për dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës Edita Tahirin, me përfaqësues të qeverisë së Turqisë, me kryetarin e Unionit të biznesmenëve të Turqisë në Evropë Aziz Sahitin, me kryetarin e Shoqatës “Vatra” të Shqiptarëve në Stamboll Bora Zukalin  dhe zëvëndëskryetarin  Arif Tatu.

Po ashtu Ymeri zhvilloi takime të veçanta edhe me kryetarin e Shoqatës “Vëllazëria Turko-Shqiptare” Halil Metin dhe me drejtorin e Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll, Qamil Bytyçin.

Në këto takime u bisedua lidhur me mundësinë e  bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, me qëllim të realizimit të disa projekteve prodhuese në Kosovë, në Shqipëri dhe vende të tjera, ku mund të angazhohen kuadro të shkolluara në universitetet më të njohura të Evropës.

Me këtë rast, u vlerësuan si shumë të rëndësishme angazhimet e Kryesisë së Lobit Euroatlantik Shqiptar për shtrirjen e tij në mbarë botën dhe bashkimin e të gjitha potencialeve të mërgatës shqiptare në funksion të zhvillimit më të hovshëm ekonomik të Kosovës, Shqipërisë dhe të viseve të tjera etnike shqiptare. Ky do të ishte kontributi më i madh i madh në këtë fazë të rëndësishme të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës, nga se ekzistojnë shumë mundësi dhe përparësi që duhet shfrytëzuar.