MBËSHTETJE E MADHE PËR PROJEKTET E LOBISTËVE SHQIPTARË

Gjatë vizitës në Turqi, kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar Shukri Ymeri, pati një varg takimesh të rëndësishme në Stamboll. Me këtë rast ai u takua me Kryetarin e Shoqatës “Vëllazëria Turko-Shqiptare” Halil Metin, me drejtorin e Qendrës kulturore të Kosovës Qamil Bytyçin dhe me kryetarin e Unionit te biznesmenëve të Turqisë në Evropë Aziz Sahitin, i cili njëherësh është kryetar i Këshillit Evropian për Bashkëpunim të biznesmenëve dhe Këshillit Ndërkombëtar për Binjakëzimin e qyteteve.

Gjatë bashkëbisedimit, u shpreh gatishmëria që Lobit Euroatlantik Shqiptar ti bashkëngjiten një numër i madh i bashkëkombëseve tanë që jetojnë në Turqi, sidomos i afaristëve të suksesshëm, intelektualëve dhe të rinjve.

Në këto takime, mori pjesë edhe ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri me bashkëpunëtorë. Ajo përgëzoi Kryesinë e LEASH për veprimtarinë e saj të deritashme dhe projektet në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, kryetari i Lobit Euroatlantik Shqiptar Shukri Ymeri, mori pjesë edhe në Forumin e 20-të Euro aziatik të Ekonomisë i zhvilluar në Stamboll nën kujdesin e Fondacionit Marmara Group. Ai me këtë rast pati një takim të veçantë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin, me të cilin biseduan për rëndësinë e shtrirjes së degëve të këtij lobi në mbarë botën ku jetojnë shqiptarët.

Presidenti Nishani ofroi mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë për fuqizimin e mëtejmë të këtij lobi në funksion të unifikimit të mërgatës shqiptare në botë. Kryetari i LEASH, Shukri Ymeri paralajmëroi së shpejti një vizitë zyrtare të një delegacioni të Kryesisë së tij në Shqipëri.

17797756_502204113503083_1610839585_o